Qeveria shton 312 mln euro borxhe. Koncesionet sërish nuk preken

478
Qeveria shqiptare përdori një akt normativ për të rritur huamarrjen e planifikuar në buxhetin e shtetit 2020 me afro 312 milionë euro, ndërsa parashikon që ekonomisë t’i mungojnë 51 miliardë lekë ose 430 milionë euro nga plani i fillimvitit. Nuk ka asnjë kursim të shpenzimeve për koncesione.

Qeveria shqiptare miratoi me akt normativ huamarrje të re për buxhetin e këtij viti për të kompensuar pasojat e krizës së pritshme ekonomike të shkaktuar nga Pandemia COVID-19 si dhe kostot e pritshme për shpenzime shëndetësore për trajtimin e të sëmurëve nga kjo sëmundje.
Sigal

Akti Normativ me fuqinë e ligjit është një instrument kushtetues që i lejon qeverisë, në kushtet e emergjencës kombëtare, të ndërmarrë një nismë ligjore që hyn në fuqi menjëherë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 45 ditë afat për ta shqyrtuar dhe miratuar.

Sipas këtij Akti Normativ, borxhi publik i Shqipërisë në fund të këtij viti pritet të rritet në 1.2 trilionë lekë ose 9.98 miliardë euro. Në buxhetin e mëparshëm kufiri i borxhit ishte 1.16 trilionë lekë ose 9.66 miliardë euro.

Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të jetë 1.74 trilionë lekë ose 52 miliardë më pak se sa plani i fillimvitit.

Borxhi publik si përqindje e PBB-së pritet të rritet në 69%. Të ardhurat e qeverisë vlerësohet të jenë 28.1% e PBB-së ndërsa shpenzimet, 32.1%.

Akti Normativ parashikon të ardhura 20 miliardë lekë më pak se sa buxheti i miratuar në dhjetor ndërsa shpenzimet planifikohet të rriten me 9 miliardë lekë.

Akti Normativ parashikon një “fond anti-COVID” në masën 2.5 miliardë lekë ndërsa 6.5 miliardë lekë i jepen një shpenzimi të quajtur “paketa sociale anti-COVID-19”.

Shqipëria hyri në krizë nga 12 Marsi 2019 pasi qeveria u detyrua të ndalojë qarkullimin e njerëzve për të imponuar atë që epidemiologët e quajnë “distancim shoqëror”, për të ndaluar qarkullimin e mëtejshëm të koronavirusit të ri.

Ekonomia u paralizua në një pjesë të madhe të saj, përfshirë turizmin, transportin e udhëtarëve dhe shërbimet, gjë që pritet të shkaktojë humbje të mëdha në numrin e të punësuarve dhe të lërë një pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve pa paga. Sektori i tregtisë dhe prodhimit të ushqimeve, që në Shqipëri zë një pjesë jo të vogël të konsumit total (rreth 40%), pritet të mbetet jo shumë i dëmtuar.

Njësoj si në rastin e tërmetit të vitit 2019, kryeministrit Edi Rama iu shtrua pyetja nëse ai mendon se në kushtet e një krize të tillë mund të anulojë ndonjë nga koncesionet kontroverse të akorduara nga qeveria e tij gjatë viteve të fundit. Buxheti i paraqitur në Aktin Normativ duket se nuk parashikon asnjë ndryshim në këtë drejtim. Qeveria parashikon një fond shtesë prej 9 miliardë lekësh mbi programin e shpenzimeve të buxhetit fillestar dhe asgjë tjetër. Ndonëse mund të arsyetohet se mbyllja e ekonomisë do të rrisë të papunët punëkërkues që kanë të drejtë ligjore të pagesës së papunësisë, qeveria nuk planifikon asnjë rritje të fondit për këtë pagesë papunësie. Akti Normativ parashikon gjithashtu të njëjtin nivel të ardhurash për sigurimet shoqërore e shëndetësore si buxheti 2020, duke supozuar në këtë mënyrë se kurrfarë mungesash në të ardhurat nga këto dy zëra nuk do të shënohet nga paralizimi i përgjithshëm i ekonomisë për shkak të pandemisë./BIRN

Buxheti 2020 Akti Normativ Ndryshimi Në % të PBB
Borxhi 1,159,644 1,197,139 37,495 68.7
Të ardhurat 509,675 489,675 -20,000 28.1
Shpenzimet 549,374 558,374 9,000 32.1
PBB 1,793,466 1,741,639 -51,827 100.0