Qeveria pro zgjatjes së afatit për “strategjikët” dhe kundër forcimit të kritereve

21

Pas nismës së deputetit Eduard Shalsi për zgjatjen e afatit dhe forcimin e kritereve të ligjit kontrovers “Për investimet strategjike”, Këshilli i Ministrave rrëzoi prothuajse të gjitha propozimet e tjera përveç shtrirjes së efekteve deri në vitin 2027.

Sigal

Telegraf.al / Më 20 shkurt 2024, Komisioni për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë nisi shqyrtimin e një projektligji të dorëzuar nga deputeti socialist, Eduard Shalsi, që synon zgjatjen e afatit për investimet strategjike deri më 31 dhjetor 2027.

Ndryshimet ligjore të propozuara nga Shalsi parashikojnë gjithashtu të rrisin vlerën e investimeve deri në 100 milionë euro për ato investime që do të marrin statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë”, dhe t’i japin më shumë rol në vendimmarje ministrive të linjës për të përgatitur studimet dhe kontratat.

Por në një dokument të emërtuar “dhënie mendimi” që Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend, të cilin BIRN e disponon, rrëzohen pothuajse të gjitha propozimet e Shalsit për forcimin e kritereve dhe jepet dakordësi vetëm për shtyrjen e afatit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bie dakord me zgjatjen e afatit, duke vlerësuar se do të ndikojë “në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, nëpërmjet thithjes së investimeve elitare në këtë fushë”.

Por, ministria e drejtuar nga Kumbaro refuzon të marrë përsipër detyrimet e propozuara nga Shalsi për këtë ministri dhe për rritjen e vlerës së investimit.

Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitorëve strategjikë qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.

“Bazuar në ndryshimet e propozuara, rritja e vlerës së investimit nga 5 milionë në 50 milionë dhe nga 50 milionë në 100 milionë do të frenojë projektet investuese në fushën e turizmit për strukturat akomoduese që nuk ndodhen në zona me përparësi zhvillimin e turizmit apo që janë në vlerë më të madhe se kriteri i investimit për përfitimin e statusit 4 dhe 5 yje, status special, dhe, për rrjedhojë, subjektet investuese nuk do të kenë interes për të investuar në këtë fushë,”- thuhet në dokument.

Kjo ministri sugjeron që sektori i turizmit të përjashtohet nga rregulli i përgjithshëm i vlerës së investimit, si dhe të rishikohen vlerat e propozuara të investimit, duke u dhënë mundësinë subjekteve që kërkojnë të investojnë në këtë sektor, të përfitojnë statusin e investitorit strategjik si për investime jashtë zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, ashtu edhe për vlera më të ulëta se 50 milionë.

Po ashtu, ministria e Turizmit dhe Mjedisit thotë se nuk ka kapacitete njerëzore për të bërë vlerësimin e plotë të projekteve të investimit dhe të hartojnë raportin përfundimtar dhe kontratën për investimet e propozuara. Sipas kësaj ministrie, kjo do të krijonte dhe mbivendosje me detyrat funksionale të AIDA-s.

Ligji për “Investimet Strategjike” u miratua në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm dhe pasi afati u zgjat disa herë, i mbaroi efektet e tij në dhjetor 2023. Ligji ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve, që sipas ekspertëve të ekonomisë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cënuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitorëve strategjikë qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.

Sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e vetmja gjë që i intereson qeverisë është zgjatja e afatit të ligjit për të vijuar me të njëjtën mënyrë jotransparente të dhënies së statusit për investitorët.

“Mendimi i qeverisë nuk lidhet me faktin se si ta përmirësojmë procesin, po janë fokusuar vetëm tek zgjatja e afatit dhe janë rrëzuar poshtë elementët për vlerën e investimit, apo për procesin,”- tha Tabaku duke komentuar ndryshimet mes draftit të Shalsit dhe atij të Këshillit të Ministrave.

“Me pak fjalë, qeveria po thotë se; ‘ne nuk jemi të interesuar fare se si jepen këto investime , po jemi të interesuar për të vazhduar me të njëjtën proces, në mungesë transparence dhe në kritere të paqarta të dhënies së investimeve,”- shtoi Tabaku.

Tabaku e lidh shtyrjen e afatit të zbatimit të këtij ligji me ndryshimet e miratuara në ligjin e Zonave të Mbrojtura, ku u lejuan projektet turistike dhe infrastrukturore brenda territorit të këtyre zonave, me një procedurë të ngjashme parlamentare që po ndiqet në këtë rast.

Një nismë e deputetëve për ligjin e “Zonave të Mbrojtura” u rrëzua në momentin e fundit nga një draft i qeverisë, duke shmangur konsultimin publik mbi variantin final të ligjit.