Qeveria: Kisha nuk respektoi marrëveshjen për restaurimin

429
Pas deklaratës së Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku thuhej se kisha ka mbledhur 11 milionë euro donacione për restaurimin e 60 manastireve e kishave ndërkohë që Rama nuk i përmend investimet e bëra, ka reaguar qeveria. Sipas qeverisë, kryeministri nuk merr përsipër të informojë publikun mbi investimet e bëra për llogari të Kishës Orthodokse, pasi kjo nuk është as në detyrën dhe as të drejtën e qeverisë.
“Kryeministri, gjatë interpelancës me deputetin Vangjel Dule, thjesht informoi ndër të tjera se Kisha Orthodhokse Autoqefale ka bërë në mars 2014 një marrëveshje me qeverinë përmes Ministrisë së Kulturës për bashkëpunim të ndërhyrjeve të shpëtimit apo të restaurimit të kishave monument kulture që ishin në situatë emergjence, duke shtuar se deri më sot Kisha nuk ka marrë pjesë në asnjë operacion të financuar nga qeveria gjatë këtyre dy vjetëve. Qeveria ka vijuar ndërkohë me financimin e restaurimeve të kishave-monument kulture nga buxheti i shtetit, në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Më tej në njoftim thuhet se ky fakt nuk është një kritikë ndaj kishës, por vetëm një fakt i vërtetë që tregon përkushtimin e qeverisë shqiptare ndaj monumenteve të kulturës, të cilat janë në përdorim të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë. 
Sigal