Qeveria hap thesin 16 mln. euro për të numëruar njerëzit me tableta

191
Sigal

Qytetarët në krizë ekonomike do paguajnë dhe 16 milionë euro për censusin e popullsisë, që nis nga 1 tetori. Pyetësori me tablet do jetë i njëjtë me atë të para 11 viteve, mesa duket ndryshim do ketë vetëm kohëzgjata prej 6 javësh dhe paratë e bëra ‘rrush e kumbulla’ për ambientet e trajnimit për 8 mijë ‘patronazhistët’ e stafit duke fryrë koston nga tenderi fillestar 2 mln. euro në 16 milionë. Ja skandali

 Nga 1 tetori nis! Cenusi rregullohet me ligj specifik, pyetësori i 2022, do të jetë i njëjtë me pyetjet e atij të vitit 2011

 Censi do të zgjasë 6 javë në terren me pyetësor në tablet, jo letër. Procesi në total do angazhojë 8 mijë punonjës, rreth 1 mijë e 200 kontrollorë dhe 6 mijë anketues. Përveç stafit kostot shtohen dhe për ambientet e trajnimit për personat që do angazhohen në këtë proces duke arritur në 16 milionë euro.

INSTAT në muajin mars hapi proceduarta për tender 2 mln euro për të numëruar njerëzit me tablet. Më vonë Komisioni i Prokurimit Publik (KPP)  administroi ankesa për një tender me vlerë 2.2 miliardë lekë të vjetra për blerje tabletash për Institutin e Statistikave, të cilat, nëse pranohen, do t’i rëndojnë qytetarëve shqiptarë rreth 450 milionë lekë më shtrenjtë pasi eleminuan nga gara konkurentët me ofertën më të ulët. Mesa duket qeveria e shikon të arsyeshme të derdh miliona çdo 3- 4 vite për numërimin e qytetarëve, sikur të mos mjaftonte kjo, kosto do fryhet ende nga 2 mln euro për tablet do shkojë në 16 milione euro procesi që do zgjasë 6 javë. Drejtoresha e Statistikave Sociale, Majlinda Nesturi tha se mbledhja e të dhënave në këtë anketë do të bëhet me tabletë elektronike, kjo në mënyrë që të ketë më shumë siguri dhe shpejtësi në përpunimin e të dhënave. Sa i përket kostove, Nesturi bëri të ditur se mesatarisht kostot për këtë proces shkojnë tek 16 milionë euro. “Procesi do të nisë këtë vit, fillon në tetor të këtij viti, por për një datë të saktë presim miratimin nga parlamenti. Censi do të zgjasë 6 javë në terren, procesin e të dhënave e organizuam nga 3 javë, në 6. Këtë herë censi nuk do të bëhet në pyetësor letër por në tableta. Kjo mënyrë e re ka sfidat e veta, por do të na sigurojë një cilësi më të madhe dhe do na përshpejtojë procesin e përpunimit, duke qenë se tabletat kanë një kosto të lartë ne kemi shtrirë procesin e anketimit në terren dhe kemi zvogëluar anketuesit. Duke qenë se është procesi më i rëndësishëm statistikor, i cili kryhet 1 herë në 10 vjet është mirë të sigurojmë një cilësi të lartë të jemi shpejt te përdoruesit, pastaj ato tableta do të përdoren dhe për anketa të tjera. Procesi është shumë kompleks do jenë në total 8 mijë që do angazhohen në këtë proces. Rreth 1 mijë e 200 kontrollorë dhe 6 mijë anketues. Përveç stafit kemi kosto të tjera, por ndërkohë kemi dhe ambientet e trajnimit për 8 mijë personat që do angazhohen në këtë proces. Pra mesatarisht kostot shkojnë tek 16 milionë euro , -tha  në ‘MCN Economy’. E pyetur se çfarë elementësh shtesë do të ketë tek ky cens, Nesturi u shpreh se pyetësori i 2022, do të jetë i njëjtë me pyetjet e atij të vitit 2011. Ndër të tjera ajo shtojë se censi rregullohet përmes një ligji specifik, ndërsa theksoi se pakicat etnike, janë pyetje me deklarim të lirë vullnetar. “Të gjitha të dhënat bëhet mbi disa rekomandime dhe kjo vlen që ne të bëjmë një krahasueshmëri me vendet e tjera, por të krahasojmë dhe censet e kryera deri tani, një pikë për t’u krahasuar me vitet e mëparshme. Kështu ne sigurohemi që pyetësori që do përdoret tani të ketë pyetjet e formularit të vitit 2011. Pyetjet thelbësore janë ato që do të jenë pjesë e të gjitha pyetësorëve të vendeve. Censi përmban pyetje sensitive, feja dhe gjuha, pyetje për personat me aftësi të kufizuar dhe gjithashtu kemi pyetjet për banesën. Censi është një aktivitet statistikor që rregullohet me një ligj specifik dhe për këto tre pyetje individët deklarohen ashtu si ndjehen pa kërkuar dokument verifikues se çfarë feje i përket. Këtë herë personi nëse nuk dëshiron të përgjigjet mund të mos e bëjë dhe nuk gjobitet. Aplikacioni është organizuar i tillë që përgjigja të mos ndryshohet dot më pas, kjo për të shmangur çdo lloj keqinterpretimi.” Pjesë e pyetësorit për censin është edhe punësimi, për të cilin Nesturi tha se pyetjet për të do të zënë pjesën më të madhe të pyetësorit dhe se përmes atyre përgjigjeve do të sigurohen të dhëna të shumta.