Qeveria e vlerëson tokën e lakmuar të Teatrit me 470 euro për metër katror

593
Sigal

Parlamenti voton projektligjin e shembjes së TK, ndërkohë që falsifikohen firmat e aktorëve

Qeveria e vlerëson tokën e lakmuar të Teatrit me 470 euro për metër katror

Projektligji kontrovers, i cili iu dorëzua Kuvendit me “procedurë të përshpejtuar” i vlerëson 8 mijë metrat katrorë tokë publike të Teatrit Kombëtar me vetëm 500 milionë lekë ose më pak se 470 euro për metër katror, në një zonë ku një apartament kushton mbi 2500 euro për metër katror.

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Qeveria shqiptare dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë “me procedurë të përshpejtuar” një projektligj kontrovers që anashkalon kuadrin ligjor ekzistues për të dhënë me koncesion jashtë procedurave konkurruese 8,465 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës. Toka është vlerësuar sipas një vendimi gjithashtu kontrovers të qeverisë “Rama” për 500 milionë lekë, ose më pak se 470 euro për metër katror, në një zonë ku një apartament i zakonshëm kushton mbi 2500 euro për metër katror, ndërsa një dyqan për 5 apo 6 mijë euro për metër katror. Projektligji i qeverisë nuk ndryshon fare nga varianti fillestar, pavarësisht se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, pas një turi takimesh, të cilat ai i quajti “konsultime”, deklaroi të mërkurën se kishte arritur një marrëveshje me artistët protestues, e cila, sipas tij, do të reflektohej në dokument. Projektligji parashikon ngritjen e një grupi negociatorësh të udhëhequr nga kryebashkiaku Veliaj, i cili do të shqyrtojë propozimin e kompanisë “Fusha” sh.p.k për të zhvilluar zonën e Teatrit Kombëtar dhe do të hartojë një projekt-kontratë me të. “Kontrata ndërmjet pronarit-shtet dhe partnerit privat duhet të përmbajë propozimin e paraqitur nga shoqëria “Fusha”, sh.p.k.,sipas këtij ligji, i cili është vlerësuar nga komisioni negociator dhe do të jetë pjesë e pandashme e kontratës,” thuhet në projektligj. Relacioni i projektligjit, i cili është dërguar nga qeveria “me procedurë të përshpejtuar” argumenton mjetin esktraligjor të përdorur, “procedurë e veçantë”, me tre precedentë ligjorë të vendosur gjithashtu nga qeveria “Rama”, dy nga të cilët janë praktikat e dështuara për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nga një kompani kineze si dhe ndërtimi i portit të Karpenit nga një kompani fantazmë. Shembulli i tretë është ndërtimi me negocim të veçantë i Aeroportit të Vlorës, i cili është në negocim e sipër. Çmimi prej 470 eurosh për metër katrorë për tokën më të shtrenjtë në Tiranë është nxjerrë nga një vendim qeverie, përmes të cilit, qeveria synoi të ulë vlerën e kompensimit për tokat e sekuestruara pa të drejtë gjatë kohës së komunizmit. Ndërsa pronarët u ankuan për këtë ulje çmimi që nuk reflekton vlerën e tregut, qeveria përdor të njëjtin çmim për të privatizuar një pronë të rëndësishme publike.

Kërkesë e pakërkuar nga Fusha

Në 8 shkurt të këtij viti, artistët e Teatrit Kombëtar protestuan ndaj një kërkese të drejtorit Hervin Çuli për të braktisur ndërtesën historike dhe për t’u zhvendosur në një ndërtesë ende të papërfunduar. Artistët refuzuan të lëvizin dhe kërkuan transparencë. Autoritetet mbajtën përkohësisht të fshehtë planin e tyre për Teatrin, ndërkohë qenë publik u shtuan zërat për atë që u quajt “domosdoshmëri e shembjes” së Teatrit. Kjo fushatë u udhëhoq nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili deklaroi mes të tjerash se godina e Teatrit “shkakton kancer” apo ishte e “rrezikuar nga zjarri”. Relacioni zbulon se “kërkesa e pakërkuar” e kompanisë Fusha sh.p.k për të zhvilluar zonën e Teatrit Kombëtar i është dorëzuar në Bashkinë Tiranë në nj datë të pacaktuar ndërsa bashkia e ka dërguar në Ministrinë e Kulturës kërkesën më 23 shkurt të këtij viti. Kërkesa e kompanisë Fusha, e njohur për fitimin e disa tenderëve nga Bashkia e Tiranës dhe nga qeveria mbahet sekret. Ajo që dihet është që me mbërritjen e kërkesës, Bashkia e Tiranës ia nisi një sërë institucionesh, përfshirë Ministrinë e Kulturës. Relacioni thotë se ndërtesat e Teatrit Kombëtar “nuk mbartin vlerë historike”, ndërsa vlera e tyre kontabël është 95 milionë lekë (rreth 760 mijë euro). Projektligji rreket gjithashtu të argumentojë se pse kërkesa e Fushës duhet të trajtohet jashtë kuadrit ligjor të ligjit “Për Partneritetin Publik Privat”, një ligj që, ndonëse lejon formën e shumëkritikuar të “kërkesave të pakërkuara”, imponon gjithsesi që kjo kërkesë të hidhet në garë publike ku mund të marrin pjesë kompanitë e tjera të interesuara. Relacioni harron të thotë se toka e teatrit kombëtar është pronë publike, e cila i nënshtrohet mbrojtjes ligjore të pronës publike.

Dje Kuvendi me 74 vota pro dhe 46 kundër vendosi për të shqyrtuar me një procedurë të përshpejtuar projektligjin, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar. Shqyrtimi i këtij projektligji do të bëhet në seancën plenare në datën 05.07.2018. Opozita e konsideroi vendimin si një grabitje prej 205 mln eurosh, duke kërkuar mos futjen në rendin e ditës. Kjo procedurë i jep mundësi qeverisë të marrë miratimin e projektligjit në parlament brenda “jo më pak se një jave” ndërkohë që procedura e zakonshme kërkon së paku tre javë. Qeveria ka të drejtë të kërkojë shqyrtim me procedurë të përshpejtuar, por kjo zakonisht kërkon një situatë emergjence, ndërsa një projekt i tillë nuk duket se justifikohet me “situatë emergjence”. Miratimi i projektligjit në qeveri u bë të mërkurën në darkë. Kryeministri Edi Rama shmangu vënien e firmës së vet, duke ia ngarkuar firmosjen e propozimit zëvendëskryeministres Senida Mesi. Para miratimit në qeveri, Ministria e Kulturës publikoi një dokument në bazë së së cilit, një numër artistësh kanë shprehur mbështetjen e tyre për planin e qeverisë. Por i pari në listë, aktori i mirënjohur Pirro Mani, rezultoi se nuk gjendej në Shqipëri por në Shtetet e Bashkuara. Pyetur nga gazeta Shekulli, bashkëshortja e tij, aktorja e mirënjohur Pavlina Mani mohoi që i shoqi të ketë firmosur një dokument për shembjen e teatrit ndërsa theksoi se Pirro Mani nuk e ka firmosur dokumentin. “Pirro Mani ka rreth dhjetë vjet që s’ka lëvizur nga Amerika, e çfarë firme mund të ketë vënë ai, në qoftë se ai është këtu në Amerikë. Lëreni të qetë se është në fund të viteve të jetës së vet, është i sëmurë,” citohet të ketë thënë ajo.

Artistët vazhdojnë protestën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar

Edhe mbrëmë, si çdo ditë, artistët vazhduan protestën e tyre kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, duke refuzuar edhe projektligjin e ri të qeverisë. Regjisori Robert Budina edhe pas këtij votimi në parlament, doli së bashku me artistë të tjerë kundër këtij projektligji, duke u bërë thirrje politikanëve ta ndalin këtë masakër. Aktori Genc Zenelaj dje në mbrëmje, në protestë, i është drejtuar Kiço Londos, i cili qëndronte në një nga dritaret e Teatrit Eksperimental duke i kërkuar të mos qante, sepse do bëhet një teatër më i bukur. “Po u them atyre që do të vijë dita që ta bëni gjumin e qetë, më kanë akuzuar mua se jam partiak se votojmë atë parti që duam. Ju keni partinë e lekut, zoti i juaj është leku, bëni be për lekun. Më lejoni t’u quaj qytetar të lirë të këtij vendi, unë sot përulem para jush. Faleminderit që zgjodhët që të jeni të lirë. Kiço mos qaj, ne do ta bëjmë teatrin në rrugë, do bëjmë një teatër më të bukur. Kiço mos qaj!”- u shpreh Zenelaj.