Qeveria e re ndryshon pa lindur, krijohet Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme

399
Pas kritikave nga BE, zbulohet emërtimi i ri i zgjedhur nga kryeministri për dikasterin e diplomacisë e integrimit
Shkrirja e Ministrisë së Integrimit në strukturën e qeverisë së ardhshme nuk ka kaluar pa habinë dhe kritikat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët edhe publikisht kanë deklaruar se janë të paqartë për mënyrën e re të organizimit. Nga ana e tij, kryeministri Rama ka bërë të ditur se procesi i integrimit tashmë do të ndiqet nga Ministria e Jashtme, ku do të ketë edhe një strukturë të veçantë. Megjithatë, duke tentuar t’u japë fund hamendjeve për këtë proces, shefi i qeverisë ka vendosur ta zyrtarizojë që në emrin e dikasterit të ri edhe integrimin. Në këtë mënyrë, dikasteri që do të drejtohet nga Ditmir Bushati në mandatin e dytë qeverisës të socialistëve do të emërtohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Gjatë shpalljes së listës së ministrave dy javë më parë, vetë Rama deklaroi se emri i ministrisë do të mbetej i pandryshuar, ndërsa më pas ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, shprehur publikisht paqartësinë për çfarë po ndodhte me integrimin. Do të ishte ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili do të sqaronte se do të kishte një strukturë të veçantë për integrimin, ndërsa tashmë vendimi duket të jetë konsoliduar dhe zyrtarisht do të kemi në mandatin e ardhshëm qeverisës, Ministrinë për Evropën dhe Politikën e Jashtme. Sidoqoftë, vendimi për ndryshimin e emrit nuk pritet të ketë efekte në strukturën e dikasterit, përveç atyre të parashikuara tashmë në mbledhjet përgatitore të qeverisë, të zhvilluara në Llogara dhe Velipojë. 

Çollaku: Bastardohet Ministria e Jashtme
Drejtuesi i Departamentit të Politikës së Jashtme në Partinë Demokratike, Kreshnik Çollaku, deklaroi se për herë të parë, që nga themelimi i shtetit shqiptar, bastardohet Ministria e Jashtme. Në një reagim për emrin e ri të dikasterit që do të mbulojë integrimin dhe diplomacinë, Çollaku tha se “integrimi europian është prioritet strategjik i politikës sonë të Jashtme, por politika e jashtme e një vendi normal është më e gjerë se një marrëdhënie strategjike”. “Emërtimi naiv dhe provokator zbeh rolin dhe profilin në politikë të jashtme të Shqipërisë, duke e ngushtuar aktivitetin dhe sferën e saj. Nëse sfera e politikës së jashtme ngushtohet në një prioritet, çfarë ndodh me partnerin strategjik SHBA? Ç’ndodh me prioritetin kombëtar të njohjes së shtetit të Kosovës, për të cilin duhen kontakte e marrëdhënie me çdo vend të globit? Ç’ndodh me interesat ekonomike të vendit, që logjikisht shtrihen përtej një kontinenti apo organizate? Ç’ndodh me diasporën e shtrirë në tërë globin?”, shprehet Çollaku, ish-zv/ministër i Jashtëm. Sipas tij, “ky naivitet është unik, jo vetëm nga çdo vend tjetër i rajonit, por edhe nga shtete karagjozë që drejtohen nga leshtakë karagjozë, në çdo cep të rruzullit. “Nuk e di sa orë kohë ka e shpresë po ashtu që kryeministri të korrigjojë këtë gafë, por jam i sigurt, që nëse gafa funksionon, ditë të zeza turpi e vështirësie e presin politikën tonë të Jashtme”, u shpreh zyrtari demokrat.
Sigal