Qeveria e lufton korrupsionin vetem me konferenca

438
Sigal

PS-ja, edhe pse në opozitë denonconte çdo ditë zyrtarët e lartë për korrupsion, çon në prokurori vetëm nëpunës

Me fjalë shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët janë tejngopur  nga zotimet plot solemnitet të qeveritarëve, se (këtej e tutje) do të luftojnë korrupsionin. Dhe që të bindin, se këtë herë (siç çdo herë në këto 24 vjet) e kanë seriozisht, ata publikojnë shifra dhe tundin në erë tufë dosjesh, të mbushura me shkresa, kopjet e të cilave, po këta qeveritarë (siç çdo herë në këto 24 vjet), i kanë çuar për kallëzim penal në prokurori.

Çuçi shpall 2015-n vit antikorrupsion

Shqiptarët ishin mësuar në 45 vjetët e epokës komunisto-socialiste me aksione, që ishin të inkuadruara në ditët e Enverit, në muajt e Enverit.  Mirëpo ato aksione, shqiptarët kujtuan se i gremisën bashkë me bustin e Enverit. Por, meqë qeveria e re e Majtë, ka edhe një ministër  shteti që e ka të cilësuar kundër korrupsionit, dhe që në 18 muajt e qeverisjes ky ministër ka mbledhur vetëm statistikat e kallëzimeve ndaj të korruptuarve, tani, që është shtrënguar laku në grykë nga korrupsioni, ministri Çuçi, deklaron plot solemnitet, që 2015-ta so të jetë viti antikorrupsion. Ministri i antikorrupsionit,  Çuçi: “Statistikat e zyrës së koordinatorit kombëtar kundër korrupsionit vetëm për institucionet e ekzekutivit tregojnë  për një numër mjaft të madh zyrtarësh të referuar në organet e hetimit që kanë kryer vepra korruptive. 535 të tillë, ndër të cilët një numër i madhe zyrtarësh të lartë. Qeveria shqiptare paralajmëron se 2015 do të jetë  viti kundër korrupsionit. Ministri  Bledi Çuci tha se modeli kroat apo ai rumun do ta udhëheqin këtë sfidë, ndërsa zbuloi se 535 zyrtarë janë referuar për hetime për korrupsion.

Modelet europiane burgosin zyrtarët e korrupsuar, ndërsa në Shqipëri asnjë i dënuar

Ministri i  shtetit i antikorrupsionit nuk jep asnjë nga shkaqet përse në këto 1,7 vjetët e qeverisjes së Majtë nuk është dënuar asnjë zyrtar i lartë. Madje, si për ironi, po këto ditë prokuroria e Tiranës mbylli dosjet e kallëzimit penal ndaj Ridvan Bodes dhe Arben Imamit. Këtu ka çështje që ministri i shtetit antikorrupsionit duhet të japë shpjegime. Përse u mbyllën dosjet nga prokuroria të kallëzimeve për korrupsion ndaj ish-ministrave? Nuk qëndrojë kallëzimet? Domethënë, denoncimet janë bërë politike dhe nuk kanë prova të mjaftueshme? Në të kundërt, nëse denoncimet dhe kallëzimet penale që kanë bërë ndaj zyrtarëve më të lartë për korrupsion janë të faktuara dhe prokuroria nuk do që t’i hetojë, atëherë detyra e qeverisë nuk ka mbaruar tek depozitimi i kallëzimit penal, por duhet të vazhdojë edhe ndaj atyre prokurorëve që bëhen pale me korrupsionin. Sepse, ministri dhe qeveria para se të flasin për modele të shteteve kundër korrupsionit, duhet të mësojnë si janë ndërtuar këto modele të luftës kundër korrupsionit. Jo me deklarata dhe kallëzime politike, por me veprim të ligjit ndaj kujtdo, pavarësisht nga pozita që ka dhe që ka kapur.

Modeli kroat dhe rumun i luftës kundër korrupsionit

Me 10 vjet burg është dënuar kryeministri kroat, Ivo Sanader, nën akuzat për korrupsion nga një gjykatë kroate. Gjykatësit e një gjykate në Zagreb e shpallën fajtor zotin Sanader për pranim të ryshfetit me vlerën e mbi 6 milionë dollarëve nga një kompani hungareze e naftës në këmbim të së drejtës për të kontrolluar kompaninë shtetërore kroate të naftës. Gjykata gjithashtu e dënoi zotin Sanader për marrjen e tarifave me vlerën e 700 mijë dollarëve nga një bankë austriake, gjatë kohës kur ai ishte Ministër i Mbrojtjes. Gjykata Supreme e Rumanisë ka dënuar ish-kryeministrin Adrian Nastase me katër vjet burgim për marrje ryshfeti. Atij i janë dhënë edhe tre vjet për shantazh, që do t’i kryejë njëkohësisht. Gjykata ka konstatuar se dy zyrtarë rumunë kanë ndihmuar Nastasen që të marrë mallra kineze për pronat private më 2001-2004.

Jakup B. GJOÇA