Qeveria deri tani nuk ka dhënë asnjë dëmshpërblim për përmbytjet në Fier

509
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ministri i Bujqësisë shpenzon 100 milionë lekë për propagandë, bashkia shpërblen militantët

Para disa ditësh, Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi publikoi një tender të ministrisë ku kërkon të kompani të organizojë një panair për të reklamuar produktet bujqësore dhe të njohë fermerët me politikat e reja të qeverisë për Bujqësinë. Ky tender, sipas ministrit Peleshi do të kushtojë 100 milionë lekë. Pra, nga fondi i buxhetit të shtetit, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi do të shpenzojë me dorë hovardare 100 milionë lekë për …propagandë, ndërkohë që ai, si ministër dhe qeveria ende, nuk kanë dhënë asnjë qindarkë lekë fshatarëve dhe fermerëve për dëmet që pësuan në përmbytjet e dimrit të 2018-s. Ministri I bujqësisë, nëse i kanë tepruar këto 100 milionë lekë, shumë mirë mund t’i përdorë për të marrë masa anti-erozion, ose për të ndërtuar argjinatura, për të kulluar kanalet dhe kolektorët, sepse dimri po troket dhe sërish fshatarët dhe fermerët janë nën kërcënimin e përmbytjeve.

Në Hoxharë, fshatarët nuk kanë marrë asnjë qindarkë dëmshpërblim nga përmbytjet

69 milionë lekë janë vlerësuar dëmshpërblimet në Hoxharë të Fierit, por ministri i Bujqësisë hesht, ose nuk do që t’ua japë fshatarëve dhe fermerëve, pasi, ka më prioritet panairet e propagandës, derisa ka shpallur tenderin e 100 milionë lekëveNë Hoxharë të Fierit gjurmët e përmbytjeve nuk janë larguar ende edhe pse kanë kaluar 9 muaj. Rreth 5 mijë hektarë tokë bujqësore dhe qindra hektarë sera u dëmtuan gjatë dimrit që shkoi. Uji i Vjosës nuk kurseu as shtëpitë dhe orenditë që ndodheshin brenda tyre. Banorët e prekur thonë se nuk kanë marrë ende asnjë dëmshpërblim dhe tokat e përmbytura këtë vit nuk u kanë ofruar prodhimin e dikurshëm. Rezulton se praktika e plotësimit të dosjeve të familjeve të dëmtuara ka përfunduar dhe informacioni i plotë është përcjellë në Tiranë. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka kryer gjithë verifikimet e nevojshme, por që dëmshpërblimet të kalojnë në duart e 381 familjeve të dëmtuara; së pari, duhet alokimi i fondit nga qeveria. Po ashtu rezulton se në total dëmshpërblimi kap vlerën e 69 milionë lekëve. Por përmbytjet duket se kanë ndikuar negativisht edhe tek eksportet. Sipas statistikave të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Fier, gjatë 8 muajve të këtij viti  janë eksportuar 78 mijë ton fruta-perime në tregun e huaj. Shifrat kjo 105 më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.