Qëndresa e Teatrit Kombëtar është një qëndresë për demokracinë

525
Sigal

Avni Delvina, Artist

Këta që pretenduan ta reformonin, e deformuan edhe mw keq seç ishte drejtësinë. Kjo reformë ishte deformim, nuk ishte reformim, mënyra sesi e administruan, mënyra edhe e ngutshme, e dhunshme, klienteliste, hakmarrëse, iu vranë shqiptarëve edhe një tjetër shpresë të madhe

Jakup B. GJOÇA

 Mundet një vepër arti të flasë më shumë se sa fjalimet tëra, më shumë sesa edhe protestat të përditshme, sepse arti ka ato udhë komunikimi shpirtëror me njerëzit. Kështu ndodh me grafikat e artistit Avni Delvin, i cili me një grafikë, e ka pasqyruar Parlamentin shqiptar të 2019-s, një landfill plehrash (politike), ndërkohë, Ramush Haradinaj, të veshur me flamurin Kombëtar dhe, siç thotë Avni Delvina edhe në intervistën për gazetën “Telegraf”, Ramush Haradinaj është një Atdhetar i Madh. Haradinaj, është personazh që në kurriz të trojeve shqiptare; abuzime, pazare nuk do t’i bëjë kurrë. Familja e tij është nga ato familje që e kanë paguar me jetë, me gjakun bijve të tyre lirinë e Kosovës.

Avni Delvina, artisti që jeton larg Shqipërisë, por që është i pranishëm mes shqiptarëve me veprat e tij artistike, të cilat mbartin dhe pasqyrojnë të përditshmen, me stilin e vet të satirës ndaj të Keqes së Shqipërisë, të shqiptarëve, në pjesën e dytë të intervistës, thekson me të madhe, se “Qëndresa e Teatrit Kombëtar është një qëndresë për demokracinë”, prandaj artisti u është mirënjohës të gjithë artistëve dhe qytetarëve që e mbrojnë Teatrin. Avni Delvina e pohon se protestat e dhanë efektin, u mor vesh në botë që në Shqipëri ka probleme. Duke iu referuar reformës në drejtësi, Avni Delvina thotë se reforma u deformua dhe u vra shpresa e madhe e shqiptarëve.

Më ngacmuat, kur thatë: “jo kështu, ëmbël”. A mund të rrëzohet një qeveri kaq e korruptuar dhe e inkriminuar, sikurse theksoi Raporti i DASH 2018, për qeverinë e Rilindjes, vetëm me protesta paqësore, sikurse e imponojnë ambasadat e huaja në Tiranë?

Protestat e Opozitës së Bashkuar efektin e tyre e bënë. Me gjithë këtë mbështetje ndërkombëtare që ka pasur kjo qeveri shqiptare, sa asnjë tjetër qeveri në këto 30 vite, protestat thyen një mur heshtjeje që ekzistonte jashtë. U mor vesh që në Shqipëri ka probleme, u morën vesh që Shqipëria është një vend problematik, përveç raporteve që shkruajnë ndërkombëtarët. Sigurisht nuk janë vetëm protestat, por në një formë demokratike protestat duhen shtuar në maksimum, akoma me më shumë pjesëmarrje, shpeshherë të flasin nëpër protesta sa më shumë njerëz, intelektualë, të dëgjohen mendime të ndryshme, sepse impulse nuk vjen thjesht nga 1 ose 2 parti. Impulsi vjen nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

Përse në Shqipëri intelektualët, personalitetet, akademikët nuk janë udhërrëfyesit e shoqërisë, nuk kanë zë, nuk kanë iniciativë për problemet madhore?

Nuk e di dhe nuk arrij ta kuptoj, kjo është një mister i madh. Ka një lloj skllavërie dhe flas për të gjithë, duke filluar edhe për gjigantin e Letrave Ismail Kadare. Të heshtësh përballë një krize të tillë shpirtërore dhe morale se materiale nuk diskutohet, përballë një drame të tillë, që ne po kalojmë, që Shqipëria në shumë drejtime po shpërbëhet dhe po humbet imazh në sytë e botës, do të thotë që i ka vdekur nervi intelektualëve shqiptarë, ose nuk janë të bindur për atë që janë dhe për misionin që u takon atyre të bëjnë në emër të tyre dhe në emër të shoqërisë për të mirën e Kombit Shqiptar.

Keni besim se Shqipëria mund të bëhet?

Nga vetë natyra unë jam optimist. Kemi edhe ne momentet e dëshpërimit dhe të trishtimit, por derisa Zoti e ruajti deri më sot Shqipërinë, dhe shikoj që ka një tendencë pozitive. Një shembull i bukur demokracie dhe atdhedashurie është edhe dorëheqja e zotit Ramush Haradinaj, ishte një shembull i madh demokracie. Impulset pozitive të pakta janë, por nuk mund të themi që s’ka shpresë. Mundohem ta kërkoj shpresën çdo ditë, qoftë dhe në krijimtarinë time. Sigurisht, që kemi arritur fundin si shoqëri dhe ky është realiteti. Mbase është cikël, meqë kemi arritur fundi, fillon një progres. E vështirë të bëj parashikime në këtë situatë që ndodhet sot Shqipëria.

– Zoti Delvina, ju si artist mund të na thoni më mirë se kushdo, qëndresa, rezistenca e komunitetit të artistëve për një vit e gjysmë, është thjesht për godinën e Teatrit Kombëtar?

Ajo nisi si iniciativë për mbrojtjen e Teatrit, pastaj ajo mori një simbolikë. Qëndresa e Teatrit Kombëtar është një qëndresë për demokracinë. Do të ishte shumë e trishtë që të bjerë Ajo Kështjellë kaq dinjitoze në mes të Tiranës. Unë besoj se Teatri nuk do të prishet dhe do të jetë një shembull që ne të ruajmë veprat tona kulturore, historike, arkitektonike, të dimë të respektojmë të kaluarën, sepse pa të kaluar nuk ka të ardhme. E kam ndjekur hap pas hapi protestën e Teatrit dhe e kam shoqëruar me një sërë grafikash edhe për të inkurajuar e falënderuar ata qytetarë që po sakrifikojnë prej më shumë se një viti e gjysmë në një protestë të përditshme.

– Në Shqipëri kryetari i Opozitës (jo kaq tek emri konkret, por tek institucioni kushtetues) merret i pandehur nga prokuroria për një denoncim politik që bëri në parlament, ndërkohë që kjo prokurori ende nuk ka asnjë të pandehur nga ministrat e deputetët që u dëgjuan në publikimet e audiopërgjimeve të “Bild”, të blejnë votat me krimin e organizuar. Cila është ndjesia juaj?

Ne jemi në një shpërbërje totale të sistemit të drejtësisë. Këta që pretenduan ta reformonin, e deformuan edhe me keq seç ishte drejtësinë. Kjo reformë ishte deformim, nuk ishte reformim, mënyra sesi e administruan, mënyra sesi edhe e ngutshme, e dhunshme, klienteliste, hakmarrëse, iu vranë shqiptarëve edhe një tjetër shpresë të madhe. Thjesht këto e të tjera që ju përmendët, janë pasoja që rrjedhin për shkak të atij dëmi që u bë dhe që thellohet nga dita në ditë.

– A shikoni një konspiracion ndërkombëtar të politikës, tek “ftesa” që i bëri Gjykata e Hagës, Ramush Haradinaj, si një hakmarrje për qëndrimet politike që ai mbajti ndaj Serbisë, që nuk i pëlqeu Evropës?

Është diçka që nuk e them vetëm unë, por mënyra sesi u zhvilluan ngjarjet, qëndrimet e kryeministrit Haradinaj prej atdhetari, një shqiptar i Madh, dhe vetë historia sesi po ndërtohet rreth tij, as që nuk diskutohet që akuza dhe “ftesa” në Hagë është diçka e montuar, sepse është hera e tretë që Haradinaj “ftohet” në Hagë. Unë i emocionuar nga gjesti i këtij Atdhetari të Madh, u frymëzova dhe veshjen e Ramush Haradinaj i bëra një grafik në Flamurin Kombëtar. Lexohet qartë që Ramush Haradinaj është një pengesë për realizimin e planeve grabitqare të qarqeve antishqiptare si jashtë dhe brenda vendit. Por unë kam besim absolut se çdo përpjekje e tyre do të dështojë fale shqiptarëve atdhetarë, si dhe mbështetjes të aleatit tonë jetik , Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Themi shpesh që politika shqiptare është ende foshnjë në formimin e saj demokratik, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë..

E vërtetë është..

Por akti i dorëheqjes së Ramush Haradinaj, nga posti I kryeministrit, çfarë më shumë se një dorëheqje, simbolizon?

Nuk e di që në historinë e Shqipërisë, kemi ndonjë rast tjetër të tillë, por është një veprim i madh prej Atdhetari, është një shembull demokracie, dhe është një njeri që armiqve kufirin ua vë tek thana, pavarësisht se cilët janë ata. Haradinaj, abuzime, pazare, në kurriz të trojeve është personazh që nuk do t’i bëjë kurrë. Ato janë familje që e kanë paguar me jetë, me gjakun e tyre lirinë e Kosovës. Prandaj Ramush Haradinaj është një pengesë për të gjithë ata që kanë qëllime grabitqare ndaj Shqipërisë.

Si do ta përkufizonit parlamentin shqiptar të 2019-s?

Çfarë parlamenti është ai? Nuk dua të abuzoj as me krijimtarinë time, kam bërë disa grafika për parlamentin, ku unë e kam paraqitur si një landfill plehrash. Ka mbaruar funksionin e tij. Ai nuk është më parlament, dhe historia e tij.

Po 30 qershori i 2019-s?

30 qershori i 2019-s është një farsë elektorale, një tragjikomedi shqiptare. Shpresojmë që të jetë turpi i fundit i administrimit kaq negative të këtyre viteve.

Opozitën e re parlamentare?

Personalisht kam një keqardhje për atë lloj opozite. Kaq!

Akademinë e Shkencave të Shqipërisë?

Akademia e Shkencave, përsëri përfundoi si çdo gjë që shpërbëhet degradohet në këto vite, derisa përfundoi në duart e Skënder Gjinushit. Unë i ndjek nga larg ngjarjet, sigurisht nuk thellohem shumë, unë i marr gjërat në mënyrë emocionale dhe të gjitha këto ngjarje, që përmendëm bashkë, unë i kam të shoqëruara, sepse kam qenë i frymëzuar nga ana artistike, pothuajse të gjitha unë i kam përshkruar në grafikët e mia.

Shqiptarët, kërkojnë në masën 80 % të largohen nga Shqipëria, sepse e kanë të pamundur mbijetesën, ndërkohë që politika thotë se ata largohen sepse duan një jetë më të mirë, është në të drejtën e tyre lëvizja e lirë….

Jo, jo…Shqiptarët tani, në 2019 nuk ikin nga Shqipëria me atë motiv që ikën në 1990-n. Pse nuk ndodhte kjo para 2013-s? Të jemi realist. Para 2013-s largimi i shqiptarëve ndodhte me shifra të papërfillshme. Edhe nëse u futa në ambasadë në korrik 1990, u futa për liri, sepse e tërë historia e asaj periudha e kishte kaluar në asfiksi. Nuk kishte rëndësi ana financiare. Tani në Shqipëri, edhe në 2019 ka asfiksi, nuk shikon njerëz normal, të qeshur. Të gjithë, në njëfarë mënyre, kanë një lloj trishtimi. Pse shqiptarët nuk iknin para 2013-? Nuk dua t’i jap merita qeverisë së atëhershme. Faktikisht, kjo që të them është reale. Pas 2013, rreth 500.000 shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria.

E keni parasysh përgjigjen që kryeministri Rama i tha gazetarit të televizionit francez, kur e pyeti pse largohen shqiptarët dhe kryeministri shqiptar u përgjigj, se nuk ndjen aspak keqardhje, sepse shqiptarët ikin nga e mira nëpër Evropë…!?

Jo, është e dhimbshme të lësh vendin tënd, gjithmonë, në çdo moment, Në çdo moment, nuk ka asnjë njeri që të largohet me dëshirë nga vendi i vet. Sigurisht, njeriu në zgjedhjet që bën në jetë, ka disa të drejta, por në rastet kur largohet nga vendlindja ka një doze dhimbje të madhe, e aq më tepër, shumë persona, të cilët rezistuan dhe nuk u larguan në këto 25 vite të demokracinë. Jam takuar me personalitete që nuk dua t’jua përmend emrin, për arsye të pozicionit të rëndësishëm që kanë pasur në shtet, tani u është mbushur mendja të largohen nga Shqipëria. Tani gjen 65-70- vjeçarë, që janë pjesë e historisë së Shqipërisë, që duan të largohen përgjithmonë nga Shqipëria. Këtu nuk është më problem ana financiare, sepse këta kanë para edhe në Shqipëri, kanë qenë dikush, por është asfiksia, është stresi. Edhe mediat, këto media, vazhdimisht të trukuara, të lodhshme, me të njëjtin formacione, që japin të njëjtat doza të përditshme çdo natë, të krijojnë një traumë psikik, janë një traumë psikik, po e njëjta histori, pot ë njëjtët opinionistë. Domethënë gati – gati të gjithë janë si ato ekipet kombëtare, bashkë me rezervat, 22 vetë maksimumi, që qarkullojnë dhe administrojnë të gjitha mediat. Të vetmen media të pavarur, sipas meje, është Fax News, se ato gjëra që dëgjoj aty, të paktën kanë një bazë, që njeriu mund të relativizojë dhe nëpërmjet lirisë së fjalës të bëj krahasimin dhe të gjej me pozitiven, mund të gjej të vërtetën, ose opinionin.

Besoj, se e dini që qeveria po përgatit një ligj antishpifje?

Tjetër avaz ky, tjetër avaz… Agjitacion dhe propagandë.

Sipas mendimit tuaj, çfarë e detyron qeverinë të përgatit një ligj antishpifje, në shekullin e internetit, ku jetojmë?

Nuk e di, nuk e di, ata nuk e dinë se në cilin planet jetojnë. Janë ta pa orientuar, sepse janë përfshirë nga babëzia, e cila është qorre, dhe se kanë idenë dhe s’ju intereson se çfarë halle ka populli. Kjo tregon edhe distancën e madhe që ata kanë nga populli dhe pyesin, ndoshta vetveten: Si ka mundësi që populli nuk është i lumtur? Si ka mundësi që këta flasin? Nuk durojnë dot që asnjë të flas kundër tyre. Ndaj duan edhe forcën e ligjit ta përdorin për të vrarë fjalën e lire. Sidoqoftë, Shqipëria nuk do të ngelet jetime. Ajo ka shumë vajza e djem që duan dhe përpiqen për më të mirën me shumë sakrifica. Për sa i përket artit tim, unë do të vazhdoj të krijoj në pjesën më të madhe në funksion të shoqërisë shqiptare, dhe me tema e problematika nga vendi ynë, duke u bazuar në një shprehje të Pablo Picassos: “Kuadrot nuk janë bërë për të zbukuruar muret e apartamenteve. Ato janë një mjet sulmues ose mbrojtës kundër së keqes!”

-Ju falënderoj!