Publicisti Kim Mehmeti: Në Shqipërinë e Piktorit shteti është në shërbim të qeverisë. Atdheut i konfiskohet gjëja më e çmuar, rinia

249
Sigal

 

Publicisti dhe shkrimtari Kim Mehmeti, komentoi vendimin e turpshëm për Veton Surroin. Kim Mehmeti:  “Ky është turp për Kukësin. Nuk e dëmton kolegun tim, Veton Surroi pasi çdo qytet do ndjehej i nderuar po ta kishte qytetar nderi. Nuk e di pse Tirana nuk turpërohet kur ia dha çëlësin një antishqiptari si Bregoviçi. Është  nder për  Kukësin që Veton Surroi të jetë qytetar nderi i tyre.”  Kim Mehmeti komentoi edhe vendimin për sekuestrimin e pasurive shqiptare në botë, pasi qeveria e Edi Ramës po refuzon të paguajë gjobën e arbitrazhit për biznesmenin italian, Françesko Beketi. Kim Mehmeti:  “Kjo tregon se Shqipëria është bërë shtet ku qeveria nuk është në shërbim të shtetit, por i tërë shteti është në shërbim të qeverisë, apo të një grupi që e sundon atë vend. Shteti duhet të jetë i gatshëm që të paguajë edhe çmenduritë e qeveritarëve, por këta nuk duhet të kenë asnjë obligim që të jenë të përgjegjshëm. Shqiptarët po ia lënë fatin e tyre në duar politikanëve të papërgjegjshëm. Vendi i ngjan një kopshti, të cilin Piktori dhe miqtë e tij e cilësojnë si të tyren. Shqipërisë po i konfiskohet gjëja më e çmuar, po i konfiskohet rinia, duke e bërë shtetin e dytë në botë për azilkërkues, si Siria. Kjo e bën Shqipërinë të krahasueshme me shtete që janë në luftë. Në Shqipëri nuk kanë asnjë vlerë institucionet shtetërore. Si mund të flasim për një shtet ku nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese. Është e turpshme që të ngrihet komision që do merret me akuzat çmendurake që dikush ia bën UÇK-së. Në Shqipëri është e pritshme që parlamenti të mos ngrejë komisione për të zbardhur krimet e kriminelëve serbë mbi shqiptarët, për të zbardhur të kaluarën e errët të miqve të Piktorit. Shenjtëria e quajtur UÇK nuk ka nevojë për kujdesin e parlamentit të Shqipërisë. Ky është parlament qesharak. Ky nuk mund të quhet as parlament. Ky parlament nuk guxon të merret me krimet e Millosheviçit, sepse do të zbulojë se miqtë e Piktorit, janë hartues të djeshëm të projekteve për shfarosjen e shqiptarëve. Një parlament që nuk shtron pyetjen e logjikshme: si është e mundur që Tirana zyrtare është kaq bashkëpunuese me Beogradin dhe kaq e hidhëruar me Prishtinën? Si mundet që kryeministri i Shqipërisë hedh në gjyq kryeministrin e Kosovës, në vend që të hedhë në gjyq kryeministrin e Serbisë, që ka dalë nga kapota e Millosheviçit.”