Pse e shiti Edi Rama Koço Kokëdhimën?

546
Marrëdhëniet politike mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-deputetit socialist Koço Kokëdhima duket se kanë pësuar një krisje, e cila u evidentua edhe 3 ditë më parë, kur përmes një letre, ish-ligjvënësi i PS-së u shfaq kundër frymës së Kreut të Qeverisë për të miratuar reformën në drejtësi pa konsensusin e opozitës. Koço Kokëdhima në letrën e tij e konsideron të domosdoshëm miratimin e kësaj reforme me konsensusin e opozitës, duke paralajmëruar dështimin e procesit nëse do të tentohet të miratohet në mënyrë të njëanshme. Por pse ka një krisje në raportet Rama-Kokëdhima dhe ku e ka zanafillën ajo, deri në deklarimin publik të ish-deputetit në lidhje me Reformën në Drejtësi? Ish-deputeti socialist humbi mandatin e ligjvënësit pak javë më parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në të njëjtën kohë Kushtetuesja kishte në shqyrtim edhe mandatet për kolegët e tij socialistë Rakip Suli dhe Valentina Leskaj.

 Procesin për heqjen e mandateve të deputetëve, opozita e kërkoi me pretendimin se ato kishin përfituar fonde publike, pas marrjes së mandatit, çka përbën një shkelje kushtetuese. Por ndërsa në rastin e Leskajt dhe Sulit, pati një mbrojtje deri në fund nga Kryeministri Rama dhe deputetë të PS-së, për Kokëdhimën një gjë e tillë nuk u evidentua çka në dallim nga kolegët e tij socialistë, deputeti i Qarkut të Vlorës humbi të drejtën për të qenë deputet, ndërsa Leskaj dhe Suli vijojnë të jenë pjesë e Kuvendit. Kokëdhima duket se u tradhtua nga kolegët e tij, pasi edhe vetë procedura që u ndoq për të çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, nuk i dha mundësinë për të dhënë argumentet e tij. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese u pasua nga një vendim i marrë në një nga mbledhjet e Kryesisë së PS-së, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ku ish-deputeti Kokëdhima u dublua për zgjedhjet në Qarqet Vlorë-Gjirokastër nga dy ministra, Mimi Kodheli dhe Bled Çuçi. Paralelisht me këtë vendim, Kreu i Qeverisë, në mesin e muajit Maj, u kujdes që në një aktivitet të organizuar nën kujdesin e tij, ku u shpërndanë dëmshpërblimet për të përmbyturit, roli i ish-deputetit Kokëdhima të mos ishte aspak protagonist, ose më saktë të ishte periferik. Në të njëjtën kohë, ndaj ish-deputetit nuk munguan as sulmet nga ministra socialistë, përfshi këtu edhe ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili iu kundërvu një propozimi të bërë nga Kokëdhima për legalizimin e kanabisit industrial. Këto momente pa përmendur këtu debatet në lidhje me zgjedhjet në Partinë Socialiste, tregojnë se raportet politike mes Ramës dhe Kokëdhimës janë të krisura, ose në rastin më të mirë janë të “ngrira”. 

Përplasjet në prag të Kongresit

Nëse do t’i referohemi zhvillimeve në Partinë Socialiste në periudhën mars-prill, kur forca më e madhe e koalicionit qeveritar u përfshi në një proces të brendshëm zgjedhor, evidentohet se përplasja mes Kokëdhimës dhe Ramës ka ekzistuar që në atë periudhë. Dukej qartazi që Kryeministri, njëherësh edhe Kryetar i PS-së, mbështeti hapur rikandidimin e Gramoz Ruçit në krye të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, edhe pse për të njëjtin pozicion aspironte edhe Koço Kokëdhima. Madje ish-deputeti i PS-së, në atë periudhë iu desh të përballonte sulmet e nisura nga opozita nga njëra anë, por edhe përplasjet që iu krijuan brenda radhëve të partisë së tij, për shkak të zgjedhjeve. Koço Kokëdhima u votua si kandidatët e tjerë dhe madje u zgjodh me votë në Asamblenë Kombëtare nga Qarqet e Jugut ku ai është i deleguar, ndërsa fakti që ishte deputet i jepte të drejtën që të hynte automatikisht në forumin më të lartë politik të kësaj partie. Duket se rruga e zgjedhur nga Kokëdhima për të hyrë në Asamble, duke u votuar nga baza e PS-së, në njërën anë zbuloi atë çka ndodhi më pas, humbjen e mandatit të deputetit, por në anën tjetër ishte një sinjal i qartë, për mbështetjen që gëzonte ai në bazën e kësaj partie. Mënyra sesi Kokëdhima po organizonte strukturat e PS-së në këto dy qarqe (Vlorë-Gjirokastër), solli përplasjen e parë të tij direkte me Gramoz Ruçin, pikërisht në Kongresin e PS-së. Pa përmendur emra, Ruçi sulmoi pikërisht mënyrën sesi Kokëdhima po organizonte degët e PS-së, duke kundërshtuar në këtë mënyrë që quhej si projektin pilot për të shtrirë organizimin në çdo strukturë tjetër. “Unë jam për rregulla të forta dhe domosdoshmërinë e zbatimit të tyre, jam për unifikim dhe zbatim të unifikuar të rregullave të partisë në të gjithë territorin dhe jo për të ashtuquajturat projekte pilote në emër të të ashtuquajturave reformë në parti për të krijuar një çorganizim të organizuar që dëmton frymën, dëmton organizimin dhe veprimin politik. Jam për veprim politik të çdo anëtari të Partisë Socialiste”, u shpreh Ruçi në Kongresin e 19 Marsit. Fjala e Ruçit morri mbështetjen e Kreut të PS-së, Edi Rama, i cili vlerësoi rolin dhe kontributin e një prej figurave të vjetra të kësaj partie, i cili mund të jetë objekt i ligjit të dekriminalizimit, për faktin se ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm në 1991. Debati Ruçi-Kokëdhima vijoi më tej me përballjet në Grupin Parlamentar, ku deputeti i Vlorës është shprehur se reforma për organizimin e strukturave të PS-së në Vlorë dhe Gjirokastër është mirëpritur jo vetëm nga anëtarët e PS-së, por edhe nga qytetarët në tërësi. 

A pati një pakt PD-PS, në rastin Kokëdhima

Mënyra sesi Partia Demokratike u investua për t’i hequr mandatin e deputetit, Koço Kokëdhimës dhe qëndrimi pasiv i Partisë Socialiste, më konkretisht Kryeministrit, krijojnë dyshimet për ekzistencën e një pakti mes dy forcave politike kryesore në vend. Për disa muaj me radhë të gjitha bateritë politike të opozitës u përqendruan në mandatin e ish-deputetit Kokëdhima, në një kohë kur hera herës përmendeshin edhe emra të ligjvënësve të tjerë, të cilët sipas demokratëve, kishin përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, apo kishin fituar tendera, megjithëse kishin mandatin e ligjvënësit. Por vëmendja e PD në atë kohë ishte në drejtim të Kokëdhimës, i cili në betejën përballë opozitës, duket se u la i vetëm, po të kihet parasysh, mbrojtja që iu bë kolegëve të tjerë socialistë të akuzuar me të njëjtat argument, Sadri Abazi, Valentina Leskaj, Rakip Suli etj. Ndër 4 kërkesa që PD kishte në drejtim të Kushtetueses, vetëm njërën prej tyre, arriti të konkretizonte, çka më tepër sesa argumentet pro dhe kundër, dukej se fati politik në rastin e ish-deputetit Kokëdhima, ishte paracaktuar. 

A po përgatitet Majko të zëvendësojë Ruçin

Si Gramoz Ruçi, ashtu edhe Pandeli Majko i përkasin brezit të vjetër të socialistëve, jo nga mosha, por nga kontributet që kanë dhënë në këtë parti që nga themelimi i saj. Pavarësisht përplasjeve, ulje-ngritjeve në politikë, apo pozicionimit të tyre, historia flet qartë, që si Majko ashtu edhe Ruçi, dikur mbështetës të liderit historik të PS-së Fatos Nano, u pozicionuan shumë shpejt në krah të Kreut të PS-së, Edi Rama, i cili morri drejtimin e kësaj partie në 2005-ën pas dorëheqjes së Nanos nga drejtimi i saj, për shkak të humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Pavarësisht zhvillimeve në PS, kur shumë nga figurat e kësaj partie ndër vite, me kontribute ndoshta po aq sa Majko dhe Ruçi, u larguan në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës nga pothuajse çdo strukturë partiake, të dy figurat e të majtëve ndër vite, ditën të përshtaten me zhvillimet e brendshme, mbështetën frymën e Rilindjes në PS, madje edhe emrat që u kuoptuan në forumet e kësaj partie nga Mjaft, dikur një organizatë rinore që akuzonte dhe sulmonte para 2005-ës, edhe më ashpër se Partia Demokratike, Partinë Socialiste dhe Qeverinë e saj. Qoftë Ruçi ashtu edhe Majko duket se nuk shfaqën qejf-mbetje në publik kundrejt Ramës, edhe kur ato u lanë në hije, pas ardhjes në qeverisje të koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste. Tashmë është evidente që Gramoz Ruçi mban një post honorifik në Grupin Parlamentar socialist si Kryetar, por të gjitha debatet politike dhe përballjet me opozitën, e ka Taulant Balla, Nënkryetari i Grupit të PS-së. Në anën tjetër, Pandeli Majko, për shkak të eksperiencave të tij të mëparshme, mund të ishte një nga anëtarët e kabinetit qeveritar, por ai u la në hije nga Kryeministri, njëherësh edhe Kryetar i PS-së, kundrejt emrave të tjerë të emëruar në poste dhe pozicione, pa kontribute thelbësore në radhët e socialistëve. Por në javët e fundit, teksa ka një debat mbi reformën në drejtësi, ish-Kryeministri Pandeli Majko, duket se u riaktivizua, duke zhvilluar një takim me Kreun e PD-së, Lulzim Basha. Asnjë nga pjesëmarrësit në takimin kokë më kokë nuk zbardhi detaje të bisedës, megjithëse nuk ishte e vështirë të kuptohej, pasi pak ditë më pas, Kryeministri Edi Rama nisi negociatat me Kreun e PD-së, Lulzim Basha, për zhvillimin e një takimi për reformën në drejtësi. Pavarësisht se ky takim, Rama-Basha, nuk dha ndonjë rezultat në ofrimin e palëve, një nga detajet që mund të mbahet mend, është roli që pati deri diku Pandeli Majko, në realizimin e takimit, apo edhe thjesht si politikanin që mati “pulsin” e Bashës për t’u takuar me Ramën. Ndoshta ky moment mund të jetë një pikë kthese për ish-kryeministrin e një prej qeverive socialiste, i cili mund të jetë piketuar nga Kreu i PS-së Edi Rama për të zëvendësuar apo për të mbajtur peshën që për vite me radhë e ka mbajtur Gramoz Ruçi, i cilësuar ndryshe si njeriu i “hekurt” në PS, në raport me strukturat dhe bazën reale të kësaj partie. 
Sigal