PS, presione prokurorëve: Shkelën betimin

578
Një ditë përpara votimit në Kuvend për arrestimin ose jo të deputetit Tahiri, mazhoranca sulmon sërish organin e akuzës
Partia Socialiste ka sulmuar hapur prokurorët e dosjes “Tahiri”, duke kërkuar largimin e tyre nga detyra. Në një deklaratë për mediet, deputeti Ulsi Manja, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, kritikoi prokurorët për deklaratat e tyre dhe reagimin ndaj kryeministrit Rama. “Deklarata politike si ajo e djeshmja (pardjeshmja) në mënyrë kategorike jo, madje as nuk duhet t’i çojnë nëpër mend e jo më t’i bëjnë publike në media, sepse e ndalon neni 9 paragrafi i 3 i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në RSH”, ku thuhet qartë dhe pastër, “prokurorëve u ndalohet të bëjnë deklarata ose të japin mendime për veprimtarinë e organeve të tjera”, e jo më të sulmojnë Kryeministrin që mban një fjalim politik në një forum të partisë së tij!!!”, shprehet Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve, duke shtuar se “kaq e kupton edhe një që nuk është jurist”. Në komentin e tij, Manja flet edhe për ato që cilëson “pasoja ligjore” për “një deklaratë të tillë politike”. “Kjo konsiderohet si shkelje e betimit të bërë solemnisht ‘për t’i qëndruar kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe respektimit të rregullave të etikës profesionale në kryerjen e detyrës’, dhe në bazë të Nenit 148/dh të Kushtetutës së Shqipërisë , prokurori shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ‘shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës’, respektivisht shkelen Nenet 37, 101/c dhe 102/ë të ligjit ‘Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në RSH’”, shprehet parlamentari socialist. Sipas tij, “as edhe për të kuptuar këto nuk duhet të jesh jurist i shquar mjafton të hapësh defterët e ligjit dhe i kupton gjithkush”. “Kaq besoj mjafton o dashamirës të drejtësisë dhe ligjit për të kuptuar kush e ka shkel ligjin në këtë rast prokurori apo Kryeministri! Ndoshta i kam rënë pak gjatë po kështu jemi ne juristët!”, nënvizon deputeti socialist. 

Prokuroria për Krime të Rënda replikoi dy ditë më parë me kryeministrin Rama, duke ritheksuar qëndrimin se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin hetimor. Prokuroria për Krime të Rënda deklaroi se e kishte të qartë se, që në fillimet e hetimit të dosjes “Tahiri” do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se person nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet. “Në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj. Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika. Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi”, deklaroi prokuroria.
Prokuroria: Droga, marrëveshje me Italinë e Francën
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka firmosur dhe po firmos disa marrëveshje të rëndësishme me shtete të ndryshme për luftën ndaj drogës. Prokuroria shqiptare dhe Drejtoria për Çështjet Penale në Ministrinë e Drejtësisë së Francës do të nënshkruajnë Protokollin për krijimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore. “Qëllimi është forcimi i bashkëpunimit në çdo fushë, por sigurisht lufta kundër narkotikëve ka një fokus të veçantë”, bëri të ditur prokuroria. Ndërkohë Prokuroria Shqiptare, prej vitit 2014, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me DNA-në e Italisë. “Kjo marrëveshje është shoqëruar me kryerjen e veprimeve të përbashkëta hetimore, të finalizuara me arrestimin e personave dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike”, u shpreh organi i akuzës.
Sigal