PS nuk ekziston. Parti pa shpirtin e saj ideologjik dhe ngjyrë

483
Situata në Partinë Socialiste, mundësia për një tjetër ndarje në partinë më të madhe qeverisëse në vend, humbja e mandatit të deputetit nga Koço Kokëdhima dhe apeli i liderit historik të PS-së, Fatos Nano, për të shpëtuar nga Rilindja, komentohen në mënyra të ndryshme nga Majlinda Keta, Zamira Çavo dhe Sokol Hazizaj. Por pika që i bashkon të tre emrat e njohur në fushat respektive është ajo që tani nuk mund të flitet më për një Parti Socialiste, për shkak se partia aktuale ka humbur ngjyrën dhe shpirtin e saj ideologjik. Për “Telegraf”, Hazizaj thekson se çdo ndarje apo çarje, mund ta quani si te doni, nuk është gjë tjetër vetëm një vijë melodike prapa së cilës nuk qëndron simfonia, por kanë rendësi sa kushtojnë biletat në koncert, siç dhe është kthyer PS- ja sot. Në këtë kuptim, terminologjia apo përdorimi fjalës ndarje nuk merr më kuptim. 
1. Nisur nga situatat e krijuara në PS mendoni që do të ketë një çarje tjetër të kësaj partie që do të pasohet me formimin e një partie të re?
2. A e shikoni humbjen e mandatit të deputetit nga Koço Kokdhima si një “tradhti” që iu bë nga lidershipi aktual i PS? 
3. Në 25 vjetorin e PS lideri historik i kësaj partie i drejtoi një mesazh socialistëve për tu bashkua kundër asaj që quhet “Fryma e Rilindjes”. Mendoni se ky është thjesht një reagim momental apo mund të shoqërohej me një lëvizje që do të bashkojë të “pakënaqurit” nga lidershipi socialist?
Majlida Keta 
1. Për mua, nuk ka më PS. Nëse ju i referoheni atyre që dikur kanë qenë anëtarë të PS, figura publike, me zë dhe dinjitet socialist të aprovuar vazhdimisht dhe nga ana tjetër mundësive që ato kanë për të ofruar lëvizje apo parti politike tjetër brenda së majtës në kushtet e një politike shëndetlige, që lëngon, them se hyrja në vitin elektoral do ketë edhe surprizat e veta. Ajo që unë kam ndjerë brenda këtij grupimi potencial është një lloj paqartësie se çfarë i nevojitet spektrit politik shqiptar si formë e së majtës dhe nga ana tjetër përballë një “Rilindje” të fuqizuar financiarisht dhe me struktura të veta gjithkund ato shfaqen të pasigurt dhe të pafaktorizuar si grup publikisht. Kjo edhe për faktin se spektrit politik po i largohen edhe ato pak intelektualë që përballë oligarkëve politikë, pa ideal e moral politik, pa sens në spektër-shtrirje dhe koalicione, ato zgjedhin të tërhiqen. Momenti që po kalojmë si shtet nuk ka shqetësim se çfarë do ndodhë me atë çfarë ju perceptoni si ish PS, sot në lojë janë vënë fatet e një vendi demokratik nga amoraliteti dhe papërgjegjshmëria e klasës politike. i ashtuquajturi proces i reformës për drejtësinë ishte një letër lakmuesi se çfarë klase politike ka ky vend. Të paktë janë politikanët që në proces kanë përgjegjshmërinë për dokumentin, i cili shkon në fije të flokut me parime të mëdha kushtetuese si sovraniteti, pavarësia e pushteteve etj. Një parti e re, që do të shprehej nga këto cilësi politikanësh mua më duket ende larg. 
2. Deputetin Kokëdhima e ka tradhtuar besimi që ai pati tek “Rilindja” dhe rilindasit që ai stimuloi, mbështeti ose më saktë i prodhoi vetë. Me PS-në Z. Kokëdhima i ka mbyllur hesapet në 2005-ën. Kokëdhimën e “tradhtoi” filozofia politike që ai besoi dhe ju përkushtua. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Vetë ai nuk parashikoi se do të vinte një ditë që identiteti i tij politik do ishte non grata për versionin “rinor” të “Rilindjes”, version që nuk ka asnjë standard me ato që ka pasur Kokëdhima nga hershmëria e fillesave të tija në karrierë politike në këtë vend. Tek “Rilindja” ku ai besoi nuk ka lidership, ka lider të fortë makiavelist, ekselent në triblime politike Brenda vathës ku ka future partinë e tij. 
3. Lideri historik thjesht konfirmoi metamorfozën tashmë të mbyllur të PS duke 
konfirmuar lojtaren politike “Rilindje”. Normalisht që do fliste, por e folura nga veprimi është larg. Besoj që u shpreh për momentin dhe faktin. Të pakënaqurit që ju cilësoni nëse vetëquhen të tillë është problem i tyre në raport me orientimin dhe besimin në politikë. Kur nuk ka PS nuk mund të flasim për “të pakënaqur” nga lidershipi. Nëse flasim nëse socialistët shqiptarë duhet të ripozicionojnë veten si lojtarë politikë kjo është tjetër çështje dhe këtu ka mundësi shumë të fuqizimit të tyre rreth formacionit dhe platformës socialiste. Kjo e fundit ka gjasa të ndodhë. Lideri Nano, së cilit ju i referohen, i është personi i vetëm që mund t’ju kthejë përgjigjen më të saktë. Mbase ka potenciale që në Shqipëri, në zgjedhjet e tjera të jetë një koalicion socialistësh. “Ëe cannot solve our problems ëith the same thinking ëe used ëhen ëe created them. [Albert Einstein]
Ne nuk mund ti zgjidhim problemet me të njëjtën mënyrë të menduari që përdorem kur i krijuam ato. 
Sokol Hazizaj
1. Sa i përket situatës në të cilën PS-ja ndodhet sot, ndonëse nga forma dhe përmbajtja e saj nuk ka lidhje me ndonjë vullnet të qartë politik me organizimin e ndonjë partie moderne të majtë, nuk mendoj se nuk do ketë çarje, sepse ajo e ndarë është thellësisht nga e majta dhe për më tepër nga vizioni i PS-s. Çdo ndarje apo çarje, mund ta quani si te doni, nuk është gjë tjetër vetëm një vijë melodike prapa së cilës nuk qëndron simfonia, por kanë rendësi sa kushtojnë biletat në koncert, siç dhe është kthyer PS- ja sot. Në këtë kuptim, terminologjia apo përdorimi fjalës ndarje nuk merr më kuptim. 
2. Lidhur me mandatin e z. Kokdhima, theksoj se përgjigjen ligjore te papajtueshmërisë mandatit në kuptimin ligjor e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, më tepër në kuptimin ligjor nuk mund të shpreh asgjë. Sa i përket të bërit tradhti ose jo nga lidershipi i Të ashtuquajturës “ps-ojf”, citoj se ka ndryshim shumë të madh midis modelit të Kokëdhimës “si të bëhesh milioner” me milionerët e vërtetë. Në këtë kuptim nuk mendoj se ka tradhti, por sot ekzistojnë dy modele të ndryshme, të cilat nuk qasen me njëra tjetrën, dhe si të tilla nuk mund ti quash tradhti, por quhen divorce të barasvlershme me mungesë bashkëjetese ndoshta dhe në maturi ose pleqëri, siç thonë sot. 
3. Lidhur me reagimin e Nanos ndaj frymës se “rilindasve”, kam një opinion pak ndryshe nga të tjerët, që do të thotë se nuk është thirrje, por pasthirrmë, dhe si e tillë në kohë dhe materie tjetër nuk zë vend, por vetëm shpreh dëshpërim, mungesë vullneti, dhe asgjë më tepër. 
Zamira Çavo
1. Historia e partive politike shqiptare është mjaft e çuditshme, është histori ndarjesh e bashkimesh. Kështu ka ndodhur dhe me Partinë Socialiste. Ndarja e parë filloi me LSI-në e më tej me PSV, e ndoshta do këtë sërish një ndarje tjetër. Por unë mendoj se kjo nuk është e rëndësishme. Në mendimin tim partitë politike në Shqipëri kanë ngritur sistemin e partitokracisë që do të thotë kanë ndryshuar misionin e tyre, ndaj dhe po degradojnë dalëngadalë. Partia Socialiste në ideologjinë e saj u formatua si parti e majtë. Rrugës e humbi drejtimin nen pretendimin se nuk ka më nevojë për “të majta” apo të djathta” në politikë. Nën frymën e liberalizmit, u shndërruan në çeta klienteliste dhe interesash private, duke e humbur fare sensin e publikes… Dhe sot partia socialiste nuk është as më shumë e as më pak por një parti pa ngjyrë e pa shpirtin e saj ideologjik. Kur flas për ngjyrë nuk e kam fjalën vetëm te ndryshimi figurativ dhe pse ky ndryshim dëshmon për largimin nga e majta. A do të krijohet parti tjetër? Mund të krijohen edhe dy ose tri parti të reja. Nuk do ndryshojnë gjë nëse nuk kuptojnë se Shqipëria ka nevojë për një parti të majtë. Po vërtetë të majtë. E them këtë sepse shqiptarët janë në masë të varfër dhe politikat sociale duhet të zënë një vend kryesor. Duhet një parti që të ketë në fokus të varfrit dhe sfidën e saj të ketë varfërinë dhe jo xhepat apo fasadat sikundër ka ndodhur në 25 vjet demokraturë! Boll më me mashtrimet e qendrës apo të partisë mbiklasore!
2. Nuk e gjykoj fare, sepse është një episod që nuk tregon asgjë të re përveçse faktin që përmenda më sipër: Partitë janë shndërruar në klane që funksionojnë vetëm për të mjelë sa më shumë nga lopa e quajtur pasuri publike!
3. Këtu duhet të ndajmë dy çështje: E para ka të bëjë me mesazhin e z. Nano dhe e dyta, a do shërbejë ky mesazh si thirrje për t’ju bashkuar ndonjë partie të re socialiste. Z. Nano përveç faktit që ka drejtuar Partinë Socialiste në një periudhë të vështirë, ka dhe faktin tjetër që e braktisi këtë parti për interesat e tij personale. Por më parë se të braktiste Partinë, braktisi Shqipërinë. Dhe këtë braktisjen e shndërroi në model të punës së tij. Ndaj gjykoj se mesazhi i tij “revoltues” apo kritikues nuk ka asnjë vlerë morale. A do të ndikojë ky mesazh në bashkimin e të pakënaqurve? Aspak! Socialistët qofshin ata të pakënaqur apo të kënaqur e dinë mirë se z. Nano kurrë nuk i çon punët deri në fund. Ndaj nuk e marrin seriozisht. Por kjo nuk do të thotë se këta të “pakënaqur” edhe pa mesazhin e Nanos, nuk do të mund bashkohen. Puna është se si do bashkohen dhe çfarë do synojnë të realizojnë. Nëse do punojnë për një parti me spektër te dukshëm të majtë, besoj do gjejnë përkrahjen sit ë intelektualëve po ashtu dhe të shqiptarëve të varfër. Nëse mendojnë se do krijojnë një LSI- të dytë, mjerë vendi dhe mjerë ata që do rizhgënjehen. Por unë besoj në mençurinë e socialistëve. 
Sigal