PS, Bushati: Luli nuk di të punojë, kryebashkiaku më i dështuar

480
Partia Socialiste, përmes një deklarate për shtyp e cilësoi Lulzim Bashën si kryebashkiakun më të paaftë dhe më të dështuar në historinë e Tiranës. Sipas deputetit socialist, Ervin Bushati, Basha premtoi se do t’i jepte zgjidhje problemit të trafikut dhe parkimit në Tiranë, por në fund të mandatit lëvizja në kryeqytet është bërë më e vështirë edhe për këmbësorët, edhe për automjetet.
“Që Lulzim Basha ka dështuar në kryeqytet këtë tanimë e ka pranuar edhe kandidati i tij për Tiranën. Është rast unik kur vet kandidati i Tiranës, bën gallatë me dështimet e kryetarit të partisë së tij. Në fakt, është e pamundur mos të kritikosh Lulin. Asnjë kryetar bashkie në historinë e Tiranës nuk ka qenë kaq i paaftë, kaq dembel dhe kaq i dështuar. Premtoi se do t’i jepte zgjidhje problemit të trafikut dhe parkimit në Tiranë dhe se do të garantonte lëvizje të lehtë, të shpejtë dhe të sigurt si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet në të gjithë qytetin. 
Mjafton të numëroni gropat që s’mbyllen kurrë në rrugët kryesore të Tiranës, mjafton të shihni pusetat e hapura anembanë Tiranës për të cilat nuk kujtohet kush, për të kuptuar se çfarë i ka bërë Luli qytetit. Lajmi i mirë është se Lulzim Bashës i kanë mbetur fare pak ditë në postin që vodhi mes mashtrimeve në 2011. Ndërhyrja emergjente për rehabilitim e rrugëve dhe zhbllokimin e trafikut do të jetë një prioritet i administratës së re. Pas 21 qershorit me votën e qytetarëve Tirana do të ecë në drejtimin e duhur”, përfundon deklaratën Bushati.
Sigal