Protesta, plani i opozitës për bllokimin e qarkullimit

541
Pikat kryesore dhe segmentet rrugore që do të “paralizohen” nga mbështetësit e PD-së nga ora 11-12. Basha: Të vendosur, por paqësorë

Partia Demokratike dhe mbështetësit e opozitës do të bllokojnë sot për 60 minuta akset kryesore rrugore, në shenjë proteste ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Prej 65 ditësh, opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, duke e cilësuar këtë si një kusht për pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa vendi është zhytur në një krizë politike, duke përfshirë edhe vonesën e reformës në drejtësi dhe mungesën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. 

Në bazë të një plani të mirëorganizuar, opozitarët do të synojnë sot nga ora 11-12 të paralizojnë qarkullimin në disa segmente kryesore kombëtare dhe rrugë të qyteteve, kryesisht në Tiranë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh dje se “një orë bllokim i trafikut kombëtar është një sakrificë e vogël dhe një dhuratë e madhe për Shqipërinë e re, për bllokuar trafikun e drogës, për të bllokuar trafikun e krimit, për të siguruar liritë themelore të qytetareve dhe që janë garancia e mirëqenies së qytetarëve”. Ai këmbënguli se kjo protestë do të jetë e vendosur, por thellësisht paqësore.

“Bashkohemi të bllokojmë të keqen me këtë paralajmërim që t’i hapim rrugë të mirës për çdo shqiptar, duke larguar dhe mundur drogën, duke larguar dhe mundur krimin, duke iu kthyer qytetarëve të drejtën për të zgjedhur me votë të lirë e të ndershme. Me bekimin e Zotit, me paqen në shpirtrat tanë, me vendosmëri totale, le të bashkohemi mes orës 11.00 deri në 12.00 për t’i thënë ndal krimit, dal drogës, ndal korrupsionit, po zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe republikës së re të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Basha.

“Do të filmohet çdo polic”
Opozita reagoi dje edhe ndaj deklaratës së policisë se protesta për bllokimin e rrugëve është e paligjshme. “Me urdhër të Edi Ramës, krerët e policisë që nuk luftojnë krimin, trafikantët, banditët, por bëhen palë me ta, kërcënuan qytetarët e lirë të vendit, në një përpjekje të dëshpëruar për të ndalur popullin të shprehet. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, i bëjnë të qartë kupolës së policisë të heqin dorë nga keqpërdorimi politik dhe të mos pranojnë të dalin kundër popullit për interesat e Edi Ramës”, thuhet në një deklaratë zyrtare. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar i bënë të ditur publikisht “çdo punonjësi dhe funksionari të policisë, se do të filmohet e do të regjistrohet emër për emër kushdo që tenton të pengojë apo intimidojë qoftë dhe një qytetar të vetëm”. “Do të mbajnë përgjegjësi penale para ligjit, dhe nesër do të përgjigjet deri më një, çdo drejtues, shef apo punonjës policie që do tentojë të cenojë të drejtën sovrane të qytetarëve për të protestuar paqësisht. Protesta do të jetë paqësore, por e vendosur dhe e pathyeshme”, thuhet në qëndrimin e opozitës. Aty këmbëngulet se të gjitha veprimet kanë qenë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë evropiane që ka dëshmuar shoqëria shqiptare. “Nuk ka pasur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike. Protesta e Opozitës së Bashkuar dhe qytetarëve do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojë qëndresën qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, theksohet në deklaratë.

Opozita u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen masivisht të hënën mes orës 11 dhe 12 paradite në protestë kundër krimit dhe drogës me mbështetje qeveritare, “për të ndalur krimin, për të ndalur pushtetin e lidhur me krimin dhe për të siguruar të drejtën themelore të qytetarëve në demokraci, të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Pikat kryesore të bllokimit

1 – Rrethrrotullimi i Plugut (Lushnjë)
Protestuesit do të drejtohen nga deputetët Arben Ristani, Kozma Dashi, Bedri Miha, Astrit Veliaj dhe Liljana Elmazi. 

2 – Rrethrrotullimi i Bradasheshit (Elbasan)
Protestuesit do të drejtohen nga deputetët Edmond Spaho, Luçiano Boçi, Arbjola Halimi, Eleina Qirici dhe Gjergji Papa.

3 – Rrethrrotullimi i Milotit
Protestuesit do të drejtohen nga deputetët Aldo Bumçi, Albina Dede, Helidon Bushati, Irma Kopliku dhe Alban Zeneli.

4 – Sheshi “Shqiponja”, Tiranë
Protestuesit do të drejtohen nga deputetët Edi Paloka, Gert Bogdani, Florjon Mima, Keltis Kruja, Bedri Hoxha, Roland Keta, Dhurata Çupi, Myqerem Tafaj, Gjovalin Bzheta dhe Mimoza Hajdarmataj.

5 – Mbikalimi te Shkolla Teknologjike, Tiranë
Protestuesit do të drejtohen nga deputetët Flamur Noka, Eduard Halimi, Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri, Genc Pollo, Albana Vokshi, Astrit Patozi, Igli Cara, Kastriot Islami dhe Asllan Dogjani.

6 – Çadra në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Protestuesit do të drejtohen nga deputetët Jorida Tabaku, Genc Ruli, Arben Imami dhe Ridvan Bode.
Sigal