Protesta e studentëve/ Kërkesa e re: Të largohet nga universiteti policia private e sigurisë që fiton 6,3 milionë euro, përdori dhunë

545
Sigal

Të hiqet koncesioni kompanisë së sigurisë që fiton 6, 3 milionë euro nga tarifat tona, sepse keqtrajtoi studentët

Studentët protestues shtojnë kërkesën e 10- të

Studentët janë të vendosur të vazhdojnë protestën e tyre, duke u ngujuar në auditore, pavarësisht presioneve, dhunës që ushtrohet nga policia e Shtetit dhe policia private, e cila ka koncesionin e sigurisë në universitete. Madje shumë studentë kanë denoncuar edhe kërcënimet që u bëhen atyre, për të ndërprerë protestën.

Kërkesa e 10 –të: Të largohet nga universiteti policia që grabit 6,3 milionë euro nga tarifat tona

Studentët dje kanë shtuar edhe një kërkesë të re, ndaj qeverisë, rektorateve. Studentët kërkojnë që policia private, e cila ka koncesionin e sigurisë në universitete të largohet, pasi ka përdorur dhunë kundër tyre. Në të vërtetë, policia private, që ka marrë koncesionin e sigurisë në universitete përfiton 6,3 milionë euro në vit, natyrisht nga tarifat e studentëve. Kjo shumë e madhe, e pajustifikuar për shërbimin që bën policia private, fillimisht u denoncua edhe nga kryeministri Rama, mirëpo, sipas disa burimeve të informacionit, thuhet, se, pasi kryeministrit i thanë që këtë koncesion e ka fituar një ndër njerëzit e tyre të besuar, kryeministri heshti dhe çdo gjë, deri më sot, ka shkuar në …vaj. Mirëpo, kjo polici private, në kundërshtim me ligjin, por, natyrisht, ka marrë urdhra nga …lart, përdori forcë, dhunë kundër studentëve protestues edhe në auditorë, për të ndërprerë protestën.

Solidariteti

Studentë të universiteteve të Shkodrës, Durrësit janë solidarizuar me studentët e Tiranës dhe kanë vendosur që edhe ata do të ngujohen në auditorë. Gjithashtu, dekanati i Fakultetit të Filologjisë në UT është shprehur publikisht se mbështet të gjitha kërkesat dhe protestën e studentëve. Ndërkohë, që ministri i Brendshëm Lleshi, dje, sërish deklaroi se studentët protestuesë janë një numër shumë i vogël, për të justifikuar dhunën. Ministrja e re e MARS Besa Shanini deklaroi se shteti nuk ka mundësi që të plotësojë kërkesat e studentëve, por do të dërgojë nëpër fakultete 54 specialistë, që t’u shpjegojë studentëve VKM-të e qeverisë për lehtësirat ekonomike, thua se studentët, sipas ministres së re të MARS, janë analfabetë dhe nuk i kuptojnë dot VKM-të e qeverisë!