Protesta e PD, Musai: Vlerë do kishte nëse instalohen në bulevard deri në zgjedhje, qytetarët të zhgënjyer nga politika (VIDEO)

99
Sigal

Analisti Engjëll Musai i ftuar në ‘MCN Live’ ka komentuar lidhur me protestën e parashikuar nesër nga opozita për të cilën u shpreh se nuk ka asnjë vlerë për aq kohë sa dalin protestojnë dhe largohen.

Ai tha se protesta do të kishte vlerë nëse ata do të instaloheshin në bulevard deri në ditën e zgjedhjeve, të organizoheshin protesta të vazhdueshme ashtu siç po ndodh në Serbi.

Sipas tij sot që flasim qytetarët e kanë humbur besimin dhe janë zhgënjyer nga kjo klasë politike dhe sot jemi përballë një situate të tillë ku shteti ka kapur gjithçka.

Ne e kemi thënë se çdolloj proteste e cilitdo grup politik e shëndosh qeverisjen e një vendi sa i përket mbajtjes në kontroll të çdolloj abuzimi që mund të ketë shteti me çdo gjë. Rasti konkret është se nesër jemi para një proteste që për mua është shumë e vonuar sepse protestat e vazhdueshme apo të instaluara janë pozitive, siç janë ato që po ndodhin në Serbi sepse një protestë e lënë në mes nuk e trondit pushtetin.

Unë e shoh si diçka të radhës, nuk ka asnjë vlerë për mua, vlerë do të merrte nëse opozita do instalohej aty duke protestuar deri në ditën e zgjedhjeve.  Mendoj se qytetarët janë zhgënjyer nga kjo klasë politike. Ne vërtetë përmendëm dy nga protestat më të mëdha, por nuk është gjithçka  rozë të gjithë kanë interesat e tyre.

E njëjta gjë ndodhi dhe me studentët, u shua protesta e tyre sepse shteti e kuptoi dhe të rinjtë zgjodhën të largohen nga vendi dhe në këtë mënyrë ka ikur shpirti i protestës duke mbetur vetëm pensionistët këtu. Ne sot jemi në një situatë të tillë ku shteti ka kapur drejtësinë, ekonominë, gjithçka dhe asnjë gjemb nuk i hyn në këmbë.