Protesta e PD – Basha: Mos i fryni borisë së bojkotit, do ketë zgjedhje të lira

457
Edhe pse kanë vendosur për të mos u regjistruar në KQZ, kreu i Partisë Demokratike thotë se nuk do ketë bojkot të zgjedhjeve nga opozita.

Duke folur gjatë një bashkëbisedimi me pedagogët, Basha tha se opozita do të dorëzojë sot në KQZ ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha: Ti me kriminelë unë me pedagogë, ti me hajdutë unë me qytetarë, ti me vesin ne me virtytin, ti kundër zgjedhjeve ne për zgjedhjet, ti për drejtësinë e kapur ne për drejtësinë e vërtetë, të pakapur.Sot në KQZ partitë opozitare do të dorëzojnë ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme.Kush i fryn borisë që bojkotit gabohet rëndë. Nuk do të ketë bojkot, do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.Me hapin e sotëm opozita shqiptare provon luajalitetin tonë ndaj kauzës së qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Basha siguroi se nuk do të ketë hap pas në qëndrimin e opozitës deri në krijimin e një qeverie teknike.

Basha: Jemi dhe do të jemi këtu për një qëllim të madh politik dhe qytetar, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Qeverinë e Republikës së vjetër e ka kapur paniku dhe kur ne flasim fusin kokën poshtë minderit. Në kushtet e drogës dhe parave të drogës, rrezikut real për demomkracinë dhe stabilitetin e vendit nga sezoni i ri i mbjelljes së drogës që po afron. Në kushtet e mungesës totale të reformës zgjedhore me qëllimin e vetëm për të shtypur dhe tjetërsuar votën e shqiptarëve, në kushtet e sabotimit me vetëdije të reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut nga ata që kanë frikë nga drejtësia e vërtetë dhe e pakapur ka vetëm një zgjidhje, qeveri teknike, largimin e Edi Ramës dhe kabinetit të turpit, krimit dhe drogës. Asnjë tërheqje nuk ka dhe nuk mund të ketë, çdo tërheqje do ishte tradhëti ndaj qytetarëve. Kjo luftë, kjo betejë nuk bëhet për interesat tona politike, por për të fituar njëherë e përgjithmonë pasaportën e dinjitetit europian për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar.

Shefi i opozitës kujtoi edhe njëherë se nuk ka qeveri që i bën ballë rezistencës së popullit.

Basha: Sado të pasur të jenë dhe të jenë bërë, sado kriminelë të fusë në oborrin dhe zyrën e Kryeministrisë nuk ka qeveri të inkriminuar ti bëjë ballë popullit që ngrihet bashkë për të drejtën legjitime dhe sovrane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.Qytetarë të bashkuar deri në fitore.

Pas fjalës në çadrën e protestës, Basha u nis për një takim me sipërmarrës shqiptarë lidhur me platformën ekonomike të PD-së për të nxjerrë siç tha ai vendin nga kriza ku e ka futur qeveria Rama.

Basha: Me kërkesë të përfaqësuesve dhe një numri të madh organizatash punëdhënëse, sipërmarrësish shqiptarë do të takohem me ta për të diskutuar gjendjen politike në vend, platformën ekonomnike dhe zgjidhjet që ne kemi për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje katastrofe totale ku e ka futur republika e vjetër përmes hajdutërisë së saj.
Sigal