Protesta e parë (vonuar) e PD: Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike

536
Edhe pse Opozita në 2014 bojkotoi për 6 muaj Kuvendin, duke marrë shkak për dhunën që u ushtrua ndaj deputetit të PD Strazimri nga deputetë të PS në mjediset e Parlamentit, askush nuk u kujtua që të organizonte një protestë kundër keqqeverisjes. Madje, edhe një herë që u planifikua protesta e opozitës, në 8 dhjetor 2014, çuditërisht, protesta e planifikuar u anulua, pasi në prapaskenë u arrit marrëveshja opozitë-mazhorancë, e cila u firmos në 26 dhjetor. Edhe pse opozita ka flamur të oponencës së saj të përditshme kundër qeverisë korrupsionin dhe lidhjet e kryeministrit dhe të ministrave me krimin e organizuar, çuditërisht Opozita kishte harruar të ngrinte popullin në protesta dhe greva kundër keqqeverisjes. Ndoshta në strategjinë e opozitës protesta si mjet demokratik i oponencës shikohet si diçka joefikase, derisa PD I mëshon oponencës së fjalimeve, të akuzave në seancat plenare të Kuvendit. Më në fund, PD dhe kryetari Lulzim Basha u kujtuan edhe për protestën, ndaj një muaj më para shpallën 8 dhjetorin, si “dita e protestës”, për ta simbolizuar luftën e PD për pushtet qëllimin e studentëve të dhjetorit 1990, për përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e një sistemi të ri shoqëror demokratik. 
Protesta e Opozitës, orë pas ore
PD, një ditë më parë zbardhi publikisht edhe “axhendën” e protestës që do të zhvillonte përballë kryeministrisë”, duke marrë leje që protesta do të zhvillohej nga ora 11.00 deri në orën 16.00, në sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza”. 
SMS e Bashës
Lideri i opozitës, Lulzim Basha u ka dërguar paraprakisht të gjithë simpatizantëve të PD-së një SMS, ku i ftoi për të marrë pjesë në protestë, me këtë përmbajtje: “Ti që je pa punë, ti që nuk siguron dot bukën e fëmijëve, ti që nuk kurohesh dot në spital, ti që terrorizohesh për kuponin, dritat dhe ujin, ti që nuk shet dot prodhimet e tua, ti që mbyll qepenin, ti që vidhesh dhe poshtërohesh, ti që mbitaksohesh, është koha të protestosh bashkë me ne”, shkruan Basha në mesazhin telefonik drejtuar simpatizantëve demokratë. “Më 8 dhjetor, ora 11:00, në sheshin ‘Skënderbej’, për t’i treguar kësaj bande hajdutësh se durimi ynë ka mbaruar! Duam një rrugë të re për Shqipërinë! Lulzim Basha”, mbyllet mesazhi. 40 autobusë j dhe 2.000 protestues erdhën nga rrethi i Durrësit në Tiranë. Nga Lezha erdhën rreth 1500 persona, nga Korça 130 mijë persona, ndërsa nga Elbasani 2 mijë persona, nga Shkodra 3 mijë persona, ndërsa nga Kurbini 2 mijë persona, nga Vlora 2 .000 protestues. 
1500 policë në terren të angazhuar gjatë protestës. Kordon me police femra para Kryeministrisë
1500 policë në terren të angazhuar gjatë protestës. Kordon me police femra para Kryeministrisë, si edhe pezullimi i qarkullimit për automjete në të gjitha arteriet e rrugëve që të çojnë në sheshin”Skënderbej”, “Nënë Tereza”. Të gjithë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, u ndodhën në mbikëqyrje të protestës. 
Ora 11:15- MBLIDHEN PROTESTUESIT
Protestues nga e gjithë Shqipëria kanë nisur të mblidhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pjesa më e madhe e të cilëve është përqendruar në sheshin “Skënderbej”. Kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk ka dalë ende nga Selia për të prirë marshimin-protestë. Në protestë ishin të pranishëm edhe ish-të përndjekurit dhe studentët, të cilët kohët e fundit kanë përdorur gjuajtjen me vezë si formë protestë ndaj godinës së qeverisë dhe Kuvendit.
Ora 11:18 Lulzim Basha del nga selia e PD
Në orën 11:18 kryetari i PD Lulzim Basha del nga Selia e PD-së dhe i bashkohet protestuesve. Kreu i PD-së nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat. Ndërkohë që pas tij nga Selia e PD, militantët kanë nxjerrë edhe një dordolec me foton e kryeministrit Edi Rama. 
Ora 11:42, Protestuesit qëllojnë me vezë godinën e Kryeministrisë
Në orën 11:42, Protestuesit kanë qëlluar me vezë e shishe drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani flet para qytetarëve. Policia nuk reagon, por as protestuesit nuk tentuan që të suleshin drejt kryeministrisë. Edhe më herët tensioni dhe incidentet kanë shoqëruar fjalimet e deputetëve opozitarë, që bënin thirrje për rrëzimin e qeverisë në podiumin e ngritur enkas për protestë. Me të nisur deputetët fjalën, nga turma u lëshuan vezë, shishe, shashka, gurë, tymuese me ngjyrë blu, shkopinj. Kur kishin kaluar vetëm 30 minuta nga nisja e protestës, një qytetar çau kordonin policor, duke u ngjitur në Kryeministri. Ndërsa një orë më vonë nuk munguan as përplasjet mes protestuesve e policisë. Policia më tej reagoi duke normalizuar situatën, ndërsa shoqëroi personat që tentuan të thyejnë gardhin policor. Turma kërkonte largimin e Ramës mes thirrjeve ‘Rama ik” “Rroftë Azem Hajdari”, ndërsa nuk nguruan të djegin edhe një dordolec, i cili kishte foton e kryeministrit.
Ora 11:55- PROTESTUESIT HEDHIN SHKOPINJ DRURI E SHASHKA DREJT KRYEMINISTRISË
Protesta e opozitës, kanë hedhur thirrje si “Poshtë Edi Rama” apo “Azem ti je gjallë” dhe kanë djegur dhe grisur posterat me fotot e kryeministrit. Përveç vezëve, protestuesit hedhin shkopinj druri e shashka drejt kryeministrisë. 
Ora 12:10-PROTESTUESI THYEN KORDONIN, NGJITET NË KRYEMINISTRI
Një nga protestuesit, më një flamur të Partisë Demokratike ka arritur të çajë kordonin e policisë, ndërsa tentoi të futej në sheshin pushues të Kryeministrisë. Por, policia ka mundur ta neutralizojë në kohë të riun, ndërsa e kanë risjellë në turmë sërish.
Ora 12:25- DUKA: KJO QEVERI NUK NJEH GJË TJETËR VEÇ DHUNËS
Edhe deputeti i opozitës, Agron Duka bëri thirrje për largimin e qeverisë. “Sot ndeshemi me varfërinë. Qindra shqiptarë i janë drejtuar eksodit. Shqipëria më e varfër se kurrë. Kjo qeveri nuk njeh gjë tjetër veç dhunës. Rama më komunist se ata që njihnin veç ideologjinë e burgosjes”, tha Duka. 
Ora 12:28-DASHAMIR SHEHI: QEVERIA KA ARDHUR PËR TË QEVERISUR E JO PËR TË SUNDUAR
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi pohoi nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” se Shqipëria është nën dorën e disa sunduesve, ndërsa theksoi se duhet të fillojë një marshim i pandalshëm. 
Kjo qeveri nuk e ka kuptuar se nuk është këtu për të sunduar, por për të na qeverisur. Ne i themi jo dhe nga sot e deri ditën që do mbyllet kjo punë, unë mendoj se duhet të fillojmë një marshim të pandalshëm. Populli demokrat nuk është se nuk i do taksat, por s’duhet të paguajnë vetëm disa. Nuk mund ta sundojnë vetëm disa njerëz Shqipërinë. Ne që jemi këtu, nuk mund të gdhihemi milionerë, por me një qeverisje mund të gdhihemi me punë e ti dalim për zot fëmijëve tanë. Nga kjo turmë nuk ka ardhur kurrë as luksi.”, tha Shehi. 
Ora 12:40- Tensione te Piramida
Momente tensioni janë regjistruar në protestën, pasi ka pasur përplasje mes protestuesve dhe forcave policore. Momentet e tensionit janë regjistruar në kohën kur në podium fliste deputeti i opozitës Argon Duka. Ndërkaq, përfaqësues të PD-së, persona që merren me sigurinë e protestës kanë ndërhyrë tek Policia për të negociuar për lirimin e protestuesve dhe shmangien e një përshkallëzimi të dhunës. Ka qenë një moment acarimi pranë piramidës. Pak minuta më parë një person u shoqërua në polici, pasi tentoi të hynte në Kryeministri. 
Ora 12:57, BASHA: TË SHPORRIM QEVERINË-FATKEQËSINË, ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me tone të ashpra deklaroi para protestuesve të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë se e vetmja zgjidhje për të shporrur këtë qeveri janë zgjedhjet e parakohshme. Teksa u berri thirrje shqiptarëve anembanë që të ngrihen në protesta masive, Basha theksoi se tashmë nuk ka rrugë të mesme për ta. Nga ana tjetër, kryeopozitari pohoi se propaganda dhe mashtrimet e mbaruan kohën e tyre. “Sot në ditën tonë më të bekuar, në ditën e lirisë jemi mbledhur në këtë ditë për të kërkuar një zëri si një trup i vetëm për të kërkuar largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që do beje gati zgjedhjet e parakohshme. Para nesh shtrohen sot vetëm dy zgjidhje, ose të largojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të bëjmë sehir largimin e popullin. Ose të rrëzojmë Qeveri-Fatkeqësinë, ose do jetë vonë. Rrugë të mesme nuk ka dhe nuk do tu japim më kohë. Qeverise së Edi Ramës me 40 hajdutë nuk do presim më..”, tha Basha. 
Ora 14 Protestuesit i drejtohen sheshit “Skënderbej”. 
Menjëherë pasi përfundoi protesta e tensionuar para kryeministrisë, Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Përndjekurve Politikë Shqiptarë, Besim Ndregjoni i ka bërë thirrje turmës të marshojnë drejt Ministrisë së Brendshme për të rrëzuar bunkerin, që sipas tij qeveria e ka ndërtuar për të kujtuar komunizmin.
Ora 14.30 Digjet bunkeri te Ministria e Brendshme, ambasadori gjerman ndodhet aty
Protestuesit që u drejtuan sheshit “Skënderbej” drejtohen për te bunkeri që ndërtohet te Ministria e Brendshme, dhe pasi shkatërrojnë gardhin rrethues i vënë flakën nga brenda dhe e shkatërrojnë në disa pjesë të saj. Në këtë kohë, pranë ndodhet edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Hoffman, i cili ndjek protestuesit nga afër. Policia nuk ndërhyn fare, për të mos shkaktuar provokime dhe rëndimin e situatës. 
Protesta e 8 dhjetorit 2015, paqësore, në dallim me protestën e fundit të dhunshme të PS, në opozitë
Protesta e parë e PD në opozitë ishte paqësore, përveç disa hedhjeve të vezëve, bojërave në drejtim të godinës të Kryeministrisë, si edhe dëmtimit të pjesshëm të bunkerit te Ministria e Brendshme dhe të disa xhamave të godinës së ministrisë së Transportit. Por, nëse kujtojmë protestën e fundit të PS, në opozitë, në 21 janar 2011, protestuesit ushtruan dhunë të egër, duke dëmtuar prona, duke u vënë flakën shumë automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si edhe përplasjen e dhunshme fizike të protestuesve me policinë dhe gardën, dhunë, që shkaktoi edhe 4 protestues të vrarë nga plumbat e Gardës.

Prokuroria ka nisur hetimet rreth ngjarjeve që shoqëruan protestën e opozitës
Prokuroria shqiptare ka nisur hetimet rreth ngjarjeve që shoqëruan protestën e opozitës ditën e martë, goditjes së kryeministrisë, disa institucioneve të tjera dhe shkatërrimit të një bunkeri, vepër instalacioni dhe atraksioni turistik, pranë Ministrisë së Brendshme”, 3 prokurorë të Tiranës ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore paraprake për të dalë më pas në konkluzione. Po merren në pyetje personat që kanë dijeni. Pas veprimeve paraprake do të dilet me një konkluzion”, bëhet e ditur në një njoftim të prokurorisë. Ngjarja u konsumua për disa orë dhe u dha drejtpërdrejtë nga disa stacione televizive, ndaj dhe prokuroria mendon se ka materiale të bollshme.
Mediat ndërkombëtare për protestën e opozitës: Përplasje mes protestuesve dhe policisë së shtetit
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar dje protestën e mbajtur nga opozita në qendër të Tiranës, kundër qeverisë Rama. “Neë York Times” shkruan se gjatë protestës së sotme pasi përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit. NYT ndalet edhe tek motivi i kësaj proteste, duke shkruar se “protestat u zhvilluan kundër reformave ekonomike e varfërisë”. Edhe BBC ka shkruar për protestën e sotme e opozitës në Shqipëri. “Përleshje mes protestuesve dhe policisë së shtetit. Protestuesit kanë goditur me vezë e gurë Kryeministrinë. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministri Edi Rama”, shkruan BBC. AFP raporton se në protestë demonstruesit mbanin banderola ku lexohej “Rama, ik”. “Kemi kërkuar zgjedhje të parakohshme, qeveria “Rama” duhet të largohet, kjo qeveri është e korruptuar dhe ka ardhur koha për ta rrëzuar”, u shpreh Berisha, raporton AFP. Më tej, AFP shkruan se policia e vendosur në gardh para protestuesve nuk ndërhyri si dhe ishte e paarmatosur.
Sigal