Protesta e nesërme e PD, Rama e Tahiri takojnë Metën në Kuvend

616
Sigal

TIRANE – Edhe mëngjesi i kësaj të mërkure, ashtu siç ka ndodhur në katër të mërkurat e fundit ka nisur me një tjetër takim të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, njëherësh aleati i tij në qeverisje si kreu i partisë së koalicionit, Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vetem nje ore pas bisedes koke me koke Rama-Meta, takimit i eshte bashkuar edhe ministri i Brendshem Saimir Tahiri.

Në fokus të takimit, i cili mbahet një ditë para seancës parlamentare, mendohet se është situata e fundit politike në vend, ku demokratët kërkojnë dorëheqjen e kryeparlamentarit pas akuzave të Doshit se Meta ka urdhëruar vrasjen e tij gjashtë muaj më parë. 

Nesër Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë rreth orës 11.00 dhe sipas skenarit, mendohet që protestuesit të bllokojnë hyrjen e Kuvendit ndërsa deputetët e opozitës në sallën e parlamentit do të këmbëngulin për dorëheqjen e Metës. Sipas këtij skenari Kuvendi do të bllokohet derisa të dorëhiqet Meta.

Ora 10.25 Përfundon takimi, kryeministri Rama lë kryesinë e Kuvendit
Pas rreth një ore takim me kryeparlamentarin Meta, në fund të të cilit iu bashkua edhe ministri Tahiri, kryeministri Edi Rama ka lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ndërsa nuk ka pasur asnjë prononcim për mediat.
 
Ora 10.23 Ministri i Brendshëm Tahiri lë ambientet e Kuvendit
Pasi i është bashkuar rreth 10 minuta takimit Rama-Meta, ministri Tahiri është larguar nga kryesia e Kuvendit.

Ora 10.10 Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i bashkohet takimit Rama-Meta
Pas rreth një ore nga biseda kokë më kokë mes kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta, takimit i është bashkuar edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri. 

Ora 09.30 Rama takim me Metën në kryesinë e Kuvendit

Takimi Rama-Meta, fokus edhe zgjedhjet lokale
Po ashtu, takimet mes Ramës dhe Metës janë intensifikuar kohët e fundit për shkak të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. A1 Report mëson se negociatat mes dy aleatëve vijojnë jo vetëm për zgjedhjen e kandidatëve por edhe për ndarjen e bashkive ku do të garojnë emrat e PS-së apo të LSI-së.