Protesta e 6 Dhjetorit, Berisha: Të gjithë në bulevard, nderim ndaj vlerave të BE-së

111
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ftoi qytetarët ti bashkohen protestës së 6 Dhjetorit para kryeministrisë. Zhvillimin e protestës ditën kur në kryeqytet mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, Berisha e cilësoi përshëndetje ndaj vlerave europiane.

Gjatë një takimi me demokrate e demokratë të degës numër 5 të PD-së, Berisha tha se “po të marrim se pse ne do të jemi në datën 6 në protestë, unë ftoj liderët e BE-së që ta marrin këtë prani, si një përshëndetje dhe nderim ndaj tyre vlerave të tyre”.

Por kjo është vetëm një anë e medaljes, shtoi Berisha. Ai theksoi se “ne jemi në rrugë e në shesh për të protestuar kundër armikut të vlerave evropiane në Shqipëri, Edi Ramës dhe regjimit të tij”.

“Këtu nuk fshehim asgjë, përkundrazi, ne dalim në datën 6 për të ju thënë liderëve të Europës, se ky nuk përfaqëson jo popullin opozitar, por as popullin shqiptar dhe ky është një armik i të gjitha vlerave themelore mbi të cilat është ndërtuar shoqëria. Është armik i votës së lirë të shqiptarëve, është një armik të drejtave të tyre, i identitetit, kulturës dhe pasurive të tyre publike, fondeve buxhetore dhe të ardhmes së tyre.  Në tërë historinë të ardhmen e shqiptarëve nuk e ka vjedhur kush më barbarisht se Enver Hoxha dhe Edi Rama. Dhe me 6 dhjetor, ai që i thotë vetes shqiptar, ai që e ndjen veten shqiptar nuk mund të jetë tjetër, veç në protestë, në protestë të fuqishme kundër Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet.  Në këtë kontekst, çdo demokrat e demokrate, e ka për detyrë më shumë se asnjëherë tjetër, të marrë çdo masë, të bëjë çdo përpjekje që të gjendet në orën 12:00 në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në një protestë të paparë ndonjëherë në historinë e Tiranës”, tha Berisha.

Kreu i PD paralajmëroi se Rama mund të bëjë bllokime rrugësh dhe mijëra demokratë mund të keni vështirësi për të ardhur në Tiranë për protestën.

Për këtë u bëri një apel demokratëve dhe qytetarëve ti mirëpresin të afërmit protestues në shtëpitë e tyre, më herët: Ftoj që më datën 5 dhjetor, të hapim dyert tona për të protestuar në datën 6 të gjithë së bashku.