Protesta e 20 shkurtit/ Opozita e bashkuar fton shqiptarët në protestën e 20 shkurtit

22
Sigal

Leskaj: Vlora në protestë në respekt të martirëve të demokracisë, Blushi: Koha të marrim në dorë fatet e vendit, Mziu: Demokratët dhe qytetarët e Dibrës në shesh

Zëra të shumtë të opozitës së bashkuar kanë shtuar takimet në rrethe të ndryshme në Shqipëri duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar të 20 shkurtit që do të mbahet në Tiranë.

Blushi: Koha të marrim në dorë fatet e vendit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmes një mesazhi tha të dielën se 20 shkurti është dita që zëri të dëgjohet më fort së asnjëherë më parë. “Kjo datë simbol i rrëzimit të tiranëve dhe tiranisë, i triumfit të demokracisë dhe shkundjes nga themelet të monizmit, është më shumë se kurrë dita simbol e dinjitetit tonë dhe e përballjes me të keqen, që e ka vjedhur dhe e ka shkatërruar Shqipërinë, si asnjë pushtues! Është dita t’i dalim zot vetes, fateve dhe Atdheut! Është dita e fuqisë së solidaritetit mbarëqytetar dhe përballjes me të keqen e personifikuar nga Edi Rama dhe Qeveria e tij e krimit dhe e korrupsionit! Shqipëria është sot një narkoshtet!” Më tej ai tha gjatë daljes në një deklaratë për shtyp nga selia e Partisë së Lirisë se: “20 shkurti është dita e betejës pa kthim! Është dita e vendimit të madh mbarëpopullor! 20 shkurti po vjen dhe të gjithë shqiptarët e lirë dhe të ndershëm do ta thonë më fort se kurrë fjalën e tyre! Partia e Lirisë ju fton të gjithëve të bashkohemi në 20 shkurt, në ora 17:30, në bulevardin para Kryeministrisë, në protestën kombëtare, për të marrë në dorë fatet tona dhe të së ardhmes së Shqipërisë!” – tha Blushi.

Xhaferri: Në 20 Shkurt nuk ka asnjë arsye për të mos qenë në shesh

Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri në një reagim ftoi shqiptarët të protestojnë në 20 Shkurt. “Në 20 Shkurt do jemi në shesh për ata mijëra të rinj, që u larguan drejt Anglisë me gomone e kamionë, ku shumë prej tyre kanë humbur jetën tragjikisht, e shumë të tjerë kanë rënë në rrjetën e krimit duke shkaktuar zinxhir hasmërish dhe dramash sociale si askund në Evropë. Në 20 Shkurt do jemi në shesh, për auditoret dhe klasat e braktisura, për spitalet pa mjekë që janë kthyer në qendra morgu dhe policinë e korruptuar, që vetëm mbledh rrugëve viktimat e krimit. Në 20 Shkurt do jemi për ata sipërmarrës të ndershëm, që i falimentoi injektimi i parave të krimit në ekonomi, e do jemi dhe për ata të rinj që u duhen 70 vite punë për të blerë një shtëpi, si baza kryesore për të ndërtuar një familje dhe të ardhme. Unë do të jem aty, pres te jesh edhe ti pasi këtë Shqipëri nuk e kemi trashëgimi nga të parët por ua kemi marrë borxh fëmijëve tanë.” – tha Xhaferri.

Leskaj: Vlora në protestë në respekt të martirëve të demokracisë

Në vazhdën e organizimit të protestës kombëtare të opozitës më 20 Shkurt në Tiranë, deputetët e PD kanë nisur kontaktet e ngushta me njerëzit. Në Vlorë, deputeti Bujar Leskaj së bashku me kryetarin e PD atje, z. Atird Hoxha, u takuan me strukturat dhe kryefjala e takimit ishte pjesëmarrja në protestën e 20 shkurtit, e cila është thirrur nga Partia Demokratike dhe faktorët e tjerë opozitarë. Leskaj theksoi në fjalën e tij detyrimin dhe obligimin që kanë për pjesëmarrje në protestë në respekt të atyre martirëve të demokracisë përgjatë viteve 1943-1990 dhe të themeluesve të PD-së në qendër e Vlorë përgjatë viteve ‘90-‘91. Ai renditi gjithashtu dhjetëra arsye përse duhet protestuar, ku në themel të çdo arsyeje qëndron korrupsioni dhe politikat shpopulluese të sektit Rama. Në këtë takim dhanë sugjerimet e tyre lidhur me protestën e datës 20 Shkurt edhe drejtues të tjerë, demokratë aktivë të degës së Vlorës, si Bari Zanaj, Neim Mëhilli, Pajtim Lamaj, Niko Dumani, Agron Sharra etj.

Mziu: Demokratët dhe qytetarët e Dibrës dhe Bulqizës do të jenë të gjithë në shesh

Takime të shumta në kuadër të organizimit opozitar u kryen edhe nga deputeti Xhelal Mziu, i cili së bashku me përfaqësues të tjerë të PD kryen takime në Bulqizë dhe Dibër. “Demokratët dhe qytetarët e Dibrës me datë 20 Shkurt ora 17.30 do të jenë të gjithë para Kryeministrisë në protestë masive kundër qeverisë së krimit, korrupsionit dhe shpopullimit të vendit”,- tha deputeti Xhelal Mziu nga takimi në Dibër. Ndërsa në Bulqizë deputeti e konsideroi këtë qytet si simbolikën e shpopullimit në Shqipëri, në vend që të ishte si Zvicra, është bërë si “Spaçi”. “Qytetarët e Bulqizës me datë 20 Shkurt të gjithë në shesh kundër shpopullimit, kundër varfërisë ekstreme dhe kundër papunësisë, falimentimit të bizneseve dhe kushteve mizerabël të minatorëve. Minatorët e Bulqizës më 20 Shkurt që të gjithë do të jenë në shesh për mungesën e statusit të minatorit, për trajtimin mizerabël të tyre, për kushtet skandaloze në minierë dhe në qytet dhe për shpopullimin e Bulqizës. Të gjithë në shesh. Ne do t’ja dalim!” – tha Xhelal Mziu.

Mediu: 20 Shkurti, është dita e shqiptarëve për ndryshim

Edhe Partia Republikane iu është bashkuar lëvizjeve opozitare për të sensibilizuar qytetarët për pjesëmarrjen në protestën e 20 Shkurtit. Në një takim me strukturat e PR, kryetari Fatmir Mediu e konsideroi protestën e 20 Shkurtit si një mundësi që qytetarët shqiptarë të ngrenë zërin e tyre për një Shqipëri ku të drejtat respektohen dhe ekonomia zhvillohet. “E vetmja mënyrë për të marrë fund është që qytetarët shqiptarë të çohen të gjithë së bashku. 20 Shkurti është dita e shqiptarëve. 20 Shkurti është për të qëndruar, për të kërkuar një shtet që respekton Kushtetutën, që respekton qytetarët, që respekton të drejtat e tyre, që respekton parlamentin dhe parlamentarizmin. Kjo duhet të marrë fund! E vetmja mënyrë për të marrë fund është që qytetarët shqiptarë të çohen të gjithë së bashku! Ashtu siç janë çuar në 20 Shkurt 1991 për të përmbysur monumentet e diktaturës, sot është për të përmbysur sjelljen e njëjtë nga disa njerëz që nuk kanë interesin e Shqipërisë, por interesin e pushtetit të tyre”, -tha Mediu.

Bardhi: Opozita e Bashkuar do të jetë fituese në zgjedhjet 2025

Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi paraditen e së dielës në një takim me strukturat në Devoll tha ndër të tjera: “Kaluat të gjithë para disa muajsh, një betejë krejtësisht të pabarabartë; luftuat me kryetarin dhe kandidatin tonë për zgjedhjet vendore. Edhe pse rezultati nuk ishte ai që ne prisnin, unë shoh sot vendosmërinë tuaj për të mos u dorëzuar, vendosmërinë tuaj për t’u forcuar, vendosmërinë tuaj për t’u përballur, vendosmërinë tuaj për të fituar në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025. Dhe ky pa dyshim është një frymëzim dhe na jep edhe neve atje lart në Tiranë, kurajo që ekzaktësisht këtë vendosmëri që gjejmë në Devoll ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë dhe të gjitha shanset dhe mundësitë janë pas aktit të ditës së hënë dhe sigurisht asaj që ndodhi të premten me bashkimin e koalicionit opozitar, që nëse ne nisim punë që sot, derë më derë, fshat më fshat, qytet më qytet dhe arrijmë të fitojmë mendjen dhe zemrën e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, që pa dyshim janë shumicë dhe janë njëlloj si të vendosur të përballen, Partia Demokratike e Shqipërisë, opozita e bashkuar duhet dhe do të jetë fituese në zgjedhjet e 2025-ës.” – tha Bardhi.

Në 20 Shkurt, të gjithë në Tiranë! Berisha: Mafia më e fuqishme e botës u kontraktua për të shkatërruar opozitën

Lideri demokrat Sali Berisha tha mbrëmjen e së dielës përpara mbështetësve që të gjithë shqiptarët të jenë pjesë e protestës së 20 Shkurtit. Berisha tha: “Mafia më e fuqishme e botës u kontraktua për të shkatërruar opozitën shqiptare. Qeveria me në krye kryehajdutin e kombit bëri gjithçka që vendi të jetë pa opozitë, por të gjitha dështuan. Sot opozitë jeni ju”. Më tej ai tha se cilido që ka të shenjtë lirinë, dinjitetin dhe kombin duhet të jetë të martën në Tiranë për një betejë etike për të rikthyer në Shqipëri vlerat e lirisë, votën e lirë dhe pluralizmin.“20 Shkurti është dita e shqiptarëve, e betejës kundër tiranisë, Më 20 Shkurt mbi 100 mijë shqiptarë u bashkuan duke treguar një fuqi që kurrë nuk e kishte parë vendi, përmbysën simbolet e tiranisë më të egër dhe çelën rrugën e 22 marsit. Ky 20 shkurt fton çdo shqiptar që ka të çmuar lirinë dhe dinjitetin njerëzor, të ngrihet me guxim të vijë në Tiranë për një betejë pa kthim kundër regjimit, që bazohet në krimin vjedhjen e shqiptarëve, drogën dhe shkatërrimin e vendit. Ftoj qytetarët të vijnë në Tiranë, sepse demokracia dhe liria janë pasuri e të gjitha pasurive. Koha provoi se sot shqiptarët janë më të varfër”,- tha lideri demokrat Sali Berisha!