Prononcimi për median i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili

493
Sigal

Prononcimi për median i Kryetarit të Grupit
Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili

 

Vasili: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për
Vetting-un, rëndësi të jashtëzakonshme

Vasili: Vendimi, me rëndësi për integrimin
europian

Vasili: Të fitojmë kohën e humbur në drejtësi

Vasili: Klement Balili duhej të arrestohej që
dje

Vasili: Arrestimi i Balilit forcon aleancën
dhe shtetin ligjor

Vasili: LSI qëndrim të ashpër ndaj kujtdo që
shkel ligjin

 

Z. Vasili, Gjykata Kushtetuese mori sot
vendimin për Ligjin e Vettingu-t duke rrëzuar ankesën e PD-së. Cili është
komenti juaj?

Vendim që Gjykata Kushtetuese ka marrë lidhur
me Vetting-un, është një vendim i një rëndësie të jashtëzakonshme. Edhe për
thelbin e procesit të reformës në drejtësi, që merr besoj një legjitimitet të
ri, pasi pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese i hapet rruga zbatimit të
reformës, e cila është shumë e lidhur dhe e ka moment kyç zbatimin e
Vettingu-t.

Natyrshëm është një moment në të cilin duhet
punuar me përgjegjshmëri dhe me intensitet të lartë për të fituar kohën, pasi
në një mënyrë apo në një tjetër është humbur kohë e çmuar. Por besoj vendimi
vetë imponon këtë përgjegjësi të re, imponon një përgjegjësi edhe në zbatimin e
ligjit të Vettingu-t dhe reforma në drejtësi që nga ky moment, besoj duke
kaluar këtë problematikë që u paraqit, mund të ecë përpara dhe ka zgjidhur
besoj momentin kyç të saj.

Po kjo frymë përgjegjshmërie duhet të
shoqërojë edhe zbatimin e ligjit në praktikë, por në fund të fundit është marrë
një përgjigje e qartë edhe për një çështje, e cila e lidh reformën në drejtësi
dhe me integrimin evropian, dhe është një lajm pozitiv që shkon edhe në këtë
drejtim.

Pra kemi fituar një momentum të ri lidhur me
këtë çështje, e cila kërkon tashmë intensitet të lartë. Besoj që është një ditë
e mirë sot për reformën në drejtësi dhe një lajm i mirë për të gjithë
shqiptarët, të cilët e kanë ndjekur për një periudhë 2-vjeçare pothuajse
reformën në drejtësi, por edhe sa e lidhur ka qenë kjo reformë më këtë ligj, që
lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me pastërtinë e sistemit gjyqësor. Që do të
thotë besim shumë më të madh te ky sistem dhe drejtësia që do të prodhojë në të
ardhmen.

Pas zbatimit të ligjit për Vettingu-n , mos
ndoshta do të kemi shumë shpejt edhe një datë për hapjen e negociatave nga BE,
z. Vasili?

Një lajm i tillë është i lidhur vetëm me
pozitivitetin që mund të vijë, duke demonstruar përgjegjshmëri të lartë edhe në
zbatimin konkret të këtij ligji, kështu që besoj që ecim në një rrugë shumë më
pozitive se më parë dhe është një lajm i mirëpritur në radhë të parë për
shqiptarët. Duhet ta theksojmë këtë, por është një lajm shumë i mirëpritur edhe
për procesin e integrimit europian, që e kishte një moment delikat të tijin
edhe në raportin e fundit të BE-së. Vetting-u nënvizohet si një moment kyç në
procesin e integrimit.

Z. Vasili, a mendoni se reformën në drejtësi e
presin vonesa të tjera për shkak se edhe dy ligje të tjera të paketës së
reformës janë ankimuar nga PD-ja në Gjykatën Kushtetuese?

Hapja e rrugës për Vettingu-n, hap rrugën për
skanimin e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra do të thotë se ecim në një
rrugë që është thelbi i procesit për të pasur njerëz në pastër, të cilët do ta
qeverisin këtë sistem gjyqësor të ardhshëm dhe mendoj që këtu kemi zgjidhur
problemin themelor. Besoj se edhe të tjerat, në dritën e këtij vendimi, do të
ketë edhe qasje të ekuilibruar dhe racionale për çështje të tjera.

Z. Vasili, Ben Blushi pak më parë tha që
Klement Balili nuk arrestohet, sepse ka mbështetjen e LSI-së dhe një gjë e
tillë çon në rrëzimin e qeverisë…

Sigurisht nuk dua të bëj ndonjë replikë më z.
Blushi, as drejtpërdrejtë dhe aq më keq në distancë. Por dua të thosha në
mënyrë të qartë dhe të prerë vetëm dy momente.

Momenti i parë; për LSI-në, Klement Balili,
duhet të ishte arrestuar dje, pra jo sot, dhe përsa i takon konsideratës nëse
dobëson, e forcon apo e ç’bën mazhorancën, kam një konsideratë shumë të qartë
dhe të prerë.

Pra, arrestimi i tij i menjëhershëm që nga dje
e forcon aleancën politike, por mbi të gjitha forcon shtetin ligjor për të
cilin ne jemi investuar që të gjithë, pasi qëndrimi i LSI-së për të gjithë
njerëzit të cilët kanë probleme me ligjin të cilët e shkelin ligjin, përfshihen
në veprimtari antiligjore, qofshin ato kriminale apo të nivelit më të ulët,
papajtueshmëria jonë është absolute e plotë dhe nuk ekziston dhe nuk do të
ekzistojë as mbështetja dhe më vogël për kurrkënd.

Asnjë njeri i cili nuk respekton ligjin nuk
mund të ketë mbështetjen e LSI-së qoftë ky anëtar apo simpatizanti i LSI-së apo
një qytetar i thjeshtë cilido qoftë ai.