Prokuroria, Ramës: Ndjekim shembullin e Kroacisë, ku u burgos kryeministri

658
Replika të ashpra mes drejtuesit të qeverisë dhe organit të akuzës për dosjen “Tahiri”. Ja argumentet e palëve
Prokuroria për Krime të Rënda reagoi dje pas akuzave të kryeministrit Rama ndaj saj, duke ritheksuar qëndrimin se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin hetimor. Prokuroria për Krime të Rënda deklaroi se e kishte të qartë se, që në fillimet e hetimit të dosjes “Tahiri” do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se person nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Por kjo nuk e pengoi aspak që t’i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për autorizimin për arrestimin e personit nën hetim. “Në vlerësimin e prokurorëve të çështjes, ekzistojnë kushtet dhe rrethanat ligjore, për të cilat është e nevojshme të merren masat që parashikon Kodi i Procedurës Penale për rastet e veprave të rënda, si ato të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë….”. Gjithçka që u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, paraditen e së hënës (dt. 23.10.2017) shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë-Reformën në Sistemin e Drejtësisë”, u shpreh organi i akuzës. Sipas prokurorisë, në fjalën e tij, kryeministri, në cilësinë e Kryetarit të subjektit politik që ai drejton, shprehu opinionin dhe vlerësimin mbi provat e paraqitura në mënyrë sekrete nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë. “Në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj. Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë, që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika. Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi”, deklaroi prokuroria. Gjithashtu, sipas organit të akuzës, “përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë”. Prokuroria për Krime të Rënda tha, se është e bindur që i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Evropian. “Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë, e cila nuk do të përballohet me sukses. Gjithsesi, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet e saj, si për rastin konkret, ashtu edhe për çështje të tjera të krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale. Deklaratat politike dhe, sidomos presionet indirekte me procesin e Vettingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cenojnë proceset hetimore”, deklaroi prokuroria në një deklaratë të pazakontë.

Deklarata e prokurorisë është pasuar nga një tjetër përgjigje e Ramës. “Kryeministri i rikujton me këtë rast organit të prokurorisë, se ligjvënësit nuk janë noterë të kërkesave të këtij organi, po kanë detyrimin kushtetues t’i lexojnë ato, të dëgjojnë sqarimet e përfaqësuesve të organit në fjalë dhe, pa diskutim, të gjykojnë mbi to. Prandaj ai, përsërit apelin që Prokuroria e Krimeve të Rënda të bëjë punën që i ngarkon Kushtetuta e Shqipërisë dhe legjislacioni shqiptar, dhe gjykimet mbi politikën t’ia lerë publikut”, deklaroi zyra e shtypit të kryeministrit.
PS largon Tahirin, por e mbron nga burgu
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste do ta refuzojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si “të pabazuar në prova”, ndërsa theksoi se do t’i japë të gjithë mbështeten “një hetimi serioz e të thellë”. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama tha se deri në përfundim të procesit “Tahiri nuk do të jetë më pjesë e këtij grupi dhe as e forumeve drejtuesve të Partisë socialiste”. Në një fjalë të gjatë rreth çështjes “Tahiri”, e cila që prej një jave ka mbërthyer debatin politik, kryeministri mbrojti qëndrimin që përfaqësuesit e partisë së tij mbajtën në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve. Ish-ministri i Brendshëm ka qenë ndër figurat që i ka dalë gjithnjë në krah, duke e lëvduar për punën e tij. Por dje ai tha se detyra e shumicës për të bërë avokatin e Tahirit “ka mbaruar ditën që ai ka marrë një avokat për t’i hyrë në një betejë ligjore për drejtësi”. “Kjo parti – nënvizoi ai – nuk ka për t’u bërë asnjëherë mburoja e kujtdo përballë drejtësisë, por nuk do lejojmë që në emër të Drejtësisë të griset kushtetuta e të poshtërohen deputetë e shërbëtorë publikë, me alibinë se po luftohet krimi e korrupsioni apo me synimin për të bërë dhe larjen e hesapeve për llogari të palëve politike”. Sipas kryeministrit në Komisionin e Mandateve dhe Imuniteteve, “prokuroria dha një shfaqje, sa komike aq dhe dramatike”. Ndërsa foli për mungesë provash që të mbështesnin kërkesën për arrest, Rama la të kuptohej se lëvizjet e prokurorisë sipas tij ishin të motivuara politikisht: “Uroj sinqerisht që prokurorët e kësaj çështje shumë serioze e të rëndësishme ta mbledhin veten, të mbyllin komunikimet me nxitësit e nxituar të asaj farse, të fokusohen te çështja e të bëjnë deri në fund punën e tyre”. Sipas kryeministrit, “Tahiri nuk mund të linçohet me një burgosje që në këto kushte ka vetëm qëllime të poshtra, por duhet gjithsesi të hetohet dhe deri kur e vërteta të dalë ne do vigjilojmë mbi procesin vetëm në aspektin e garancive kushtetuese ligjore por nuk do përzihemi si mbrojtës të Tahirit”. Deri në përfundim të procesit, “Saimiri do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë për të bërë betejën e tij ashtu si do e mendojë ai, jashtë forumeve të PS dhe jashtë grupit parlamentar”, theksoi Rama.
Sigal