Prokuroria kërkon “arrest me burg” për ish-ministrin, Ksera: Arrestimi politik

453
Prokuroria do të paraqesë sot në gjykatë kërkesën për ‘arrest me burg’ për ish ministrin e vënë në pranga, Spiro Ksera.
Brenda 48 orëve, gjykata do të caktojë masën e sigurisë.
Hetimet për ish-­ministrin Ksera janë zhvilluar nga njësia Task-­Forcë pas kallëzimit të bërë nga KLSH.
Ksera: Arrestimi im politik
Por sipas Spiro Kserës, arrestimi me urdhër të Prokurorisë së Tiranës ka prapavijë të qartë politike dhe këto që thotë do të provohen.
Ksera është sjellë në Tiranë, por në ato që ka thënë në policinë e Gjirokastrës, Ksera ka deklaruar se “arrestimi është me prapavijë politike për shkak të fuqizimit të Partisë Demokratike në zonën e Dropullit gjatë viteve të fundit.
Ksera u transferua gjatë natës drejt Tiranës. Mësohet se në automjetin që bëri shoqërimin e Kserës në policinë e Tiranës ka qenë edhe një prokuror.
Prokuroria e Tiranës nxorri urdhër ndalimi për ish-ministrin Ksera
Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshime se ish-ministri Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, i cili u ndalua mbrëmjen e së Premtes (dt. 29.01.2016), ka kryer veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” nëpërmjet procedurave fiktive për organizimin e disa aktiviteteve social-kulturore gjatë vitit 2013.
Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka zhvilluar hetimet në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në kuadër të veprimeve proceduriale, janë krijuar dyshime të arsyeshme se ish-ministri Ksera, në cilësinë e kryetarit të Entit Prokurues, në bashkëpunim me ish-drejtorin e Kabinetit, Kleves Bitro, si edhe me mbështetjen e disa zyrtarëve të tjerë, kanë vjedhur 30 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit.
Këto shuma financiare, ish-drejtuesit e lartë të Ministrisë së Punës i kanë akorduar për disa aktivitete për shtresa të ndryshme sociale, por që faktikisht këto evente nuk janë realizuar, ose janë realizuar me kosto shumë më të ulta nga ato që janë shënuar në dokumenta.
Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se janë kryer pagesa për aktivitetet që nuk janë kryer, si më poshtë:
1-“Prioriteti i minoriteteve-Barazi në të drejta”;
2- “Kapërceni paragjykimet-Njihni romët”;
3-“Ne sfidojmë të gjithë sëbashku”;
4-“Të ndryshëm, por të barabartë”;
5-Përfshirje sociale-Drejtësi sociale”
6-“Mosha e tretë, vlerë për shoqërinë”.
Denoncimi i KLSH-së
Hetimet e prokurorise për ish-­ministrin Ksera janë zhvilluar nga njësia Task-­Forcë pas kallëzimit të bërë nga KLSH.
Auditi është realizuar për periudhën 1 prill 2011 deri më 30 shtator 2012.
Burimet bëjnë të ditur se dëmi ekonomik që ka shkaktuar Ksera kur ka qenë në detyrë kap shifrën e 30 milionë lekëve të reja. Ksera ka mbajtur postin e ministrit të Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në kohën kur në qeveri ishte PD.
Sigal