Projektet, Shqipëria, Mali e Zi e Kroacia bashkohen në Durrës

521
Korridori Blu dhe Korridori Adriatiko-Jonian, janë dy projekte rajonale që lidhin strategjikisht Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kroacinë. Në takimin trepalësh të Adriatikut, mbajtur dje në Durrës, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Kroacisë, Marija Pejçinoviç Buriç, si edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviç ranë dakord që vendet të përqendrohen në stimujt dhe mundësitë që do të ndihmonin në përshpejtimin e fazave të zbatimit dhe të punojnë së bashku për të dhënë mbështetjen financiare për të dy projektet. Ministrat informuan për projektet aktuale dhe të ardhshme si pjesë e agjendave kombëtare në infrastrukturë, energji dhe turizëm. Ministrat thanë se një bashkëveprim më i mirë midis vendeve pjesëmarrëse në këtë pjesë të Evropës Adriatike, është me interes të përbashkët. Për këtë qëllim, ministrat përsëritën domosdoshmërinë dhe inkurajuan platformat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme kombëtare, në mënyrë që të koordinohen veprimet në mbështetje të projekteve me interes të përbashkët. Duke rikujtuar Deklaratën e Përbashkët të miratuar në takimin e parë në Split, Kroaci, më 10 shkurt 2017, ministrat riafirmuan rëndësinë e kësaj platforme strategjike të bashkëpunimit midis tre vendeve, si një mekanizëm të vlefshëm që kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës Juglindore. Shqipëria e Kroacia përgëzuan Malin e Zi për anëtarësimin në NATO. Ministrat shprehën kënaqësinë dhe theksuan rëndësinë e zgjerimit të NATO-s përgjatë bregut të Adriatikut. Përveç kësaj, kjo do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Juglindore dhe do të inkurajojë kandidatët e tjerë që të vazhdojnë me agjendat e tyre të reformave, të cilat do të mbështeten plotësisht nga të tre vendet.
Sigal