Projekt-Buxheti për 2018, Rama konsultime publike në Vlorë: Ja ku do investohet

466
Ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama për të diskutuar projekt-buxhetin e vitit 2018, është Qarku i Vlorës. Kryeministri Rama ka nisur një dëgjesë me qytetarët e Vlorës, për të kuptuar se ku është e domosdoshme të përqendrohen zërat e buxhetit, sipas nevojave të qytetarëve. Teksa u ndal tek problematika e ujit të pijshëm, Rama tha se brenda vitit përfundon impianti i ujërave të zeza në Ksamil, duke shtuar se po vazhdon ky projekt në Vlorë.“Duam të zgjerojmë më tutje shërbimet spitalore. Qendrën e Kaninës e kemi shpallur zonë të mbrojtur, do të vazhdojmë projektin e qendrës urbane, kemi një sërë projektesh të tjera. Brenda vitit të ardhshëm do të fillojmë rindërtimin e bulevardit Vlorë-Skelë. Do të vijojmë fazën e dytë të Lungomares në krahun perëndimor, për ta shtrirë deri në pyllin e Sodës. Kemi nisur një projektim të zonës qendrore të portit, pasi duam të çelim rrugën për një port turistik. Do të ishte një nxitje e fuqishme, për ekonominë, punësimin, dhe turizmin në Vlorë”, tha Rama. Gjithashtu ndërtimi i aeroportit në qytetin bregdetar të Vlorës do të jetë një ndër prioritet kryesore të qeverisë. Kryeministri shpalli ambicien për përfundimin e tij brenda këtij mandati qeverisës. “Është prioritar aeroporti i Vlorës dhe do jem në proces me Ministrin e Infrastrukturës dhe Ministrin e Financave dhe Ekonomisë për ta nxitur më tutje procesin pasi jemi njohur me masterplanin e përgjithshëm dhe tani presim që të përfundojë projekti për të hyrë pastaj në një fazë të lidhjes së kontratës dhe fillimit të punimeve. Ambicia është që brenda katër-vjeçarit të kemi fluturimin e parë por sigurisht kjo është vetëm për momentin një ambicie e bazuar në dëshirën. Jam shumë optimist sidoqoftë”, u shpreh Rama.
Sigal