Projekt-buxheti 2016: Ja zhvillimet në seancën e sotme

496
Kuvendi nisi sot në një seancë maratonë shqyrtimin në parim të projektbuxhetit të vitit 2016 dhe paketës fiskale që shoqëron atë në një seancë të posaçme parlamentare. P/buxheti u prezantua nga kryeministri Edi Rama, ndersa punimet e seances do te vijojne me diskutime te nje numri te madh deputetesh nga te dy palet. Por fjalimi i kryeministrit kishte brenda fjali qe preken opoziten e cila ne fillim te seances bllokoi foltoren dhe kryeparlamentari Meta u detyrua te nderpriste 10 minuta punimet. Seanca rifilloi me fjalimin e Rames, i cili mbrojti buxhetin dhe komentoi dhe vizitat jashte vendit.Reagime ndaj fjales se kryeministrit u bene nga Ridvan Bode, Sali Berisha, Edi Paloka etj.

Majko: 90% e atyre që na dëgjojnë nuk kuptojnë asgjë
Ora 17:44 – “90% e atyre që na dëgjojnë thuajse nuk kuptojnë asgjë. Sepse në një mënyrë apo një tjetër diskutimi jonë është i largët, ndonjëherë kjo ndodh natyrshëm, ndonjëherë në mënyrë të panatyrshme.”- deklaroi deputeti socialist, Pandeli Majko në Kuvend.

Diskutimet në Kuvend për Projektbuxhetin 2016, Cani: Investimet, 92 Miliardë Lekë
Ora 17:00- Seanca e posaçme plenare po vijon me diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2016 dhe paketën fiskale që e shoqëron atë.
Në përgjigje të akuzave të ngritura në emër të grupit parlamentar të PD-së nga deputeti Ridvan Bode, ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi se investimet publike për vitin 2016 janë 92 miliard lekë.
“Janë 62 miliard lekë nga qeverisja qendrore, 10.5 miliard lekë nga Fondi i Zhvillimit të Rajonit dhe 5 miliard lekë mbështetje për sektorin e energjisë”, – tha Cani.
Ministri Cani tha se ka ndryshuar raporti i shërbimeve operative me investimet, 40 me 60%.
“Mbi 80 për qind e ekonomisë shqiptare është private. Nuk them se cila parti e ka bërë se të gjithë e kemi bërë në këto 25 vite privatizimin, nuk po them kush më shumë e kush më pak. Po që të jetë 80 e kusur përqind e ekonomisë në duart e privatit dhe t’i të mendosh se çfarë parash shpenzon shteti është dozë e thellë naivitet. Shteti pjesën e vet në këtë rritje ekonomike me 92 miliard lekë e ka pjesën e vet”, – tha ministri Cani.
Duke folur për reformën e ndërmarrë kundër informalitetit në fillim të muajit shtator, kreu i Financave publike, Cani tha se janë 14.5 miliard lekë që do të vijnë nga lufta kundër informalitetit.
“U është fiksuar ideja e panikut, për të ngjallur panik te njerëzit për të krijuar idenë, sikur do bëhet qameti. Në këtë buxhet të vitit 2016, 14.5 miliardë lekë do të vijnë nga lufta kundër informalitetit. Nga reforma e tërë kundër informalitet. E keni aty në vend që të filozofoni”, – tha Cani

Bode: Buxheti i paraqitur, apologji e dështimit të kësaj qeverie
Ora 16:58 – Ish-ministri i Financave, deputet i PD-se, Ridvan Bode, i cili tha se kjo ishte apologjia e dështimit të kësaj qeverie, apologji e pamundësisë, paaftësisë dhe mungesës së përkushtimit që kjo qeveri dëshmon ndaj problemeve që ka për qeverisjen e vendit. “Metodë e njohur që lyen me zink kundërshtarin për t’u dukur më i bardhë në pasqyrën që sheh veten e tij”, tha ish- ministri i qeverisjes së djathtë.
Bode tha se buxheti nuk i përgjigjet pritshmërive të qindra mijëra familjeve shqiptare që lidhen me politikat e qeverisë për pagat, pensionet apo shërbimet, apo atyre familjeve që kanë biznese e që lidhen me oreksin e kësaj qeverie. Duke renditur disa nga ato që deputeti i djathtë i konsideroi rekode negative, si programimin më të ulët të të ardhurave me rreth 400 milionë dollarë apo rritjen e borxhit me 12 pikë përqindje, Bode tha se kjo qeveri ka dështuar në mbledhjen e taksave të rritura.
“Janë programuar 400 milionë dollarë më pak në krahasim me një vit më parë, teksa taksat janë rritur për dy vite me radhë”, – deklaroi Bode.
Sipas tij, efekti nga rritja e taksave për dy vite me radhë është rreth 430 milionë dollarë, ndërsa të ardhurat janë 330 milionë dollarë më të larta se në 2013-ën. “Mungojnë 100 milionë dollarë në buxhet nga taksat e rritura”, -tha ai.
Kjo, sipas tij, vjen për shkak të evazionit e kontrabandës së lartë në dogana si dhe mos zbatimit të taksave për bizneset e lidhura me pushtetin, përndryshe vijoi, Bode nëse ballafaqojmë shifrat ekonomia nuk u rrit siç pretendohet me 2.7 5 por u ul me 5 %.
Bode po ashtu akuzoi qeverinë se me pretendimin se po shlyen borxhet e prapambetura që i ka deklaruar 726 milionë dollarë e që në fakt vetëm 500 milionë dollarë janë certifikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka rritur borxhin nga 61.9 % te PBB-se, në fund të vitit 2013 në 74 % te PBB-se, në fund të muajit të shkuar. “Vetëm nga Banka Botërore e FMN-ja ka marrë 500 milionë dollarë për të mos folur për daljet në tregjet ndërkombëtare financiare apo tregun e brendshëm”,- tha Bode.
Ministri Bode, referuar rënies së çmimit të naftës në bursa, sqaroi se pagesa e importuesve bëhet me lekë dhe se dollari është rritur nga 106 në 128 lekë. “Shqiptarët këtu i paguajnë importuesit në lekë dhe dollari nga 106 lekë është 128 lekë. Janë rreth 20 e ca lekë për litër që duhet t’i kishim marrë më shumë, po ku i kanë dhe nuk i bëjnë hesapet me leke, me tregun me çmime më të larta të karburantit në të gjithë rajonin”, tha Bode.
Sipas tij, mospagesa e TVSH-së për HEC-et private është faktor për mosrealizimin e parashikimit të qeverisë, për të cilën kryeministri Rama tha se ka rënie të importit të energjisë. “TVSH e energjisë elektrike llogaritet dhe paguhet mbi bazën e çmimit përfundimtar që ka te qytetari dhe nuk ka rëndësi nëse vjen te importi. Me këtë zbuluan faktin se nuk kishin paguar TVSH e të gjithë HEC private që prodhojnë energji, që në procesin e pagimit të taksave do të rimbursohen në pjesën e rimbursueshme. Të gjitha janë thjesht apologji për të fshehur evazionin e madh që ka në sistemin e doganave”,- tha Bode.
Berisha: Kur Flet Ti Për Pantallona Të Lagura, Ta Tregoj Një Fotografi Si Je Bërë Qull. Ky Është Buxheti I Katastrofës
Ora 15:20-Për ekonomi, Kryeministri është një analfabet dhe përpiqet të bëhet interesant me furrxhiun e Surrelit dhe pantallonat e lagura. Por ai i ka të lagura pantallonat, i vetmi që nuk mund të flasë për pantallonat e lagura, ai është fotografuar me pantallona të lagura. E kam me vete fotografinë, po të doni jua tregoj.
Të ndalemi te buxheti. Më parë thoja është buxheti i gropës, por ky është i katastrofës.
Por ky thotë çfarë ka rritja me buxhetin atëherë çlidhje ke ti me financat.
Problemi qëndron se kemi të bëjmë me një buxhet katastrofë.
Mburrje qytetarëve se tani do paguajnë sa frëngu pulën, gropën që bënë. Morën çmendurisht në dy vite 2 pikë ca miliard borxh, dilte këtu dhe na kapardisej, ky është buxheti më i madh në histori.
Nëse dikush e voton këtë buxhet, atëhere votoni Ramën përjetësisht”.
Cani: Bode ngatërron enkas Aritmetikën, të korigjohet
Ora 15:00- Menjëherë pas Bodes, fjalën e mori ministri aktual i Financave Shkëlqim Cani, i cili i kujtoi pararendësit Aritmetikën. Sipas Canit, ose Bode nuk e njeh atë, ose e ngatërron me kast.
“Ish ministri foli këtu për shifra që nuk i perceptoj dot. Nuk dua të besoj që ai s’di Aritmetikë, por i ngatërron enkas”, tha ai. Duke i kërkuar Bodes të korrigjojë mendjen, Cani i tha se: “Investimet janë 92 milionë lekë më të larta”.
“Të thuash që nuk përfitojnë 97 mijë familje të biznesit të vogël nga ulja e taksave kjo është një absurd”. Cani tha më tej se me këto shifrra të pavërteta opozita kërkon të ngjallë panik tek shqiptarët.
Bode: Buxheti 400 Milione Dollare Me I Ulet, Rama Ben Apologji
Ora 14:27- Ridvan Bode i kthen përgjigje Ramës për buxhetin. Në fjalën e tij ish-ministri i Financave i tha kryeministrit se me fjalën e tij bëri apologjinë e dështimit të kësaj qeverie.
“Gjithçka që tha përbënte apologjinë e dështimit të kësaj qeverie, mungesë përkushtimi ndaj problemeve të vendit. Në apologji vendin kryesor e zë metoda e tij e njohur, thelbi si të lyejmë me zi kundërshtarin për tu dukur më të bardhë në pasqyrën që sheh veten e tij. Ky buxhet për herë të parë programohet në rënie jo vetëm në vlerë reale por edhe nominale. Është 400 milionë dollarë më i ulët se një vit më parë’.
Sipas Bodes, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar thanë se kjo qeveri ka dështuar. “Vetëm këtë vit krijohet gropa 350 mln $ në buxhet, 20 mln $ më pak janë mbledhur nga akcizat në buxhetin e shtetit. Nuk është paguar tvsh e HEC private që prodhojnë energji, çmimi i energjisë elektrike është rritur me 22 lekë. Bëhet apologji për të fshehur evazionin në dogana”,- shtoi ai.

Paloka i kujton Muhabetin e zorrës dhe gojës, Kryeministri: E fitove çorbën!
Ora 14:00- Në fund të fjalës së tij, Rama nuk e kurseu ironinë për protestën e 8 dhjetorit të opozitës, ndërsa i cilësoi deputetët e djathtë si të mbytur, për aq kohë sa në sallë mungon ish-kryeministri Berisha. Sipas Ramës, vetëm ai i ndez.
“Sporti juaj është mitingu, ulërima.. Në 8 vjet dhatë vetëm 80 milionë të vjetra dollarë, ne në vetëm 2 vjet investuam 25 milionë dollarë. Do thoni ç’na duhet sporti, ne kemi miting. Mitingun ta bëni, revolucionin ta ëndërroni, do mbeteni tek llojet e vjetra të sportit, që në fund të ditës do ti luani vetëm se shqiptarët nuk ju vijnë më nga prapa, për aq kohë sa ëndërroni ta ktheni mitingun në revolucion”.
Rama nuk e kurseu ironinë as me ish-kryeministrin Berisha kur tha se: “Berisha ikën e vjen, e kuptoj për arsye moshe, se i duhet të dalë jashtë”.
Pikërisht kjo shprehje nxiti reagimin e krut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili i kujtoi kryeministrit “muhabetin” e zorrës dhe gojës të përmendura edhe në seanca të tjera parlamentare.
“Është bërë si Ahmadinexhadi, do doja të mos kemi më skena të tilla në këtë parlament, sa herë i rreshket… atë punën e gojës dhe zorrës nuk e ka për herë të parë. Ia kemi thënë se i vetmi që as gojën as zorrën nuk i përdor për ato që ia ka dhënë zoti është ai aty”
Ndërhyn Meta: Mos bëni autogola!
Më pas kryeministri replikën me Palokën duke thënë se çdo gjë që bën e ka për të siguruar bukën e përditshme.
“Normalisht kur hidheni përpjetë dhe bëni akuza se dikush ju tha atë që ju e merrni me mend, se gjuha shkon ku ju dhemb dhëmbi… Duhet të mishëroni vetë atë që prisni nga tjetri. Kërkoj mëshirën e shumicës dhe popullit shqiptar për këtë që foli para meje. Ky ka orën që duhet të fitojë çorbën, mëshirë për zotërinë”.
Rama: Vizitat e mia jashtë, njësoj sa paraardhësi, por më cilësore
Ora 13:46- Kryeministri tha se investimet e huaja janë rritur dhe përqindja e tyre në prodhimin e përgjithshëm kombëtar është rritur. Gjithashtu ai ka folur edhe për vizitat e tij zyrtare jashtë vendit, duke thënë se ato janë gati në të njëjtin numër me të paraardhësit por më cilësore. “Investimit e huaja 7 % e prodhimit kombëtar. Investimet e huaja janë rritur se përqindja në prodhimin e përgjithshëm kombëtar është rritur. Rritja e investimeve të huaja për ne e domosdoshme, mbi shifrat që kanë lënë këta. Politika jonë sociale 25 vjet ka qenë njësoj si lëmosha e të pasurit tek dera e kishës që i hedh të varfrit. Këtë po ndryshojmë dhe do të ndryshojë rrënjësisht, duke rritur investimet e huaja. Shqipëria e dy vjetëve më parë ishte në kushtet kur nuk kishte asnjë lloj reputacioni qoftë në nivelin kombëtar, qoftë tek investimet. Zero, përtokë. Vizitat e mia jashtë po aq sa paraardhësi im. Por ndryshon cilësia. Këto janë rezultat i rritjes së besueshmërisë së këtij vendi. Investimet janë ato që vijnë më pas. Kredibiliteti dhe besueshmëria politike krijohet fillimisht”, tha Rama.
Duke i kthyer përgjigje opozitës edhe për akuzat e saj për shpenzimet e luksit, Rama tha se janë ulur shpenzimet operative.
“Kanë bërë shumë zhurmë këta për lukse, për makina. E dini raportin e totalit të shpenzimeve operative, ishte 83.4 % të shpenzimeve totale, këtë vit 80.4% të totalit. Se për ju edhe pastërtia dhe rregulli janë luks. Këta se durojnë dot as humorin as ironinë, kanë mjete të tjera, mjete të forta. Këto janë shifra. Mos të hyjmë pastaj se çfarë i keni bërë benzinës dhe makinave. I keni trajtuar makinat si kuaj dhe benzinën si ujë”, tha ai.
Kryeministri ka folur edhe për investimet në infrastrukturë, duke thënë se asnjë rrugë e bërë nga qeveria e kaluar nuk ka qenë e përfunduar.
“Në rrugë keni investuar shumë, por më thoni një rrugë të vetme që e mbaruat, që e mirëmbajtët dhe që nuk ka nevojë sot për shpenzime ekstra. Më e mira rrugë që bëtë, është “Rruga e Kombit”. Aty keni lënë akoma ura pa bërë, ura me një këmbë. Keni bërë korsi që futen në tub të shishes dhe keni lënë amanet 160 mln euro. Bëtë rrugën që shkon deri në Shkodër. Keni shkuar natën në Lezhë, si e gjeni rrugën? E gjeni me hamendje. Kujdes se jeni shumë që i jepni makinën, humbisni dhe baste dhe ju humb shikimi.
E keni lënë rrugën e Elbasanit, gropë në buxhet. Rrugët bëhen me para. E dyta, rrugët bëhen me projekte, e treta bëhen me cilësi. E bëtë buxhetin copë-copë. Rrugën e Elbasanit e keni bërë pa projekt, se ishte urdhri. Pa projekt, pa studim gjeologjik. Midis jush dhe projektit është në mes një shekull. Ju jeni akoma tek kali, tek shtegu dhe tek horizonti. Së pari, çka bëjmë ne është që për paratë që shpenzojmë bëjmë projekte më cilësore dhe punë më cilësore. Në atë lloj shtegu që latë ju për rrugën më të rëndësishme nga Tirana në Vlorë, kemi bërë investime për ta sjellë në standarde normale. Për të mos thënë njerëzit ku jemi këtu, mos jemi në Afrikë. E dini sa e keni lënë gropën për të mbuluar rrugët tuaja, 280 mln euro. Aty ku kalon ti nuk meriton rrugë. Ti vetë nuk meriton rrugë”, u shpreh Rama duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.

Rinis seanca, Rama rimerr fjalën
Ora 13:10- Parlamenti ka rinisur seancën pas një pushimi të shkurtër, për shkak të situatës së acaruar në sallë. Kryeministri Edi Rama ka rimarrë fjalën duke thënë se çmimet janë më të ulëta se në vitin 2013 dhe se kjo qeveri ka rritur pagesën e papunësisë dhe të ndihmës ekonomike.
“Pas ndërprerjes publicitare po e rimarr fjalën. E gjithë propaganda që duan t’i fusin në kokë shqiptarëve se rriten çmime… të dhënat tregojnë se sot blihet më lirë se në vitin 2013, buka, drithërat, vaji, sheqeri. Ne e kemi rritur pagesën e papunësisë. Ka patur rritje të ndihmës ekonomike. Problemi i pronës nuk do të ekzistojë më si problem. Zgjidhja nuk është ideale”, ka thënë Rama.
Duke iu drejtuar opozitës, Rama tha “Vijnë sot na kërkojnë llogari për gjitha gjërat e pabëra dhe gjithë horrllëqet që i kanë bërë vetë. Duke bërë të rënin nga qielli”.

Opozita Bllokon Foltoren Pas Fjalimit Te Rames, Meta Nderpret Seancen
Ora 13:00-Kreu i Kuvendit Ilir Meta është detyruar të ndërpresë seancën ku po diskutohet projektbuxheti pasi deputetët e opozitës janë çuar më këmbë të indinjuar nga fjalori dhe gjuha e përdorur nga kryeministri Edi Rama.
Opozita është çuar më këmbë dhe i është afruar foltores ku qëndronte Rama, i cili është rrethuar menjëherë nga forcat e sigurisë së parlamentit. Pas acarimit të situatës, Meta ka ndërprerë seancën për 10 minuta pushim.
(Deputetët e opozitës flasin nga vendi)
Rama: Ulu! (Nokës).
Meta: Zoti Berisha, të lutem qetësoje grupin. Keni nevojë për pushim! (ndërpritet seanca)
“E Bëtë Shtetin Kashtë E Koqe, Fut Nga Mbrapa”! Fjalimi I Ramës Acaron Opozitën”
Ora 11:40-Edhe pse i mungoi Parlamentit dy seanca parlamentare, pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama tek seanca e sotme maratonë e Kuvendit la gjurmë që në nisje të fjalimit. Gjuha e kryeministrit plot figura ka shkaktuar reagime tek deputetët e opozitës që e kanë qeshur e nënqeshur nga vendi. “E bëtë Shqipërinë çorap, prandaj nuk bëni dot ju luftë ndaj informaliteti, prandaj nuk bëni shtet. E bëtë shtetin kashtë e koqe”. “E thoni pse gjobat. Gjobat nuk janë për të varfrit, por për ata që shkelin ligjin. Pse burg, po burgu për çfarë është bërë? Për ju? Për të pritur kur është radha për të bërë drejtësi. Qeshni, qeshni se i vetmi pushtet që keni në dorë është të qeshni. E keni pushtetin t’i jepni urdhër gojës të shqyhet pa arsye. Qeshni dhe prisni revolucionin, ndërkohë që revolucioni fiskal vazhdon”. Mandej Rama ka ironizuar thirrjen e opozitës që protesta e 8 Dhjetorit të kthehet në një revolucion. “Doni në ndizni zjarrin e revolucionit. Zjarri juaj mund të ndizet vetëm në pantallona të lagura”. Pasi deputetet e opozites kane ngritur zerin nga vendit, Rama ka shqiptuar: “Si një skuth për t’ua futur nga mbrapa, atë që medemek ua heq nga para”. “Goja nuk është e formuar për atë veprimtari, ka të tjera territore që e bëjnë atë veprimtari”.
Rama: Do kemi Suficit Primar, nuk krijojmë borxhe të reja për shqiptarët. Revolucionit pijini lëngun
Ora 11:20-Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën i pari në nisje të seancës plenare ku diskutohet projektbuxheti për vitin 2016. Rama i është përgjigjur edhe opozitës për akuzat për mosrealizimin e atë ardhurave në tatime e dogana, ndërsa deklaroi se të ardhurat për periudhën 2014-2015 janë 330 mln dollarë më shumë se periudhën 2008-2013 të qeverisjes së kaluar. Rama ka parashtruar edhe faktorët që sipas tij bënë që të mos realizohej parashikimi për mbledhjen e të ardhurave në tatime e dogana.
“Çdo vit kur i vjen radha këtij diskutimi, kryeministri i radhës thotë se sa i mirë, dhe sa më i mirë se herët e tjera projektbuxheti i ri. Unë sot nuk do them se sa i mirë është pr/buxheti apo sa më i mirë se herët e tjera është. Unë sot dua të vendos një pasqyrë të realitetit: Ku ishim para 2 vjetësh dhe ku jemi sot kur po paraqesim projektbuxhetin e vitit të tretë. E di që ka njerëz që e kanë zët të dëgjojnë ku ishim 2 vjet më parë. Ka njerëz që duan të dëgjojnë se çfarë do bëjmë. Të gjitha këto janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe cilido që përqendrohet në një pikë e ka të vështirë të parafytyrojë të nesërmen. Ndaj do mundohem t’i lidh gjërat bashkë. Ka edhe plot njerëz që nuk duan të dëgjojnë. Si mund t’ua mohojmë të drejtën kundërshtarëve të gënjejnë për borxhin, të shpifin për të ardhurat, të sajojnë për të varfrit apo të llafollogojnë për të ikurit. Si mund t’ua mohojmë të drejtën për t’u thënë shqiptarëve ngrihuni në revolucion se këtë vit janë vjedhur në dogana e tatime 1 mln dollarë? Vitin e shkuar u mblodhën më shumë të ardhura se në 5 vjetët paraardhëse të marra së bashku. Fakt që ishte parashikuar të mblidhnim më shumë. Pse nuk u realizuan? Të ardhurat tatimore mesatare për 2006-2013 janë 23.3% dhe 23.1% nëse nuk përfshin 2008-ën kur u hap edhe gropa e madhe në arkën e shtetit shqiptar me gjithë atë procedurë ende sot për tu gjykuar nga drejtësia, për ndërtimin e Rrugës së Kombit. Në 2013, 22.2 % të PBB-së. Në 2014-2015 të ardhurat tatimore janë 24% e këtij prodhimi në raport me PBB-në. Pra, janë në përqindje më shumë se sa në të gjithë vitet e qeverisjes së mëparshme të marra së bashku. Në vitin 2014-2015 të ardhurat 598 mln dollarë. Të ardhurat nga tatimet e doganat për 2014-2015 janë 330 mln dollarë më të larta se 2008-2013. Jemi në kushtet kur krahasimi me ku ishim është fare i qartë. Nga ana tjetër u detyrohem të gjithë shqiptarëve një shpjegim pse parashikimi ynë nuk u realizua. Ka një sërë faktorësh që nuk kanë lidhje as me qeverinë shqiptare, as me administrimin e tatimeve e doganave. Së pari rënia e çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare. Askush nuk mund të ngarkojë me përgjegjësi qeverinë që nuk parashikoi një rënie në bursë të çmimit të karburanteve. Rënia e të ardhurave nga renta patën një efekt në parashikimin tonë prej 42 mln dollarësh. Përgjysmimi i importit të energjisë elektrike për periudhën janar-nëntor. Rënia e sasisë së importit të cigareve, ishte një rënie më e madhe se sa parashikimi ynë i mëparshëm kur vendosëm të rrisim akcizën dhe efekti është 35 mln dollarë më pak në raport me parashikimin. Gjithashtu ndikoi politika jonë e rritjes së përjashtimeve me qëllim stimulimin e sipërmarrjes përmes heqjes së taksës si dhe rimbursimet e akcizës për industrinë e peshkimit me një efekt prej 13 mln dollarësh. Rënia e importit të fruta-perimeve për shkak të rritjes së prodhimeve të vendit, përtej parashikimeve si rezultat i modelit tonë ekonomik, ka një efekt të konsiderueshëm në të ardhurat buxhetore por ka një efekt të konsiderueshëm pozitiv në ekonominë tonë. Këtyre faktorëve i është shtuar edhe efekti i kursit të këmbimit të euros me lekun”, tha Rama, duke këshilluar opozitën “të gjejë një arsye më shumë për të luajtur luftash me qeverinë”.
Kuvendi do shqyrtojë sot në parim në një seancë të posaçme plenare projektbuxhetin e vitit 2016 si dhe paketën fiskale që shoqëron atë, pas diskutimit prej rreth 2 javësh të tij në të gjitha komisionet parlamentare.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, duke nënvizuar tre karakteristika, e quajti projektbuxhetin e vitit 2016, si buxhet i zhvillimit rajonal, thellimit të reformave dhe uljes së borxhit dhe taksave. Ky, tha kreu i financave publike, është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi dhe mirëqënieje për qytetarët. Sipas tij, rritja reale ekonomike për vitin 2016 është 3.4 për qind, i treti vit radhazi me rritje reale ekonomike.
Por, opozita tha se ky është buxhet i varfërisë, i cili braktis ekonominë dhe ngrin përfitimet për qytetarët. “Inflacioni do jetë 2.5 për qind, zero rritje pagash. U bë viti i tretë që për të gjitha kategoritë e administratës publike rritja është zero. Ndërsa pensionet rriten me 1.1 miliarde, aq është kontigjenca, që do të thotë me 0.8 për qind”, deklaroi gjatë debateve ish-ministri i Financave në qeverisjen e djathtë, deputet i PD-së, Ridvan Bode. Sipas opozitës, qeveria vitin e ardhshëm do ta përkeqësojë sërish mbledhjen e taksave.
Lidhur me investimet, qeveria tha se investimet publike, të pushtetit qendror dhe vendor, do jenë 6 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, ose 92 miliardë lekë, por sipas opozitës, në raport me PBB-në, investimet janë në minimumin historik.
Në vitin 2016 shpenzimet totale parashikohen në masën e 452 125 milionë lekëve, ndërsa të ardhurat planifikohen 417 694 milionë lekë. P/buxheti i 2016-ës ka nivelin më të ulët të defiçitit buxhetor, prej 2.2 për qind e Prodhimit Kombëtar, çka bën të mundur që për herë të parë pas shumë vitesh rritje Shqipëria të ulë borxhin publik nga 72.6 për qind në 70.9 për qind të prodhimit kombëtar.
Pas diskutimeve të projektbuxhetit për vitin që vjen e paketes fiskale në komisionet e përhershme parlamentare, Kuvendi miraton sot në seancë të posaçme plenare këtë draft. Më pas p/buxheti rikthehet sërish për diskutim nen për nen në komisionet parlamentare për t’u miratuar nen për nen dhe në tërësi në datën 17 dhjetor.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kundërshtarët gënjejnë në lidhje me borxhet. Sipas tij opozita përbëhet nga një çetë spekulantësh që i ngelet vetëm të shkulin flokët, pasi kanë bërë çdo gjë tjetër sipas tij.
“Nuk prekemi nga lotët e krokodilit, faktet flasin qartë. Borxhi i marrë në këto 2 vite është ulur ndjeshëm në krahasim me 8 vitet e kaluara. Janë marrë borxh 2,8% e prodhimit të përgjithshëm kombëtare, në 8 vitet e kaluara borxhi nuk është ulur nën 3%, mesatarja është 4,2%, shtuar edhe borxhin e fshehur arrin në 4,6%. Këtë vit, 2015 kostoja e borxhit u ul në 2,8% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, shifra kokëforta që flasin vetë më shumë se gjithë këta që vetëm flokët s’kanë lënë pa shkulur në publik. Janë çetë spekulantësh me një synim, shpif, shpif, gënje, gënje, akuzo, akuzo se diçka do mbetet. Notën për punën që kemi bërë me borxhin nuk mund ta vënë kundërshtarët por as ne vetë, mjafton ti referohemi agjencive ndërkombëtare të vlerësimit që ia kanë rritur notën”,- tha Rama.
Rama sqaroi se qeveria e tij nuk e rriti borxhin nga 64.4% në 75% për vetëm e legalizoi atë. “Nuk mund të hynim në procesin e shtetndërtimit, t’ju kërkonim shqiptarëve detyrimet pa iu kthyer detyrimet që shteti iu kishte bizneseve që u përfshinë në projekte publike”. Sipas kryeministrit, objektiv i kësaj qeverie mbetet ulja e vazhdueshme e borxhit drejt nivelit 60% .
“Pas vitesh të tëra me deficit primar, nuk do krijojmë borxhe të reja për shqiptarët..2016 do jetë viti i parë me suficit primar +0,3%, do të thotë se efekti i gjithë këtij aktiviteti shkon për uljen e borxhit. Sot në vetëm 2 vjet jemi në gjendje të themi se është shmangur çdo lloj mundësie për krizë nga borxhi”
Rama tha ndër të tjera se mosrritja e rrogave dhe pensioneve lidhet me faktin se qeveria ka lënë më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve vetëm nga taksa e sheshtë.
“Vetëm nga kalimi prej taksës së sheshtë që iu merrte frymën shqiptarëve me taksa të ulëta e të mesme të ardhurat neto në rrogë janë 7,5%, do të thotë rritje e të ardhurave e barabartë me sa i rritët ju në 4 vite të marra së bashku. Rritjen e rrogave dhe pensioneve në mandatin e dytë e patët vetëm 1,5% , ndërkohë që vetëm nga ky ndryshim rrogat janë rritur 7,5% si fuqi blerëse. Pra ju kemi lënë në xhep 7,5% para më shumë shqiptarëve”.
Në lidhje me taksat e biznesit të vogël, Rama tha se qeveria nuk po kopjon ato që i quajti idera ndjellëse të opozitës, pasi gjithçka po bëhet është e shkruar në program.
“Poër biznesin e vogël gjoja po ju kopjojmë juve me idera kaq ndjellëse. Po juve këtu ishit pse nuk i bëtë këto? Juve ia nxitë jetën biznesit të vogël, sa paguante furra e bukës në Surrel aq edhe Sheraton, më shumë paguante furrxhiu i Surrelit se sa Sheratoni. Ne e hoqëm taksën që ditën e parë atë taksën e sheshtë.. Kemi thënë heqje e taksës dhe përgjysmimi i tatim fitimi nga 10% e bëmë 7,5% me idenë që në procesin e reformës të kishim mundësi dhe të ardhura, të shkonim në 5%”.
Ndërsa duke folur për 8 dhjetorin që opozita parashikon të kthejë në protestë, Rama tha se: Revolucioni nuk do ndodhë, pijini lëngun”.

Rama: Kush merret me biznes nuk ka asnjë Qindarkë Rritje më shumë sigurimesh
Kryeministri Rama ka folur për më shumë se një orë në parlament për arritjet e qeverisë së tij në 2 vite, pa kaluar tek buxheti i ri. Ai ka renditur disa fakte që sipas tij ndajnë këtë qeveri nga ajo e mëparshmja. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se nuk do të ketë rritje të sigurimeve për biznesin.
“Të gjithë ata që kanë të ardhura në 50 mln u përjashtuan nga taksat. Sigurimet nuk janë taksa por garanci për pensionin dhe shëndetin e tyre. Detyrimi i dytë faturë tatimore dhe detyrimi i tretë kuponi. Për çfarë arsye duhet t’ju dëgjojnë juve këta njerëz. Se ju i latë pa pension? Mijëra gjyshër do të ishin pa pensione, u desh reforma jonë. Kështu i latë ju, pa fatura, pa kuponë. Edhe kasat që i vutë, i latë si televizorë. Pse i thoni mos i bëni, doni që ata të marrin ato gjobat, që pastaj të dilni ju e t’i mbroni berberët. I nxisni që të shkelin ligjin që të bëhen heronj të luftës për demokraci. Doni në ndizni zjarrin e revolucionit. Zjarri juaj mund të ndizet vetëm në pantallona të lagura. Ju thoni ju kanë hequr taksën se duan t’ju rrisin sigurimet. Njëri thotë 10 herë, tjetri 5 herë. Ka vetëm një kategori. Si mendoni ju, mund ta pranojë dot një shtet si princip që avokatë, dentistë të deklarojnë rrogë minimale sikur punojnë në fason. Studio avokatie që deklarojnë fitime si fason. Ka ndonjë logjikë që të pranohet kjo. Jo, nuk ka. Kush merret me biznes në Republikën e Shqipërisë nuk ka asnjë qindarkë rritje më shumë sigurimesh, sepse ka bërë zgjedhjen e duhur më 23 qershor, ka zgjedhur ASHE. Nuk do të pranojmë dentistë, avokatë që paguajnë si fason. Për këtë kemi vendosur një pagë mesatare, si një referencë, pagë mesatare dhe to paguajë sigurimet mbi atë pagë. Nuk do të jenë njësoj sigurimet e një avokati në Tiranë me një të një avokati në një zonë më të varfër, apo në Tropojë po themi”, tha Rama.
Kryeministri tha se kjo qeveri ka falur 23 mln dollarë gjoba elektorale. “Gjoba elektorale që i vutë ju, kur iu ikte karrigia dhe po ju linte pantallonat me ajër poshtë. I kemi falur. Ashtu sikurse 20 mln dollarë kanë përfituar shqiptarët nga heqja e taksës së ilaçeve. Ne kemi hequr nga buxheti 150 mln dollarë dhe i kemi lënë në xhepat e shqiptarëve, në formën e 50 masave fiskale lehtësuese qoftë për të stimuluar biznesin e vogël, qoftë për të stimuluar investimet në bujqësi e me radhë. Ka një aspekt shumë të qartë, shumë të rëndësishëm që ndan në formën më të papajtueshme këtë qeveri nga gjithë konglomerati që ka si materie bazë opozitën por që përbehet nga shumë materie të dembelizmit ideologjik. Jeni të papërsëritshëm në llojin tuaj, sepse ju vetëm flisni për atë që s’dini. Vijmë tek raporti i kësaj qeverie me varfërinë dhe të varfrit. Në shifra dhe fakte, si mundtë luftohet varfëria me rritje ekonomike 0. Ju e kishit këtë pretendim.
Kemi një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe solide. Në po punojmë me këmbëngulje që të kapërcejmë parashikimet, duke rritur numrin e një sërë projektesh të mëdha që janë në proces”, u shpreh kryeministri.

Kuvendi nis diskutimin në arim të P/Buxhetit dhe Paketës Fiskale
Ora 11:00-Projektbuxheti dhe paketa fiskale erdhën në seancën e sotme plenare pas rrreth 2 javësh diskutime në komisionet e perhershme parlamentare, ku ministri i Financave, Shkëlqim Cani, duke nënvizuar tre karakteristika, e quajti projektbuxhetin e vitit 2016, si buxhet i zhvillimit rajonal, thellimit të reformave dhe uljes së borxhit dhe taksave. Ky, tha kreu i financave publike, është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi dhe mirëqënieje për qytetarët. Sipas tij, rritja reale ekonomike për vitin 2016 është 3.4 për qind, i treti vit radhazi me rritje reale ekonomike.
Sigal