Prof. Shefqet Muçi: Besimi te drejtësia nuk rifitohet duke shtuar numrin e institucioneve

748
Prof. Shefqet Muçi, ish-ministri i Drejtësisë, në intervistën për gazetën “Telegraf” thekson se ndryshimet që parashikohen në draftin për drejtësinë, për ndërtimin e strukturave të reja instuticionale, duke piketuar më shumë institucione të drejtësisë nga ato që kemi sot, mund të sjellë ndikime të kundërta nga pritshmëria. Prof. Muçi, thotë se mungon fryma për të zgjidhur problemet dhe nuk është zgjidhja te ndërtimi i një numri më të madh institucionesh. Prof. Muçi, konkretisht propozon, që të ketë Këshill të Lartë të Magjistraturës, para të ketë Këshill të Lartë Gjyqësor dhe Këshill të Lartë të Prokurorisë. Prof. Muçi, e gjykon gabim projektin që të decentrilazohet Prokuroria e Përgjithshme, duke argumentuar se do të kemi në çdo rreth prokurorë të përgjithshëm, dhe do të kemi kritikat që kemi sot për gjykatat, të cilat funksionojnë të decentralizuara. 
-Prof. Muçi, kush janë fajtorët e gjendjes së sotme të humbjes së besimit te drejtësia?

– Fajtorët duhen kërkuar te gjendja ekonomike, sepse drejtësia pasqyron realitetin tonë. Nëse do të kishim një drejtësi të fortë, do ta kishim problemin të zgjidhur. Drejtësinë sot e kritikojmë përse nuk dënon pushtetarët, të cilët shkelin ligjin, që vjedhin, që shpërdorojnë detyrën, që bëjnë korrupsion. Problemin duhet ta shikojmë aty ku e kemi, në radhë të parë, të shkojmë dhe të shikojmë aty ku bëhet korrupsion, ku shkelet ligji, ku bëhen vjedhjet, e paskëndaj, të trajtojmë ata që nuk janë në gjendje t’i godasin në shkallën e duhur dhe siç duhet pushtetarët që shkelin ligjet. Por ne spostohemi nga pushtetarët. Të dy palët e kanë përgjegjësinë. Puna për reformën në drejtësi, kështu siç ka filluar, nuk bëhet me copa, nuk bëhet me anrrime, por duhet filluar nga e para. Ndryshimet që kanë ndodhur në legjislacionin tonë, janë aq të shumta, sa ne nuk jemi në gjendje në praktikën e përditshme, të dimë, se cili nen qëndron, ose nuk qëndron në Kodin Penal, sepse në çdo 6 muaj bëhen ndryshime. Më mirë është, për të qenë edhe më të saktë, që të krijojmë gjera të reja, sesa t’i bëjmë copa-copa. Këto ndryshime që pretendohen të bëhen tani, kam mendimin që nuk mund të bëhen kaq shpejt, sa mendohen nga ata që kanë kompetencën. 
– Cili është qëllimi i reformës në drejtësi?

– Qëllimi i reformës është të krijojë struktura që të jenë të afta, për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës, të afta për të vënë përpara përgjegjësisë ata gjyqtarë që shkelin ligjet, ata gjyqtarë dhe prokurorë që zvarritin procesin gjyqësor dhe ata, paskëtaj, të jenë të aftë që të marrin në vendimet në kohën e duhur. Kemi probleme gjithmonë për emërimet në Gjyqësor. Konflikti është midis Kuvendit dhe Presidentit. Këtu ka pasur zvarritje, shkelje të ligjeve nga KLD, sepse ky institucion nuk i ka kryer siç duhet detyrat kushtetuese. 
– Kjo ka lidhje me funksionet kushtetuese të KLD apo me paaftësitë e drejtuesve të saj?

– Duhet të gjejmë organe që t’i përgjigjen këtij ngërçi, të jenë sa më efiçente dhe të jenë sa më operative. Ne kishim një KLD dhe nuk e komandonim dot. Ndërsa tani, janë projektuar një numër institucionesh të Gjyqësorit, të pafund, që dublojnë njëra-tjetrën, janë paralel me njëri-tjetrin dhe që e rëndojnë edhe më shumë problemin, ato do ta vënë sistemin e drejtësisë në një paralizë të vërtetë. Qofsha unë i gabuar.
– Cili është argument juaj për këtë konstatim?

– Argumenti është ky. Deri tani kemi Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, KLD, Prokurorinë e Përgjithshme. Pra, kemi një sistem të drejtësisë me pak institucione. Ndërsa tani, sipas propozimit, do të kemi Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Lartë Administrative, do kemi Këshillim e Lartë Gjyqësor, që zëvendëson KLD, do kemi Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, që po ta shikosh nga struktura, nga njerëzit që marrin pjesë, nga funksioni që do kryejë, do të jetë një institucion mbi të gjitha të tjerat. Kemi Tribunalin Disiplinor të Drejtësisë, kemi Këshillin për Emërimet në Drejtësi, kemi Vlerësimin Kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që është i përkohshëm, për disa vjet. Nga prokuroria na shtohet edhe një strukturë tjetër, që është i veçantë nga Prokuroria e Përgjithshme, që nuk varet nga kryeprokurori, struktura e posaçme e Antikorrupsion e prokurorisë, krijohet Byroja Kombëtare e Hetimeve, që bashkëpunon më tepër me prokurorinë Antikorrupsion. Pra, krijohen organizma kaq të shumtë, saqë do t’ia lënë detyrat njëri-tjetrit, do të pleksen funksionet dhe kompetencat e tyre, në mënyrë të tillë, që do krijohet një zvarritje e madhe, ndërkohë, që mund të krijohej vetëm një institucion i vetëm. Shumë shtete të mëdha kanë vetëm një, Këshillim e Lartë të Magjistraturës, i cili merret edhe me problemet e gjykatave, edhe me problemet e prokurorisë. Kështu është edhe operativ, edhe i shpejtë, edhe i kontrollueshëm. Në fund të fundit, dikush do të qëndrojë në krye të këtyre institucioneve, sido që të vijë puna dhe ky organ do të ketë lidhje me ligjbërësin, me Parlamentin. Kështu që ne nuk i shpëtojmë në asnjë rast varësisë të tyre nga Kuvendi, e thënë ndryshe, varësisë nga politika. 
– Argumenti që është dhënë për këto ndryshime nga reformatuesit ligjbërës është se këto institucione të reja të Drejtësisë do të jenë kompetente për vlerësimin e punës të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për emërimet dhe do ndërtohen në mënyrë të tillë që politika të mos ketë asnjë ndikim në emërime. Ju çfarë rezerva shfaqni?

– Unë mendoj që ndikimin e politikës në drejtësi nuk e shmangim dot. Ne luftojmë që ndikimin e politikës ta zvogëlojmë dhe duhet të bëjmë përpjekjet që të shmangim totalisht ndikimin e politikës në zgjidhjen e çështjeve konkrete. Nuk mund të shmangim ndikimin e politikës në krijimin e strukturave të drejtësisë, sepse, në fund të fundit, politika për atë është krijuar. Populli u ka besuar deputetëve, Kuvendit, që ai të ushtrojë sovranitetin e tij dhe të drejtat që ka vetë populli. Institucionet nuk dalin jashtë politikës si krijesa. Kuvendi nuk është i depolitizuar. 
– Nëse ju krahasoni mënyrën e emërimit në drejtuesve dhe anëtarëve të KLD, GJL, GJK, të Kryeprokurorit deri tani, me këto struktura të reja dhe mënyrën e ndërtimit të tyre, ka ndonjë dallim esencial?

– Çfarëdo që të bëjmë ne, këta gjyqtarë dhe prokurorë, dikush do t’i emërojë. Për sa i përket prokurorisë, sipas modelit të ri, emërimet bëhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe për gjyqtarët nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Po, pak a shumë, edhe tani KLD i ka propozuar dhe Presidenti ka dekretuar, sepse në thelb, nuk është Presidenti që i ka përzgjedhur ata, pavarësisht se kush e merr vendimin për t’i emëruar. Në fund të fundit, masat disiplinore deri tani i ka marrë KLD, jo Presidenti. Ne nuk mund të vëmë në pikëpyetje ligjin, për arsyen nëse nuk na pëlqen ky president, apo një tjetër, apo të vëmë në pikëpyetje institucionin e KLD (për shembull), nëse nuk na pëlqen drejtuesi dhe të ndryshojmë ligjin, që ta zhbëjmë institucionin, për të ndërtuar një tjetër. 
– Një kritikë është, se një president i zgjedhur me 71 vota nuk duhet të ketë këtë rol dhe kompetenca të drejtësisë, në krahasim me një president që zgjidhet me votë të cilësuar ose nga populli. 
– Këto janë çështje të diskutueshme. Nuk ka kompetenca të prera me thikë, që ky president i zgjedhur me 71 vota të ketë këto kompetenca, ndërsa një tjetër, i zgjedhur ndryshe, të ketë ato kompetenca. Po presidenti nuk shkarkohet me 71 vota, pra ai e ka fuqinë në dorë për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe nuk ka frikë se mos e shkarkon njeri. Por, një president i zgjedhur nga populli, ka kompetenca më shumë. 
– Ndërtimi i këtyre institucioneve të reja të drejtësisë, a do ta zgjidhë ngërçin Parlament-President për emërimet në drejtësi?

– Nuk mund ta parashikoj se si do të veprojnë këto organe…
– Ashtu siç janë paraqitur në draft…
– Por, atje ku mungon fryma për t’i zgjidhur problemet, gjenden edhe shkaqet për t’i krijuar situatat. Përsëri gjenden, sido që të bësh, nëse nuk ka dëshirë të mirë. Unë i përmbahem parimit, që struktura ka rëndësi shumë të madhe, por sistemet nuk janë ato që e zgjidhin në mënyrë përfundimtare problemin. Bota ka sisteme të ndryshme të sistemit të drejtësisë dhe me këto sisteme të ndryshme qeveriset shumë mirë. Këtu problemi është te njerëzit dhe te vullneti politik. Po të ketë vullnet politik për të zgjidhur problemet dhe po të ketë njerëz me personalitet, të aftë profesionalisht, të përkushtuar ndaj profesionit dhe interesave të vendit, problemet zgjidhen shumë thjesht. Por problemet ndërlikohen për shkak të interesave të grupeve të ndryshme dhe të partive politike. 
– Cila do të ishte zgjidhja më e duhur institucionale për drejtësinë, në realitetin tonë?

– Unë do të thosha, që një Këshill i Lartë i përbashkët, si për gjykatën dhe prokurorinë, do të ishte i mjaftueshëm dhe i dobishëm. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të shkriheshin në një, që mund të quhej edhe Këshilli i Lartë i Magjistraturës. Së dyti. Kemi Tribunalin Disiplinor të Drejtësisë dhe Këshilli për emërimin në drejtësi. Mund të kishte vetëm një institucion të përbashkët. Kemi Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë do të mendoja që të ishte kështu siç është sot, d.m.th., në përbërje të Këshillit të Lartë të Magjistraturës. Ne nuk kemi të ardhura financiare, që të paguajmë për të gjitha këto institucione të reja të drejtësisë, që mendojnë të ndërtojnë pas reformës, që mua më duken të panevojshme, në këtë mënyrë sesi janë paraqitur. 
– Cili është mendimi juaj për reformimin që parashikohet të bëhet për Prokurorinë e Përgjithshme?

– Sot Prokuroria e Përgjithshme është organ i centralizuar, por kërkohet që të bëhet institucion i decentralizuar. Ne, prokurorinë të centralizuar e nuk e kontrollojmë dot. Po u decentralizua, siç kërkohet, mendoj se problemi do të ndërlikohet. 
– Zoti Fatmir Xhafa ka thënë, se ky prokuror i Përgjithshëm nuk ka këllqe që të mbajë këtë peshë që ka sot Prokurori i Përgjithshëm, ndaj mendohet që të decentralizohet përgjegjësia.
– Po ta gjejë njeriun që ka këllqe. Problemi është se nuk i pëlqen politikës, që t’i zgjidhë problemet prokuroria. Dhe duke mos i pëlqyer, bëhet përplasja dhe u duket sikur ua ka fajin, paskëtaj, prokurori i Përgjithshëm. Nuk mund të thuhet se sistemi që ne kemi sot, Prokurori e Përgjithshme e centralizuar, është një sistem i gabuar. Përkundrazi, unë mund të them, që është sistemi më i mirë për prokurorinë, por është shpërdoruar në praktikë. Sepse centralizim, nuk do të thotë që prokurori më i ulët të zbatojë urdhrat me gojë që i jep prokurori më i lartë në hierarki, siç ndodh te ne. Sidomos, i heq pavarësinë prokurorit gjyqësor, për të shfaqur mendimin e tij dhe t’u qëndrojë bindjeve të tij në seancë gjyqësore dhe ta urdhërojë prokurori më i lartë edhe kur nuk qëndron çështja, edhe kur nuk ka prova, etj. Sistemi që ne kemi me ligj, nuk është kështu siç veprohet në praktikë. Prokurori më i lartë prish vendimet e prokurorit më të ulët vetëm me shkrim, por edhe duhet të argumentojë përse e prish vendimin, pra në kushtet e kontrollit. Pra, këtu ne duhet të zgjidhim këtë problem, që prokurori më i lartë të mos japë urdhra arbitrare. 
– Kjo skemë e re, a e zgjidh këtë problem?

– Pjesërisht e zgjidh, por njëkohësisht, krijon probleme të tjera. I jep fuqi prokurorit që është poshtë, se tani do kemi shumë prokurorë të përgjithshëm, edhe në çdo rreth. Secili prokuror do të veprojë në mënyrë të decentralizuar, sikurse veprojnë aktualisht edhe gjykatat në rrethe. A nuk ankohemi ne sot për gjykatat, që janë të decentralizuara? Sepse kështu, gjykatat nuk të pyesin, sepse gjykata vepron sipas bindjeve të saj. Merreni me mend, kur të veprojnë edhe prokuroritë kështu. 
– Pas kësaj reforme, a do të ndihen më të pandikuar nga politika gjyqtarët dhe prokurorët?

– Është një pyetje e vështirë t’i përgjigjem retorikisht. Gjykata dhe prokuroria, ka një specifikë nga institucionet e tjera, sepse gjykata dhe prokuroria kanë dy lloj kontrollesh. Gjykata ka kontrollin gjyqësor dhe kontrollin administrativ. Kontrollin gjyqësor e bëjnë gjykatat më të larta, ku vendimi i gjykatës më të ulet ankimohet në gjykatën më të lartë. Tani zhurma që bëhet është çështje tjetër, sepse i quajnë të korruptuara të gjitha shkallët e gjyqësorit. Edhe prokuroria kontrollohet në dy drejtime. Kontrolli i parë bëhet nga prokurorët më të lartë, dhe drejtimi i dytë kontrollohet nga gjykata, sepse çështjet e prokurorisë venë të gjitha në gjykatë. Kjo është një praktikë botërore. Ndërsa ne, duke futur organizma të tjera, e ngatërrojmë dhe e ndërlikojmë problemin, në vend që ta thjeshtëzojmë problemin dhe të kërkojmë nga gjyqtarët dhe prokurorët që ta kryejnë funksionin e tyre, ashtu siç duhet. Kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë duhet të merret me kontrollin administrativ të gjykatave dhe prokurorisë dhe me problemet e financës. 
(Vijon)
Sigal