Prof. Kastriot Islami: Shqipëria ka rradhën në listën e Bashkimit Europian për ccmontimin e kapjes së shtetit nga Rama

287
Sigal

Engjëll  Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Kriza e thellë dhe shumëplanëshe që ka mbërthyer  vendin  vjen nga fakti se Shqipëria është në kushtet e Kapjes së Shtetit nga Rama

 Shqipëria ka rradhën në listën e Bashkimit Europian për çmontimin e kapjes së shtetit

 Prof. Dr. Kastriot Islami, ish- kryetar i Kuvendit, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”  analizon fenomenin e Kapjes së Shtetit nga kryeministri Rama. Prof. Islami, pohon se ndërhyrjet e fundit të Ramës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë tentativat e fundit për të kapur për fyti zgjedhjet dhe për të manipuluar rezultatin zgjedhor. BE-ja në raportet e saj, ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka theksuar rrezikun e kapjes së shtetit nga individë që kanë pushtet absolute, dhe Prof. Islami pohon se Shqipëria është një vend tipik i tillë, ku Rama me sektin e vet ka kapur shtetin, ka uzurpuar të gjitha institucionet, madje edhe një pjesë të opozitës. Mendimi i Bashkimit Europian është se një pjesë e masave teknike dhe normatibe të përcaktuara nga Brukseli, nuk kanë sjellë reformat integruese në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përkeqësuar standardet demokratike. Prof. Islami analizon pse “Paketa Priebe” e BE-së synon çrrënjosjen e kapjes së shtetit nga Rama.

 Përpjekjet e fundit  të Ramës me ndërhyrjet në kodin zgjedhor,  janë thjesht tentativat e fundit për të kapur për fyti zgjedhjet dhe manipuluar rezultatin zgjedhor

 – Prof. Islami, çfarë po ndodh në Shqipëri? Si mund të dilet nga kjo gjendje?

– Përfundimisht tani është e qartë për të gjithë, se kriza e thellë dhe shumëplanëshe që ka mbërthyer vendin vjen nga fakti se Shqipëria  është në kushtet e Kapjes së Shtetit nga Rama. Sigurisht, ata që përfitojnë nga kjo kapje e mbështesin qeverinë Rama, por kjo mbështetje është reduktuar në ekstrem aq sa Rama, së bashku me rreth 97% të institucioneve të kapura të shtetit, është i pakënaqur sepse e ka të pamundur të manipulojë rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të ardhshme. Madje, për të arritur këtë synim nuk do të mund t’i vijnë në ndihmë as përpjekjet e fundit me ndërhyrjet në kodin zgjedhor, që janë thjesht tentativat e fundit për të kapur për fyti zgjedhjet dhe manipuluar rezultatin zgjedhor, pasi ka marrë të gjithë tepsinë e pushtetit dhe i vetëm timonin e qeverisjes duke shjuar deri në ekstremin e kapjes edhe të disa bishtave të opozitës, që ai ka definuar si opozita parlamentare. Arsyeja është e thjeshtë: kapja e shtetit nga Rama ka rritur në ekstrem numrin dhe revoltën e qytetarëve kundër kësaj sjellje, në atë masë sa që çdo tentativë e tij e ka të pamundur të shpëtojë sektin nga humbja e pushtetit.

Kapja e shtetit është një gjendje e përhapur në gjërësi e thellësi e korrupsionit që ka çuar në shfrytëzimin e të gjithë burimeve natyrore e publike të vendit për përfitime private, duke neutralizuar njëkohësisht, përmes vendosjes nën kontroll të të gjithë inistitucioneve të shtetit,  mekanizmat e kontrollit

– A mund të shpjegoni se çfarë do të thotë kapje e shtetit në rastin e Shqipërisë? Dhe a është kjo një dukuri prezente edhe në vënd të tjera të Ballkanit Perëndimor?

Kapja e shteti konsiderohet tanimë nga të gjithë kryeqytetet europiane si dukuria kryesore që pengon vendet e Ballkanit Perëndimor  të kryejnë reformat dhe progresin e duhur drejt BE-së. Kapja e shtetit është një gjendje e përhapur në gjërësi e thellësi e korrupsionit që ka çuar në shfrytëzimin e të gjithë burimeve natyrore e publike të vendit për përfitime private, duke neutralizuar njëkohësisht, përmes vendosjes nën kontroll të të gjithë inistitucioneve të shtetit,  mekanizmat e kontrollit, qoftë me mjete të ligjshme apo të paligjshme. Kjo situatë e kapjes së shtetit është prezente në të gjithë sektorët, dhe shfaqet në shkallë të ndryshme në momente të ndryshme dhe për rrjedhojë edhe në faza të ndryshme, kur negociohen kapituj të veçantë të acquis communautaire mes qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionit Europian. Por kapja e shtetit është e pranishme dukshëm edhe në të gjithë kriteret politike të përcaktuara nga Komisioni Europian, të cilat për arsye të kapjes së shtetit, janë të vështira për t’u monitoruar dhe vlerësuar. Shqipëria është një nga vendet tipike, ku Rama përmes sektit të tij ka kapur për fyti shtetin, duke uzurpuar  të gjithë institucionet e shtetit, deri edhe  një segment të opozitës. Duke vënë nën kontroll partinë socialiste e përmes saj, edhe grupin parlamentar e deri parlamentin, biznesin e madh, pjesën më të madhe të medias, pothuajse të gjithë institucionet e shtetit, shoqërinë civile, zgjedhjet dhe së fundmi edhe gjyqësorin e një pjesë të opozitës që shumica e shqiptarëve s’e perceptojnë si opozitë por thjesht si shtojcë a viktimë të kapjes nga Rama.

 

  • Shqipëria është një nga vendet tipike, ku Rama përmes sektit të tij ka kapur për fyti shtetin, duke uzurpuar të gjithë institucionet e shtetit, deri edhe një segment të opozitës

 

– A janë të ndërgjegjshme për kapjen e shtetit edhe kancelaritë kryesore europiane, veçanërisht Brukseli?

Në vitin 2018, retorika e Komisionit Europian ishte më e guximshme se zakonisht. Komisioni deklaroi në Strategjinë e saj për Ballkanin Perëndimor se kapja e shtetit ekziston në të gjithë vëndet e këtij rajoni, dhe ky fakt është i mirënjohur kudo në kancelaritë europiane, por komisioni nuk përmendi ndonjë vend në mënyrë specifike, duke i dhënë mundësi secilës qeveri ballkanike, përfshi edhe qeverinë Rama, ta përjashtonte në mënyrë naive veten nga ky përfundim. Madje kishte ndonjë kryeministër, si Edi Rama, që mburrej nëpër Europë për sukseset e qeverisë së tij të sheqerosura në raportin e Mogerinit, derisa mori shuplakën e fortë nga Merkel e Makron, të cilët “grisën” edhe “raportin pozitiv” të Mogerinit dhe hodhën në kosh promovimin që i bënte Hahn e Fleckenstein progresit të bërë nga qeveria e Rama. Në atë kohë, ndonëse Komisioni nuk kishte përcaktuar ende “protokollin” gjenerik  për të diagnostikuar kapjen e shtetit, ishte vendosur nën presionin e vendeve anëtare të BE-së, sepse sistemi i zakonshëm i raportimit të BE-së  për “progresin” e çdo vendi nuk kishte qenë efikas. Bazuar në këtë përfundim, komisioni i ngritur pas zgjedhjeve parlamentare europiane, arriti në përfundimin se për të vlerësuar “progresin” e çdo vendi drejt BE-së, mesa duket, do të duhej një raport shtesë, shumë më i ndryshëm sesa i mëparshmi.

 Mendimi i vendeve anëtare të BE-së  se një pjesë e madhe e “masave teknike dhe normative” të përcaktuara nga Brukseli dhe të zbatuara nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për progresin në rrugën drejt BE-së, nuk kanë sjellë në të vërtetë reforma thelbësore në këto vende. Madje, standardet demokratike në këto vende janë përkeqësuar

  Si është e mundur që vendet anëtare të BE-së kishin një vlerësim të ndryshëm për “progesin” e kryer nga qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga vlerësimi i Brukselit, pra nga ai i Komisionit Europian?

– Për pyetjen tuaj ka shumë përgjigje, që ndryshojnë shumë mes tyre, dhe kjo varet se kush e jep këtë përgjigje. Ekziston tashmë mendimi i konsoliduar  i vendeve anëtare të BE-së se një pjesë e madhe e “masave teknike dhe normative” të përcaktuara nga Brukseli dhe të zbatuara nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për progresin e vendit të tyre në rrugën drejt BE-së nuk kanë sjellë në të vërtetë reforma thelbësore në këto vënde. Madje, nuk ka më dyshime se standardet demokratike në këto vende janë përkeqësuar. Komisioni Europian i mëparshëm nuk e kishte thënë një gjë të tillë troç, por tanimë Komisioni i ri Europian dhe veçanërisht, vendet kryesore të BE-së të tilla si Gjermania, Franca e tjerë,  janë të vetëdijshme  për regresin që lidhet me kapjen e shtetit në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, madje janë të vetëdijshme edhe se qasja e BE-së ndaj qeverive të Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë e duhura dhe tani e tutje duhet të jetë ndryshe. Ka pasur diskutime se çfarë duhet të bërë dhe në ç’mënyrë duhet vepruar për të ndikuar në ndryshimin e gjendjes. BE e zotëron tashmë një model/protokoll sesi duhet të veprojë ndaj sëmundjes së kapjes së shtetit që është prezente në të gjithë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky model njihet si “paketa Priebe” dhe vlerësohet se është aplikuar me sukses në çmontimin e kapjes së shtetit nga qeveria Gruevski në Maqedoni aktualisht Maqedonia e Veriut.

– Ky është thjesht një opinion i disa vendeve të BE, apo më shumë se kaq?

– Në analizën që ju përmenda thuhet troç dhe pa asnjë dorezë se Komisioni i ri Europian arriti në përfundimin: Duhet një raport që do të tregojë publikisht e drejtpërdrejtë problemet e neglizhuara, probleme që kanë ardhur  mesa duket nga ndarja e rregullt e acquis communautaire në kapituj. Ky raport duhet të bëhet pjesë e politikës së zgjerimit të BE-së në mënyrë që të sigurojë një pamje më të qartë të problemeve në vendet e BP dhe njëkohësisht të sigurojë nxitjen e mjaftueshme për zbatimin e reformave të nevojshme.

Përse është arritur në këtë përfundim?

– Përgjigja me një gjuhë të moderuar nga kjo analizë është: Ndonëse raportimi për procesin e pranimit në BE nga Komisioni Europian ka qënë mjaft voluminoz dhe kompleks, disa prej raporteve të rëndësishme e vecanërisht kritike nuk kanë qënë në dispozicion të publikut, ndërkohë që ato që janë botuar mendohet se janë shkruar me një gjuhë të drunjtë  diplomatike dhe shpesh janë bërë formulime të kujdesshme për të “holluar me ujë” problemet e shqetësimet e mëdha të hasura në të gjithë vëndet e Ballkanit Perëndimor . Dhe më alarmues është opinioni se ndërkohë që procesi i integrimit për seicilin vënd të Ballkanit Perëndimor vazhdonte të kryhej formalisht apo zyrtarisht, asnjë reformë thelbësore nuk e kishte shoqëruar atë. Përkundrazi, nën maskën e negociatave të pranimit pothuajse gjithnjë janë aplikuar masa që jo vetëm s’kanë qënë transparente e thelbësore, por i është dhënë më shumë rëndësi formalitetit, pra sasisë së tyre sesa cilësisë.

– Si arritën vendet anëtare të BE-së në një përfundim të tillë alarmues për zhvillimet në vendet e BP ndërkohë që raportet e Komisionit Europian rezultonin të sheqerosura?

– Dukuria shqetësuese e kapjes e shtetit u evidentua qartas për herë të parë në të ashtuquajturin raport të Priebes. Ekspertët e pavarur nga vendet anëtare të BE-së ishin më të sinqertë në përcaktimin e diagnozës së kapjes së shtetit në Maqedoni, sesa Mogerini dhe disa të personazhe të tjerë të Komisionit Europian dhe për më tepër burokracia e Komisionit Europian nuk arriti dot të bllokonte  raportin e këtyre ekspertëve të pavarur.  Sidoqoftë, Raporti u porosit dhe u botua nga Komisioni Evropian duke i dhënë atij autoritetin e nevojshëm.  Ekipi i Priebes tregoi me fakte se si problemet specifike në disa fusha të tilla si gjyqësori, institucionet e pavarura, tenderimet, media, zgjedhjet dhe përgjimi i komunikimeve kishin burime të përbashkëta. Përveç transparencës së pamjaftueshme të qeverisë për çështje të ndryshme publike dhe korrupsionit të përhapur politik, një nga shkaqet kryesore të kapjes së shtetit ishte mungesa e dialogut politik konstruktiv e gjithëpërfshirës mes aktorëve politikë dhe me publikun. Rrethi vicioz i polarizimit, politizimit e frikës bëri që mekanizmat demokratik të paralizoheshin duke cuar në kapjen e shtetit. Kjo gjë mesa duket ndodh në përmasa të ndryshme me të gjithë qeveritë e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë specifike me qeverinë Rama në Tiranë.

Nga deklarimet e opozitës shqiptare duket se ka një angazhim të fortë politik dhe të qytetarëve shqiptarë për të mos lejuar një mandat të tretë të Ramës; Zoti Islami, a ka BE ndonjë mekanizëm për ta çmontuar kapjen e shtetit në rastin e Shqipërisë?

– Unë besoj në një kombinim të angazhimit qytetar shqiptar dhe të faktorit ndërkombëtar, natyrisht pa mbivlerësuar faktorin ndërkombëtar, por as duke e nëvlerësuar atë. Përgjigjen ndaj pyetjes do ta jap bazuar në thelbin e asaj që shkruhet në analizën e portalit europian, meqënëse më duket se do të krijonte më shumë besim tek lexuesit tuaj. Ndër të tjera në analizën e portalit europian thuhet se “BE nuk ka nevojë të shpikë ndonjë metodikë të veçantë për të luftuar kapjen e shtetit në të gjithë vëndet e Ballkanit Perëndimor, ajo mjafton të mbështetet në metodën e saj të sukseshme të përdorur për të luftuar kapjen e shtetit në Maqedoninë e drejtuar nga Gruevski”.

Çfarë keni parasysh konkretisht kur bëni këtë pohim?

–  Për të nxjerrë në pah nevojën e pohimit të mësipërm, mjafton të evidentohet qartë se si raportet zyrtare të BE nuk arrinin të vinin në dukje rënien e shtetit ligjor në Maqedoni, ndërkohë që në Shkup kishin filluar të shpërthenin në 2015 “bombat politike”.  Këto “bomba” i referoheshin daljes në  publik të thirrjeve telefonike; por ndonëse akuzoheshin si të përgjuara në mënyrë të paligjshme, ato zbulonin praktika të shumta korruptive të partisë në pushtet, përfshirë ndërhyrjen në punën e gjyqësorit, manipulimin e procesit zgjedhor, forcimin e kontrollit mbi media dhe heqjen e mbikqyrjes demokratike ndaj institucioneve të sigurisë.  Kjo ka ndodhur edhe në Tiranë me qeverinë Rama, e cila ka rezultuar jo pak herë e kapur me presh në dorë, duke manipuluar me tenderat, me emërimet në administratë publike, e implikuar në kultivimin e kanabisit e trafikimin e drogës, e vecanërisht në blerjen e votës, të evidentuar  me zë e me figurë, në rregjistrime audio e video të tilla si dosjet 339 apo 184… “Bombat” e çuan gradualisht në krizë politike Maqedoninë, duke zbuluar kapjen e shtetit nga qeveria maqedonase e asaj kohe dhe njëkohësisht duke i dërguar BE mesazhin se si duhet të veprojë me shpejtësi e efektivitet. Së bashku me ndërmjetësimin diplomatik midis aktorëve politikë në Maqedoni, BE mblodhi një grup ekspertësh të pavarur, të udhëhequr nga një drejtor i Komisionit Evropian në pension Reinhard Priebe, i cili  u ngarkua për të identifikuar kapjen e shtetit dhe për të sugjeruar një “metodikë” për cmontimin e saj..

Çfarë ofronte më konkretisht Raporti i Pribes për Maqedoninë e Veriut?

– Për rastin e Maqedonisë, raporti Priebe ofronte një pamje të përgjithshme të gjëndjes së kapjes së shtetit duke mos humbur në  gjëra të vogla e anësore dhe mbi të gjitha jepte rekomandime konkrete se cfarë duhet të bënte BE dhe sesi mund të luftohej kapja e shtetit nga qeveria maqedonase. Këto rekomandime u bënë pjesë e një “pakete’ masash urgjente përmes të cilave BE mori përsipër të moderonte një marrëveshje të veçantë midis partisë në pushtet dhe opozitës, përmes të cilave u përcaktuan masa konkrete për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Një nga pikat e këtyre veprimeve do të ishte edhe “qeveria tranzitore” për organizmin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në mënyrë që “mëlçitë të mos i vareshin ujkut në qafë”…Aq me tepër që ekzistonte mendimi se “e vetme, opozita maqedonase” nuk ishte aq e fuqishme sa të mund të cmontonte kapjen e shtetit…por në fund të fundit i gjithë veprimi për çmontimin e kapjes së shtetit nga Gruevski do të kryehej nga vetë maqedonasit e mbështetur nga europianët…Prandaj, Komisioni Evropian përmes këtyre rekomandimeve angazhoi aktorët politikë maqedonas për zbatimin e tyre, duke deklaruar njëkohësisht monitorimin strikt të reformave e duke i kthyer ato në një parakusht për përparimin e vendit drejt pranimit. Siç ka filluar të ndodhë me qeverinë Rama me vendosjen e 15 kushteve nga PE për hapjen e negociatave….

– Zoti Islami, a ka gjasa të përgatitet një raport i ngjashëm dhe të ofrohet një “paketë” respektive për çrrënjosjen e kapjes së shtetit edhe në Shqipëri…?

– Po i përgjigjem drejtëpërdrejtë pyetjes suaj duke ju referuar se çfarë shkruhet në raportin e protalit europian: “Komisioni Europian ka arritur në përfundimin  se “Raporti i Priebe mund të shërbejë si model për një mekanizëm të ri, plotësues të raportimit tradicional, që shkon përtej monitorimit teknik të përafrimit me acquis të BE-së… Një raport i ekspertëve të pavarur të caktuar nga vëndet anëtare të BE por i mbështetur nga Komisioni Evropian mund ishte ndërkohë edhe përgjigja e duhur për çmontuar kapjen e shtetit edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor…”. Natyrisht mendoj se Shqipëria është dhe duhet pa tjetër të jetë e para në listën e Komisionit të ri Europian. Duket se pas Maqedonisë dhe rrotacionit pas 30-vjeçar në Malin e Zi, rradhën e ka Shqipëria, por ndoshta edhe Serbia. Në analizën e portalit europian shkruhet se “ndërkohë që çdo  lexues nga Ballkani Perëndimor mund të gjejë që pamja e “pikturuar” në Raportin e Priebes i ngjan në mënyrë të padiskutueshme gjendjes në vendin e tij, siç ndodh në Shqipëri, ky lloj raporti duhet të përgatitet specifikisht për çdo vend të Ballkanit Perëndimor.

Shqiptarët presin me padurim, që paketa e rekomandimeve për çrrënjosjen e kapjes së shtetit të arrijë në Tiranë në mënyrë që t’i zbllokohet  Shqipërisë  rruga drejt anëtarësimit  të vendit në BE, duke filluar natyrisht me hapjen e negociatave, që do të rinisë vetëm pas largimit të qeverisë Rama nga pushteti

 – Prof. Islami, çfarë mendoni do të ndodhë me vendin tonë?

– Si përfundim mendoj se shqiptarët kanë bindjen e plotë e të palëkundur se një raport i ngjashëm i hartuar nga një ekip ekspertësh të pavarur nga Komisioni Europian me rekomandimin e disa vendeve të rëndësishme  të BE-së, i ngjashëm, në mos identik me “ekipin Priebe” , do të rezultonte për qeverinë Rama edhe më i errët e më negative përsa i përket kapjes së shtetit që Rama ka realizuar në 8 vjetët e qeverisjes së tij.  Madje tentativat për një mandat të tretë janë një provë më shumë në favor të këtij përfundimi. Por mbi të gjitha, shqiptarët presin me padurim, po ashtu si edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor,  që paketa e rekomandimeve për çrrënjosjen e kapjes së shtetit të arrijë në Tiranë në mënyrë që t’i zbllokohet  Shqipërisë rruga drejt anëtarësimit të vendit në BE, duke filluar natyrisht me hapjen e negociatave, që me shumë gjasa do të rinisë vetëm pas largimit të qeverisë Rama nga pushteti. Ndonëse shumica e shqiptarëve janë të angazhuar për ta kryer me sukses këtë operacion qoftë edhe të vetëm, ata me siguri do të kenë edhe mbështetjen e fuqishme të vendeve kryesore të BE-së. Kjo ka filluar të duket gjithnjë e më qartë me vendosjen e 15 kushteve nga PE për qeverinë Rama për hapjen e negociatave dhe angazhimin e tyre serioz për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, pavarësisht se Rama po lëviz në një drejtim të paditur dhe po tenton t’i shpëtojë ndëshkimit nga “paketa Priebe” që në realitet synon çrrënjosjen e kapjes së shtetit nga Rama dhe rifutjen e Shqipërisë në shinat e integrimit.