Prof. Jordan Daci: Nuk ka shkelje kushtetuese nga Presidenti. Komisioni hetimor flet vetëm për qëndrime emocionale

180
Sigal

Juristi Jordan Daci i ftuar në një emision televiziv tha se, komisioni hetimor kundër kreut të shtetit nuk ka dalë në asnjë përcaktim të qartë për shkeljet kushtetuese.

“Problemi është se komisioni nuk ka një përcaktim të qartë se çfarë do të thotë shkelje e rëndë kushtetuese. Nocioni i shkeljes së rëndë ka të bëjë në radhë të parë me anën objektive, që njeh e drejta penale, që nënkupton veprimin, natyrën e veprimit, pasojës. Pjesa e dytë ka të bëjë me qëndrimin emocional, anën subjektive të personit, që do të thotë e ka bërë pa dashje, nga pakujdesia, kush është qëndrimi, a është munduar të eliminojë pasojat. Nga Gjykata Kushtetuese, do të dalë shumë shpejt një vendim që do të analizojë këtë gjë. Si rregull, kushtetuta përcakton shkelje të rënda, pra nuk është thjesht çdo lloj shkelje. Ajo që do e përcaktonte është: A ka një parim të shkelur dhe nëse po, cili është. A ka sjellë pasoja? Nëse jo, nuk mund të jetë shkelje e rëndë”,- tha Daci.

Ai shton se as përfshirja e Metës në fushatën elektorale dhe deklaratat e një anshme, janë të vështira për t’u vërtetuar. “Parimi i Presidentit, për të qenë mbi palët, është një nga kryesorët. Presidenti nuk mund të ndajë partitë, por, të provuarit nëse ka qenë mbi palët dhe është përfshirë në fushatë, nuk jam i sigurt nëse ky Komision mund të vërtetojë paanshmëri të atij niveli”.

Jordan Daci shprehet se fjalimet e Presidentit nuk kanë sjellë pasoja dhe për rrjedhojë nuk konsiderohen shkelje e rëndë. “Unë mendoj që pasoja nuk ka sjellë veprimi, jemi në kuadrin e retorikës. Unë mendoj që veprim që nuk ka pasoja nuk mund të jetë shkelje e rëndë. Presidenti ka pasur një alibi”,-tha Jordan Daci.