Prof. Gjergj Sinani: Kur partitizmi bëhet qëllim në vetvete, apo kur motivi nxitës i tyre është shpirti i përfitimit, atëherë futemi në rrezik

35
Sigal

– Tek ne shihet qartë kriza e besimit ndaj institucioneve dhe mbivlerësimin e rolit të komunitetit ndërkombëtar.

– I gjithë sistemi në Shqipëri, falë ndikimit të dy partive kryesore kontrollohet dhe influencohet, ose është i pafuqishëm për t’i bërë ballë presionit ose interesit të partive politike.

– Institucionet e ndërmjetme që kanë për detyrë të zgjidhin krizat ose të paktën të mos ndikohen nga krizat politike, shpesh bëjnë lojën e partive politike.

-Francis : Në qoftë se ne nuk e mbrojmë drejtësinë, ajo nuk do të na mbrojë ne.

 

Të reflektosh për të tashmen politike është një detyrë e vështirë për shumë arsye. E megjithatë ndalemi në sqarimin e dilemës pse nuk arrijnë aktorët e rëndësishëm politikë në Shqipëri të dalin nga krizat që shkaktojnë vet? Pse roli i faktorit ndërkombëtar është përcaktues, pavarësisht se mekanizmat, që kanë në dispozicion janë të kufizuara? Pse nuk janë legjitime dhe funksionalë institucionet e ndërmjetme te ne? Po le të fokusohemi në periudhën 2018 – 2020 jo thjesht për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur në detaje në këtë periudhë të afërt, por më shumë për të përdorur periudhën në fjalë si rast studimor në përkufizimin e zakonit të sjelljes së aktorëve politikë dhe atyre ndërkombëtarë në Shqipëri, jo vetëm në këtë periudhë, por në tridhjetë vite pluralizëm politik. Njëkohësisht, këtu nxjerrim në pah frakturat e mëdha të shtetit shqiptar.

Fillimisht, ndalemi në analizën e sistemit partitokratik dhe pamundësinë e tij për të zgjidhur krizat që nxisin, me arsye ose jo, dy partitë politike në Shqipëri. Sigurisht, demokracia dhe pluralizmi nuk mund të kuptohen pa njëra tjetrën, por kur partitizmi bëhet qëllim në vetvete, apo kur motivi nxitës i tyre është shpirti i përfitimit, atëherë futemi në atë rrezik që mendimtarët e mëdhenj të demokracisë e kanë quajtur “kretinizëm parlamentar”.

Cilësia e parlamentit të fundit e dëshmon më së miri këtë mësim demokratik.

Institucionet e ndërmjetme, që kanë për detyrë të zgjidhin krizat ose të paktën të mos ndikohen nga krizat politike, shpesh bëjnë lojën e partive politike duke e agravuar më tej ose duke u futur vetë në krizë. I gjithë sistemi, falë ndikimit të dy partive kryesore kontrollohet dhe influencohet, ose është i pafuqishëm për t’i bërë ballë presionit ose interesit të partive politike. Aq më shumë që në periudhën në fjalë mungon edhe Gjykata Kushtetuese. Për rolin e Gjykatës Kushtetuese flitet aq shumë, saqë bëhet retorikë boshe në funksion të grindjeve partiake. Pak kuptohet rëndësia e pavarësisë së tërë sistemit gjyqësor, pasi demokraia dhe pluralizmi nuk mund të mbahen, si dhe rrezikojnë të shkasin në një “despotizëm të butë” siç shprehej Tokëvili, nëse pushteti gjyqësor nuk është i pavarur dhe jo vetëm një degë e tij siç është Gjykata Kushtetuese. Mendimtarët e mëdhenj të kontraktualizmit, që nga Hobsi deri te Tokëvili, jo më kot theksonin se kontraktualizmi nuk mund të funksionojë pa pavarësinë absolute të pushtetit gjyqësor, për faktin se kontrata ndërmjet popullit dhe sovranit kërkon një autoritet të tretë që të mbikqyrë respektimin e pikave të kontratës (në rastin konkret të Kushtetutës), pasi sovrani (pushteti ekzekutiv) për shkak të mjeteve që zotëron ka shumë mundësi t’i shkelë pikat e kontratës dhe rruga është e hapur drejt despotizmit, qoftë dhe atij të “butë” siç paralajmëronte Tokëvili. Kjo është një çështje themelore për jetën dhe lirinë tonë dhe jo pse e kërkojnë ndërkombëtarët. Prandaj Francis Bakon (1561-1626) e përmbledh këtë situatë me një formulë të jashtzakonshme: “If ëe don’t maintain justice, justice ëill not maintain us” (Në qoftë se ne nuk e mbrojmë drejtësinë, ajo nuk do të na mbrojë ne).

Tek ne shihet qartë kriza e besimit ndaj institucioneve dhe mbivlerësimin e rolit të komunitetit ndërkombëtar. Kriza e besimit ndërmjet popullit dhe institucioneve janë momentet më delikate për një demokraci dhe jo më për një demokraci hibride, siç është demokracia jonë. Problemi është edhe jetik pasi kompromentohet ideja e demokracisë, Monteskjë do të thoshte “korruptohet ideja e demokracisë”, dhe populli e braktis pjesëmarrjen në jetën politike, duke i lënë rrugë të lirë “sharlatanëve politikë”, siç shprehej Tokëvili, që dinë aq mirë t’i pëlqejnë popullit, ndërsa miqtë e tij të vërtetë dështojnë.

Në këto raste, komuniteti ndërkombëtar përdoret si i vetmi burim legjitimiteti i aksioneve, apo kauzave të subjekteve politike në Shqipëri. Edhe kur përdoret publiku ai është në funksion të ndryshimit, apo sigurimit të mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar. Ky i fundit, zëvendëson demosin lokal si burim legjitimiteti. Për shumë probleme të brendshme, më shumë sesa legjitimiteti i opinionit të brendshëm politik, kërkohet ai i përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky raport i përmbysur në funksion të legjitimitetit prek thelbin e demokracisë, atë që lidhet me sovranitetin. Demokracia në thelb siç do të shprehej Tokëvilli është sovraniteti. Demosi jo vetëm që duhet të jetë i lirë të marrë vendime për veten, por dhe i aftë të gjykojë për fatet e veta. Një demos që ia ka deleguar demokratizimin një organizmi tjetër, është e vështirë të instalojë demokraci. Kjo është një situatë paradoksale pasi drejtuesit janë legalë, por nuk janë legjitimë.

Kjo nevojë për legjitimitet si edhe ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar stimulohet dhe specifika e periudhës së marrë në analizë 2018 – 2020. Në këtë periudhë kemi përplasjet me natyrë kushtetuese mes Presidentit dhe shumicës, shumicës dhe opozitës dhe mungesa e Gjykates Kushtetuese ose si të themi e albitrit i jep rol deciziv komunitetit ndërkombëtar. Njëkohësisht, iu jep hapësirë aktorëve lokalë të interpretojnë qëndrimet e tyre sipas axhendës politike dhe jo frymës së kushtetutës. Pra, secili është legjitim në aksionin e vet politik pasi ‘albitri’ që ka tagrin për të përcaktuar rregullsinë ose jo të lojës mungon.