Prof. Elmaz Sherifi: Kryerilindasi u deh pa pirë raki në Skrapar nga paniku i humbjes. Ja përse nuk matesh dot me Ilir Metën

223
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Rama para skrapariotëve pranoi se janë çmendur në “Shtëpinë e tij”. Unë nuk mund të them se ishte marrosur, kur gjatë ligjërimit të tij dëshpërues i ngrinte buste Ilir Metës dhe pas 20 sekondave u bënte thirrje skraparllinjve të zbrisnin nga maja ku ishte ngjitur.

Dhe është e vërtetë, nëse do të përdornim figuracionin politik, Meta është i vetmi politikan në Shqipëri që i janë “ngritur” tre buste ose që ka “hypur” në tre podiume nderi. Është bërë Kryeministër i Shqipërisë 30 vjeç, Kryetar i Kuvendit 40 vjeç dhe Kryetar i Shtetit 50 vjeç. Nëse për dy “medaljet” e para Rama nuk i ka bërë ndonjë vleresim publik, kur Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi Kryetar Shteti, Rama ia  “derdhi bustin në ar” dhe lëvdatat për “lartmadhnin” e tij ishin aq të medha sa i habiti të gjithë shqiptarët. Por, përse u deh pa pirë rakinë e Skraparit e u marros dje në takimin me skraparllinjtë e me përuljen e hipokritit u lutej ta ulnin në 25 prill Ilir Metën nga maja, ku ai e ngjiti?

Kjo nuk është marria e vetme, që po e shoqëron ngado ku zhvillon monologjet bezdisëse edhe për ata që i fton të ulen në karrike.

Marria më e madhe eshtë ftesa, që ka filluar t’i bëjë Bashës, që të bashkëqeverisin pas zgjedhjeve të 25 prillit!

Ftesa filloi të artikulohet pasi po bindet se nuk ka asnjë shans t’i fitojë zgjedhjet. Si mjeshtër i diversionit politik mendon se duke artikuluar në çdo takim tezën e bashkëqeverisjes, demoralizon zgjedhësit e opozitës, të cilët po e shfaqnin mbështetjen e kandidatit për kryeministër në mënyrë festive. Në fakt ai po i mobilizon edhe më shumë, duke futur panikun e humbjes te “grupet e inkriminuar”  të djemve problematikë, por, edhe te kategoria e “votuesve të interesit”, të cilët po e kuptojnë se Rama është humbës e ata nuk mund ta ndjekin më “humbësin e hutuar”. Ditët që po rrjedhin me shpejtësinë e ciklonit kanë për ta përkeqësuar gjendjen psikologjike e shëndetin mendor të tij, sepse tashmë ai është “rrethuar” me kërkesa për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare sipas standardeve demokratike perëndimore dhe ambasadorja Kim leshoi “rrufe në qiellin e ndritur”,  kur i ftoi zgjedhësit e Shqipërisë që të votojnë ndryshimin, çka kuptohet se do të mbetet e parealizuar ëndrra e mandatit të tretë, të personit që ngjason me subjektin aktorial të filmit “Ëndërr për një Karrike”. Paniku i humbjes dhe dehja pa pirë” e shfaqi Ramën me dobësi të theksuar burrërie, e karakteri, sepse tradita skrapariote nuk pranon të flasësh për djalin e tyre, pa qenë ai prezent. Prandaj ai nuk e kuptoi se me atë sjellje aspak dinjitoze i humbi edhe më shumë shanset për të marrë votën e tyre. Skraparllinjtë e kanë votuar edhe Zogun e i kanë kërkuar Asamblesë Kushtetuese ta shpallnin mbret. Asambleistët votuan që Zogu të ishte Mbret i shqiptarëve, por, ishin kohë të tjera mik. Skrapariotë nuk do  të votojnë që ti të bëhesh, ashtu si kërkove “kryeministër i shqiptarëve”. Kjo nuk ka për të ndodhur, sepse tashmë shumica absolute e shqiptarëve të njohën mirë dhe e dinë se çfarë i pret nëse ta bëjnë atë “dhuratë”… Keq qeverisja tetëvjeçare të ka njehësuar me autokratin në demokraci që i do të gjitha pushtetet e shtetit për interesat e oligarkisë politike. Filizofinë e qeverisjes autokratike e ke shfaqur çdo ditë me artikulimet politike. Si filozofi surelist i së Drejtës i ngre bustin vetevetes. Diktatorëve ua ngrinin bustet e përmendoret “njerëzit e oborrit”. Ti i thurr lavde vetes me shprehjet e shpifura “si do bëni ju, kur të mos më keni”, ose “do më kërkoni, por nuk do të më gjeni”. Pasi konsumon vetlëvdatat, me zërin baritor e shpall “Rilindjen” forcën e vetme të shtetit dhe të shoqërisë, si dikur shpallej me Kushtetutë Partia e Punës. Pra ju e shfaqni botërisht të pavlefshëm për shqiptarët pluralizmin politik. Si do të vejë fati shqiptarëve, nëse ju dhe partia juaj i humbasin zgjedhjet? Sipas jush, ata mbetën pa “jetë”, sepse pa ju, nuk mund të ndërtohen shtëpitë e pallatet e rrëzuara nga tërmeti,  populli mbetet pa vaksinuar, pa ujë e pa dritë! Shqiptarët nuk do të votojnë, sepse gjatë qeverisjes antikushtetuese vrave shpresën dhe ëndrrat më të bukura të të rinjve dhe intelektualëve. Punove, që t’i largosh të rinjtë nga Shqipëria, për të sjellë të huajtë që mund t’i shtypësh e t’u dhunosh të drejtat njerezore, që ti të “mbretërosh”, pasi ata nuk mund të kërkojnë paga të mira e të drejta politike. Do ikësh mik, për të mirën e shqiptarëve dhe të keqen e oligarkisë politike. A nuk thua publikisht se mandati i tretë të duhet për shqiptarët? Pra, pranon, se dy mandate ke punuar për oligarkinë politike, e kundër shqiptarëve.  Jeni i sinqertë! Mbaroi misioni i përçarjes së shqiptarëve këtu, në Kosovë, në Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut. Le të mërziten nga largimi juaj, përftuesit e PPP, zotëruesit e vërtetë të pasurisë publike. Shqiptarët nuk do mërziten aspak, përkundrazi e presin. Shqiptarët kanë qenë të orientuar nga Perëndimi. Ju dëshironi t’i merrni zvarrë në mendësinë lindore të qeverisjs!