Prof. Dr. Tritan Shehu: Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, një mundësi reale, por që nuk duhet keqpërdorur

149
Sigal

Për ish-ministrin e Jashtëm, Tritan Shehu, zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit është një mundësi reale, por që nuk duhet keqpërdorur, si Presidenca e OSBE-së, apo mundësi të tjera që na janë dhënë më herët.

“Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, një mundësi reale, por që nuk duhet keqpërdorur, si Presidenca e OSBE-së, apo mundësi të tjera.

Shumë pozitive kjo hapësirë e re për vendin tonë.

Por që nuk duhet të ketë fatin e shumë mundësive të tjera të mëparshme të diplomacisë sonë.

Dhe as duhet të kthehet në një hapësirë improvizimesh, teatralitetesh personale, a rolesh jo adeguate, gabimesh trashanike prej lidhjeve okulte të Ramës dhe kësaj qeverie, siç ka ndodhur prej 2014-ës, qoftë kjo në nismat e qëndrimet tona Rajonale, te daljet nga realiteti e “mega-rolet” e tij në periudhën e kryesimit të OSBE-së, apo shumë raste të tjera.

Veçanërisht dëshiroj të përmend gabimet e rënda në Asamblenë e OKB-së, Konferencën Islamike, etj., kur për shkak të disa lidhjeve e kondicionimeve të papërputhshme me interesat tona, u mbajtën qëndrime a u votua diametralisht kundër pozicioneve të ShBA-së për çështje të sigurisë globale, apo të lidhura me gjendjen e Lindjes së Mesme.

Rama duhet të kuptojë se pavarësisht disa “preferencave” të atyre lidhjeve të tij, veçanërisht tani në Këshillin e Sigurimit, për çështjet e sigurisë globale e për zonat e vështira e të “nxehta” në Botë, vendi ynë duhet të ndjekë krejtësisht politikën e ShBA, si garanti kryesor i paqes e stabilitetit kudo”, shprehet deputeti i zgjedhur i PD, Tritan Shehu.