Prof. Dr. Tritan Shehu: “Covid” në përkeqësim, Rama “i zhdukur”, Komiteti në konfuzion, Ministria vë në dyshim testimet e saj

53

Vazhdojnë të shënohen shifra të larta të Covid-19 në vend, ku në 24 orët e fundit ka pasur 4 humbje jete dhe 83 raste të reja. Duke u nisur nga kjo situatë që sa vjen e rëndohet, ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu thekson se në këto kushte asistenca ndërkombëtare për përballimin e pandemisë së koronavirusit në Shqipëri është mëse e domosdoshme. Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Shehu thekson se në një kohë që pandemia e “Covid”-it është në përkeqësim, kryeministri Edi Rama është “zhdukur”, Komiteti në konfuzion, ndërsa Ministria e Shëndetësisë vë në dyshim cilësinë e testimeve të saj!

““Covid” në përkeqësim, Rama “i zhdukur”, Komiteti në konfuzion, Ministria e Shëndetësisë vë në dyshim cilësinë e testimeve të saj!

Asistenca ndërkombëtare e domosdoshme në këto kushte, kur:

– Shifrat e pakta zyrtare për përhapjen e pasojat e Covid janë tej alarmit, jemi nën një mungesë transparence, pa strategji, me një Komitet që pas dy muajsh belbëzoi përdorimin e maskave, që deklaron pa kuptuar gravitetin, hyrjen në “fazën e transmetimit komunitar” (të jashtë kontrollit)… jemi dhe me një Qeveri të paralizuar!

– Ndërsa Kryeministri ka “harruar” fjalën Covid kur pak muaj më parë ishte i “kudo e kurdo ndodhur” në betejën e tij të dështuar me tanke e avione, në vend të një strategjie inteligjente kundër një virusi, veçse duke terrorizuar qytetarët.

– Por “çuditë” pështjelluese nuk mbarojnë, ndërsa vazhdojnë të mbahen të bllokuara të gjitha laboratorët e vendit Ministria e Shëndetësisë vë në dyshim besushmërinë e testimeve të saj, të vetmet të lejuara molekulare e imunologjike, duke i dhënë një të tillë vetëm 70% e duke shpallur në këto kushte si strategji të mbrojtjes së spitaleve mos testimin e gjerë!!!! Mos vallë ne vazhdojmë të përdorim akoma kitet kineze në PCR, kur kitet e reja perëndimore kanë sensivitetin 95% e specifitetin 98%, po në imunologji, cilat janë kitet e vetme që përdoren e pse nuk publikohet dokumentacioni përkatës?! Në këto e të tjera kushte të rrezikshme tashmë në ekstrem duhet filluar menjëherë hartimi i një strategjie inteligjente e implementimi i saj, gjë e cila imponon një asistencë profesionale e logjistike ndërkombëtare të qëndrueshme në terren, mundësisht italiane, që nuk do të mungojë në qoftë se kërkohet”, shprehet Tritan Shehu.