Prof. Dr. Tritan Kalo: Bërja e Shtetit është vetëm një obligim dhe këtë gjë e realizojnë “Burrat” dhe jo “burrecërit” e shtetit

538
Jakup B. GJOÇA

( Vijon nga numri i kaluar )
Anormaliteti i funksionimit të Demokracisë te ne e gjen pasqyrimin më të qartë, në dy dukuri “Made in Albania”:

1- në përfshirjen në drejtimin politik edhe të padjersiturve nga puna, që firmën e parë në bordero e hodhën si deputet apo edhe si ministra, 

2- në jetëgjatësinë e politikanëve në qeverisje
Prof. Dr. Tritan Kalo, në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf” shpjegon se Demokracia jonë është në anormalitet, për shkak të përfshirjes në politikë të atyre që nuk kanë djersirë në punë, dhe në jetëgjatësinë e politikanëve. Si intelektual, si personalitet, si njeri me integritet të lartë Prof. Dr. Tritan Kalo pohon se bërja e Shtetit (sëmundja kronike e shtetit shqiptar) nuk është një dëshirë, por është vetëm një obligim, dhe këtë e realizojnë “Burrat” dhe jo “burrecërit” e shtetit. Prof. Kalo, si specialist në Shëndetësi, analizon koncensionet PPP, dhe me doza ironie thotë se punët i bëjnë të ndershmit, atdhedashësit, ndërsa fitimet i përfitojnë të korruptuarit, tenderistët, puthadorët. Prof. Kalo, u bën thirrje intelektualëve, që të jenë aktivë në jetën politike dhe shoqërore, nuk duhet të heshtin, por të mbrojnë të drejtën. Sepse pushtetarëve nuk u duhen luftëtarët për zgjidhjen e problemeve, por individët që tundin kohën në mënyrë pohore. Pyetjes, nëse Prof. Kalo ka ndonjë propozim nga partitë politike, apo ka ambicie që të jetë përfaqësues në Parlament, meqë është një nga intelektualët që gëzon respekt dhe ka integritet në shoqëri, përgjigja që marrim është sa e sinqertë, por edhe kuptimplote: “Edhe nëse do të më kërkohej të jepja kontributin tim qytetar në Parlamentin Shqiptar, do të ndihesha i vlerësuar dhe i motivuar, nëse do të kryesoja ndonjë liste kandidaturash dhe jo të përdoresha ”si material mbushës” i tyre. Dinjitetin tim unë nuk e shkëmbej për t’u bërë sfond i mitingjeve elektorale”!

– Prof. Kalo, 26 vjet Postkomunizëm dhe pluralizëm politik, ku po shkojmë si shoqëri shqiptare? Si komb shqiptar? Si shtet shqiptar? Jemi në rrugën e duhur të integrimit? Të bashkimit dhe Unitetit Kombëtar?
-“Demokracia është kopaçja e popullit për popullin”, thotë Oscar Wilde. Kalimi nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri me dyer të shqyera nuk ishte i lehtë për ne, përkundrazi. Të mësuar nën urdhra dhe trusni, lirinë tonë të të menduarit dhe të vepruarit në një sistem demokratik NE e abuzuam pa masë. Është e pafalshme, që edhe 26 vite të ekzistencës së një shoqërie pluraliste, te ne të diskutohet ende se, a do të ketë, apo jo zgjedhje të lira dhe të ndershme? Jemi ende në udhëkryqin e tranzicionit duke hezituar të vijojmë Drejt një Shoqërie të vërtetë Demokratike, të rikthemi Majtas, aty ku u asfiksuam për 45 vjet, të kalojmë Djathtas, drejt ekstremizmave nacional-fashiste, si po përpiqen të bëjnë jo pak Lëvizje politike sot në Evropë, apo thjesht të zhigasim këmbët e të vijmë rrotull në këtë udhëkryq. Janë shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët e bëjnë imperative integrimin=bashkimin mes vedit, përpara se të mendojmë dhe veprojmë për një integrim më të plotë në hapësirat Evropiane. Kanë kaluar 105 vjet pas Deklarimit të Mëvetësisë më 28.11.1912, dhe ne ende nuk kemi realizuar amanetin e Baballarëve të Kombit dhe të rënëve për të, Bashkimin Kombëtar, të cilin unë e shoh shumë të mundshëm, nëse punojmë për të. Nuk mundet kurrë të ketë integrim në Bashkimin Evropian të pesë copëzave Shqipërie, pa realizuar më parë harmonizimin dhe integrimin gjeografik-ekonomik-politik e social të tyre. Politikanëve tanë u vjen për shtat një copëzim i tillë, sepse ata ndihen si agallarë në sarajet e tyre të Tiranës, Prishtinës, Shkupit apo Podgoricës. Ndryshimet iniciohen nga poshtë, me vullnetin dhe përpjekjet tona si popull. Në Bruksel gatuhen disa lloj gjellërash, të “shijshme” apo të “hidhura”, më shumë ose me pak “proteina” jetëdhënëse, të cilat varet nga “dieteticienët dhe kuzhinierët” që i përgatisin ato. Për ne, si Shqiptarë, derisa t’ia mbërrijmë t’i shijojmë si duhet ato, NËSE do t’ia mbërrijmë dhe Evropa, ndërkohë ende do të ekzistojë e Bashkuar, na duhet të punojmë fort e fort “kopshtin e përbashkët” që quhet Shqipëri e 28.11.1912, që ky kopsht deri më tash “i bekuar nga Perëndia, por i mallkuar nga Njerëzia” të fillojë sa më shpejt të prodhojë frute jetëdhënëse për ardhmërinë tonë Kombëtare. Në Evropë mundesh të Integrohesh plotësisht vetëm e vetëm si i Barabarti mes të Barabartëve, ndryshe hyn në të i fundit e në fund të karvanit mbetesh. Fqinjët tanë jugorë janë shembulli më i qartë për këtë gjë. Tanimë, kur bëhet fjalë për një Zhvillim Evropian me disa shpejtësi, na duhet që, ose të Evropianizohemi=Demokratizohemi=Zhvillohemi mes vedit së pari, ose të vijojmë të pimë nga pak hashash dhe të kotemi duke ëndërruar të parealizueshmen. 

– Prof. Kalo, ju si mjek që jeni, që shërbeni në Shëndetësinë Publike, a shikoni ndryshim, në të mirë të shërbimit shëndetësor publik?
– E mira – e bukura, si objekt adhurimi, ka shumë vlerësime në vartësi të këndvështrimit, që kemi mbi të. Pas 23 Qershorit 2013 janë bërë përpjekje jo të neglizhueshme për përmirësimin e Shëndetësisë Publike, kuptohet nën fanfarat e muzikës kakofonike të “Shëndetësisë Falas”. Në aspektin fasadë. po ashtu edhe në sjelljen e shumë pajisjeve të teknologjisë së lartë nuk ka të krahasuar me të kaluarën. Jemi shumë më mirë se më parë. AJO që është thelbësorja në Shëndetësinë Publike, dhe që është cenuar jo pak prej disa qëndrimeve e veprimeve irracionale nga Piramida Drejtuese e Ministrisë së Shëndetësisë, është rënia e mirëbesimit të Popullatës ndaj këtij Sistemi, si dhe thyerja e mirëbesimit reciprok pacient-mjek. 

– Sa kanë ndikuar koncensionet në përmirësimin e shërbimit në shëndetësinë publike, që ka dhënë qeveria e Rilindjes? Është kjo politikë konçensioniste një praktikë e njohur në vendet Evropiane, apo një risi Shqiptare?
– PPP-ja (Partneriteti Publik Privat), të cilën e kanë fort për zemër Qeveritarët tanë këto kohët e fundit, për njerëzit si unë përkthehet si: “Punët në këtë vend i bëjmë ne, idealistët, personat popull e atdhedashës, të cilët nuk i mungojnë këtij vendi, por fatkeqësisht Paratë dhe Përftimet e punës sonë dhe të gjithë Shqiptarëve të ndershëm, i marrin kryesisht tenderistët, të korruptuarit, politi-qenët, puthadorësit, atdherrënuesit dhe popullshtypësit.” Me aq para sa janë dhënë për konçensionet e “check-up”, te dializës, të sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë, të laboratorëve të analizave, të recetave elektronike etj, do të ishin bërë më shumë punë për mëkëmbjen cilësore të Shëndetësisë Publike, në këtë vend si i yni me një buxhet për shëndetësinë jo më shumë se 3% e PNB/GDP-së. Bashkpunimi Pulbik – Privat është praktikë e njohur në Evropë, por të panjohura janë për të konçensionimet e sektorëve kyç të Shëndetësisë Publike. 

– A ka ndikuar sot emigracioni në hemorragjinë të trurit, të mjekëve dhe personelit shëndetësor në Shqipëri? 
-Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, ju mjafton të shihni në shtypin e përgjithshëm, njoftimet e përditshme për mungesat e mjekëve dhe infermierëve në të katër anët e vendit. Ka mungesa, jo vetëm të personelit të përgjithshëm mjek-infermier, por edhe të specialistëve në sektorë të ndryshëm të Shëndetësisë Publike. Me këtë ritëm emigrimi nuk do të mundemi më vonë të plotësojmë as nevojat bazë të shërbimit të popullatës, e jo më të përpiqemi ta ngremë Mjekësinë tonë në nivelet e kohës. Mjekët dhe infermierët, ndihen përditë e më tepër të nëpërkëmbur, jo shumë të vlerësuar në vendin e tyre, e ata jo rrallë janë diabolizuar, duke mbajtur shpesh mbi shpinë edhe vetë mëkatet e keqqeverisjes së vendit. 

– A është fakt, që sot shumë intelektualë nuk flasin, nuk kritikojnë, nuk janë aktiv në shoqëri, ngaqë kanë pasoja personale nga trysnia, presioni dhe represioni i qeveritarëve?
-Cilido prej nesh, që pretendon të mbartë mbi supe një titull nderues, si ai i “intelektualit”, nuk mundet kurrë të heshtë përpara padrejtësive që i bëhen të tjerëve rreth tij si dhe vetë atij. “Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë” – shprehet Aristoteli. Individë të tillë të përshkruar edhe më lart, nuk besoj se e meritojnë të mbartin kostumin e intelektualit, shpesh të veshur prej shumë prej atyre për shkak të konformizimit ekzemplar politik, që ata kanë treguar dhe vijojnë të tregojnë. Intelektuali nuk i nënshtrohet asnjëherë dhe në asnjë rrethanë autoçensurës. Jo me kot, shumë vite më pare, kur luftohej për emancipim social në SHBA, Martin Luther King shprehej se: “Nuk kam frikë nga fjalët e të dhunshmit, por nga heshtja e të drejtit.” Cilido prej nesh, që mendon se i përket elitave intelektuale të këtij vendi, nuk duhet asnjëherë të heshtë, por të flasë në mbrojtje të së drejtës. Për një intelektual të vërtetë: “Nuk kanë rëndësi vitet në jetë, por jeta e kaluar në vite”,- do të shprehej me të drejtë Abraham Lincoln.

– Prof. Kalo, çfarë duhet të besojmë më shumë: Që Shqipërinë do ta rregullojnë këta politikanë që votojmë 26 vjet me radhë? Që do të jenë partnerët tanë ndërkombëtarë, BE dhe SHBA, ata që do t’u shtrëngojnë vidhat këtyre politikanëve e që do të na rregullojnë Shqipërinë dhe të ardhmen tonë? Apo, ju besoni në një rrugë të tretë?
– Si individ rrekem të besoj në faktin se ishin Anglezët vetë ata që bënë Revolucionin e parë Borgjez e më pas ndërtuan një nga Sistemet më Demokratike të Njerëzimit. Ishin Francezët ata që e bënë Revolucionin Francez, të udhëhequr nga deviza: “Liberté, Egalité, Fraternité” (“Liri, Barazi, Vëllazëri”), andaj askush tjetër përveç se Shqiptarëve nuk do ta rregullojë Shqipërinë, që të bëhet një Shtet/Komb i prospertë dhe ku të mbretërojë drejtësia sociale. Në 26 vitet e “Demon-kracisë” u vërtetua qartazi për të gjithë politikanët tanë, që i humbën lidhjet me elektoratin e tyre dhe u vetkrahasuan me Zotin, se: “Contritionem praecedit superbia” (“Mendjemadhësia parathotë thyerjen e qafës”).

– Ju, Prof Kalo. si e shpjegoni që në Shqipëri, kemi të njëjtët politikanë në qeverisje, më jetëgjatë në Ballkan? Është anormali e demokracisë kjo?
-Anormaliteti i funksionimit të Demokracisë te ne e gjen pasqyrimin më të qartë, në dy dukuri “Made in Albania”: 1- në përfshirjen në drejtimin politik edhe të padjersiturve nga puna, që firmën e parë në bordero e hodhën si deputet apo edhe si ministra, si dhe 2- në jetëgjtësinë e politikanëve në qeverisje. “Idetë janë kyçi i Pushtetit”- thotë Antonio Gramshi. Koha e ka treguar se individë të tillë mjaft të konsumuar nga kohëqëndrimi në politikë, vetëm idera nuk mundet të prodhojnë e jo më, të vijojnë të tregojnë cilësi menaxhuese të problemeve të shumta, me të cilat përballet një vend. Bërja e Shtetit nuk është një dëshirë, është vetëm e vetëm një obligim, dhe këtë gjë e realizojnë “burrat dhe jo burrecërit” e shtetit. 

– Shikoni që ka reflektim, ka ndërgjegjësim te kryetarët e partisë, përsa i përket Dekriminalizimit të Parlamentit? Apo besoni se fenomeni do të ripërsëritet, pasi kryetarëve të partive u intereson fitorja elektorale me çdo çmim?
-Është e pa imagjinueshme sot që një Parlament i një vendi Evropian të nxjerrë ligje për Dekriminalizimin e tij. Edhe për këtë gjë risia e “Demon-kracisë” Shqiptare do të mbetet në historinë e Parlamentarizimit. Individët e implikuar në krime si vrasje, prostitucion, apo drogë nuk erdhën vetë në Parlamentin tonë. Ishin këta Kryetarë partish, si Majtas edhe Djathtas aulës Parlamentare, që i përzgjodhën për hir të disa votave më shumë. Nuk e di se sa janë të ndërgjegjësuar dhe të gatshëm sot këta Kryetarë, si dhe shpura rreth tyre, që t’i lëshojnë ata nga duart si dhe privilegjet e siguruara përmes mbështetjes prej tyre. Vendimi i fundit i KQZ-së, në lidhje me mandatet e deputetëve dhe të zgjedhurve vendor, sigurisht i influencuar prej presionit të këtyre Kryetarëve Partiakë, e tregon qartazi se do të jetë shumë e vështirë mosprania e tyre në Parlamentin e ardhshëm. Të ngresh dorën për aprovimin e Ligjit mbi Dekriminalizimin, dhe më pas të shtiresh se nuk e ke kuptuar si duhet atë, është pak të quhet hipokrizi. 

– Ju, Prof Kalo, ishit edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, mirëpo në zgjedhjet e 2015-s nuk rikandiduat. Ishte kjo zgjedhja juaj, apo partitë mohuan kandidaturën tuaj?
-Zgjedhja ime ishte fakti i të qenit i dyti në listën e 2011 për Opozitën e kohës në Këshillin Bashkiak, për t’i lënë vendin një zonje të nderuar si Mimoza Hafizi, që ta kryesonte atë listë. Në 2015 nuk më është kërkuar asnjë mendim për të vijuar, ose jo kontributin tim në atë këshill, tashmë kur raportet politike, si ato qendrore edhe lokale, kishin ndryshuar. U preferua të largoheshin nga lista e Këshilltarëve individë të spikatur si Mimoza Hafizi, Kiço Blushi, Artan Mullaj etj, për t’u zëvendësuar në shumicë nga “yes-woman” ose “yes-man”, të cilët asnjëherë nuk kanë munguar në çdo forcë politike. Kur je në Pushtet, pak të nevojiten “luftëtarët” për zgjidhjen e problematikave të qytetit, po mjaftohesh të rrethohesh nga individë që pak e venë në funksionim kokën ose vetëm tundin atë në mënyrë pohore. Plutarku këtyre drejtuesve do t’i këshillonte se: “Mua nuk më duhet miku, që pajtohet me gjithçka dhe çdo gjë e miraton me kokë, sepse këtë edhe hija ime mund ta bëjë shumë më mirë.” Unë si individ kurrë nuk kam pranuar si dje, sot aq më shumë edhe nesër, që “të delezohem” për hir të një posti publik. Në këtë drejtim, më ka shërbyer shumë një maksimë e Pitagorës: “Bëhuni si ora e saktë, por mos u bëni si ora që çdokush t’ju kurdisë.”

– Si e shpjegoni Ju, Prof. Kalo, që megjithëse ju gëzoni reputacion në shoqëri dhe shquheni për personalitetin tuaj të spikatur edhe në fushën shkencore të Infektologjisë dhe të Urgjencave Mjeksore, nuk u është afruar asnjë parti politike, që t’ju kandidojë për në Parlament? Keni ambicien e qytetarit, të intelektualit, të Personalitetit, që edhe ju të kandidoni për deputetë?
-Partitë tona politike në këto 26 vite të Pluarlizmit Politik, në jo pak raste kanë bërë shumë zgjedhje të gabuara, çka është reflektuar në cilësinë bjerrëse të përfaqësimit të popullit në të vetmin vend, ku duhet menduar e folur më me shumë ment (Parlament, Parla=flit me Ment). Lënia ekskluzivisht në dorën e tyre të përzgjedhjes së kanditatëve për deputet të listave të mbyllura, ua heq mundësinë votuesve të bëjnë zgjedhjet e tyre individuale, por vetëm atë të subjektit politik të cilin ata simpatizojnë. Përgjithësisht, Drejtuesit tanë politikë të çdo krahu, si Majtas edhe Djathtas, kanë për dëshirë të maten me hijen e vetes, dhe nuk i kanë shumë për zemër vërejtjet, apo sugjerimet që u bëhen nga të tjerët, për hir të zhvillimit sa më shpejt dhe sa me cilësor të vendit. Unë kam me se ta mbush jetën time, sepse: “Puna, vullneti dhe suksesi mbushin ekzistencën e njeriut.” – thotë Lui Paster. Edhe nëse do të më kërkohej të jepja kontributin tim qytetar në Parlamentin Shqiptar, do të ndihesha i vlerësuar dhe i motivuar, nëse do të kryesoja ndonjë liste kandidaturash dhe jo të përdoresha ”si material mbushës” i tyre. Dinjitetin tim unë nuk e shkëmbej për t’u bërë sfond i mitingjeve elektorale, meqenëse në pak më shumë se katër vite unë mbush moshën e pensionit, dhe dua gjithmonë të kujtohem nga të gjithë se: “Jetova aq sa punova.”(Gëte)

– Përse juve, Prof. Kalo, nuk jeni joshur për t’u pasuruar materialisht? Nuk jua është dhënë mundësia?
-Nuk kam dëgjuar asnjëherë që paraja, pasuria i bën njerëzit të lumtur. Platoni thotë se: “Duke u përpjekur për lumturinë e të tjerëve gjejmë lumturinë tonë.” Unë kam punuar dhe jetuar, duke dhënë dhe duke marrë dashuri pa fund nga familja ime, nga njerëzit e mi të afërt, nga miqtë e mi, nga kolegët e mi mendjehapur dhe, mbi të gjitha, nga pacientët e mi. “Dashuria është pasioni i vetëm që paguan me monedhën e saj.”- shprehet Stendal. 

Traseja e Jetës sime
– Cilat janë parimet, virtytet që ju udhëheqin në jetën tuaj dhe me to Ju, Prof. Kalo nuk mund të bëni kurrë “Pazar” as me vetveten?
– Integriteti, mos përkulja para vështirësive, respekti i vetvetes për atë që unë përfaqësoj, dinjiteti si mjek, dijeshpërndarës, shok, vëlla e baba, dashuria pa limit për këdo që ecën krah meje për tu përballur me dallgët e jetës. “Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.” – thekson Leon Tolstoj. Më gjerë pyetjes suaj do t’i përgjigjesha përmes fjalëve të mëposhtme të vargëzuara, si:

Traseja e jetës sime
Dashuria për jetën, për njerëzit mbetet për mua i vetmi pasion,
Jeta e mirëjetuar në tërë dimensionet nuk e njeh fjalën korrupsion.
Mendimi, puna, përpjekjet për një jetë të tillë shihen si i vetmi opsion,
Emri i mirë, ecuria në jetë nuk mundet të bëhen me ndonjë subvencion.
Të parët sy më sy mes nesh kërkon veç pastërti, guxim si një obligacion,
Dashakeqësia, mëndjengushtësia, karriera e dyshimtë përbëjnë një deviacion.
Nëse jetën tonë përditësisht e jetojmë të angësht, të vrarë dhe pa asnjë pasion,
Ne veç do zhigasim këmbët tona prej vitesh në shtigjet e saj pa ndonjë devocion.
Ecim, ngecim, vrapojmë, shtyhemi, tërhiqemi shpesh në jetë pa sadisfaksion,
Meqenëse horizontet e së ardhmes jo rrallë smogu i injorancës, e pavlerta na i mjegullon.
Në duam që jetës, punës, dijeve, përpjkjeve e shpirtit tonë ti japim ambicion,
Jemi NE, të vetmit Ne të cilët kurdoherë kemi në dorë të zgjedhim një mision.
Në të kundërt gjithësecili prej nesh nën hijen e tjetrit përjetësisht do mbetet, kur injoron,
Ekzsistencën, forcën, vlerat, eksperiencën e vetevetes, zjarrin e brendshëm që i bubullon!
1
Nuk mundet kurrë të ketë integrim në Bashkimin Evropian të pesë copëzave Shqipërie, pa realizuar më parë harmonizimin dhe integrimin gjeografik-ekonomik-politik e social të tyre. Politikanëve tanë u vjen për shtat një copëzim i tillë, sepse ata ndihen si agallarë në sarajet e tyre të Tiranës, Prishtinës, Shkupit apo Podgoricës
2
Tanimë, kur bëhet fjalë për një Zhvillim Evropian me disa shpejtësi, na duhet që, ose të Evropianizohemi=Demokratizohemi=Zhvillohemi mes vedit së pari, ose të vijojmë të pimë nga pak hashash dhe të kotemi duke ëndërruar të parealizueshmen
3
AJO që është thelbësorja në Shëndetësinë Publike, dhe që është cenuar jo pak prej disa qëndrimeve e veprimeve irracionale nga Piramida Drejtuese e Ministrisë së Shëndetësisë, është rënia e mirëbesimit të Popullatës ndaj këtij Sistemi si dhe thyerja e mirëbesimit reciprok pacient-mjek
4
PPP-ja (Partneriteti Publik Privat), të cilën e kanë fort për zemër Qeveritarët tanë këto kohët e fundit, për njerëzit si unë përkthehet si: “Punët në këtë vend i bëjmë ne, idealistët, personat popull e atdhedashës, të cilët nuk i mungojnë këtij vendi, por fatkeqësisht Paratë dhe Përftimet e punës sonë dhe të gjithë Shqiptarëve të ndershëm, i marrin kryesisht tenderistët, të korruptuarit, politi-qenët, puthadorësit, atdherrënuesit dhe popullshtypësit.”
5
Cilido prej nesh, që mendon se i përket elitave intelektuale të këtij vendi, nuk duhet asnjëherë të heshtë, por të flasë në mbrojtje të së drejtës. Për një intelektual të vërtetë “Nuk kanë rëndësi vitet në jetë, por jeta e kaluar në vite”- do të shprehej me të drejtë Abraham Lincoln
6
Si individ rrekem të besoj në faktin se ishin ishin Anglezët vetë ata që bënë Revolucionin Borgjez dhe se ishin Francezët ata që e bënë Revolucionin Francez, andaj askush tjetër, përveç se Shqiptarëve nuk do ta rregullojë Shqipërinë
7
Anormaliteti i funksionimit të Demokracisë te ne e gjen pasqyrimin më të qartë, në dy dukuri “Made in Albania”: 1- në përfshirjen në drejtimin politik edhe të padjersiturve nga puna, që firmën e parë në bordero e hodhën si deputet apo edhe si ministra, si dhe 2- në jetëgjtësinë e politikanëve në qeverisje
8
Vendimi i fundit i KQZ-së, në lidhje me mandatet e deputetëve dhe të zgjedhurve vendor, sigurisht i influencuar prej presionit të këtyre Kryetarëve Partiakë, e tregon qartazi se do të jetë shumë e vështirë mosprania e tyre në Parlamentin e ardhshëm. Të ngresh dorën për aprovimin e Ligjit mbi Dekriminalizimin, dhe më pas të shtiresh se nuk e ke kuptuar si duhet atë, është pak të quhet hipokrizi
9
Kur je në Pushtet, pak të nevojiten “luftëtarët” për zgjidhjen e problematikave të qytetit, po mjaftohesh të rrethohesh nga individë që pak e venë në funksionim kokën ose vetëm tundin atë në mënyrë pohore
10
Edhe nëse do të më kërkohej të jepja kontributin tim qytetar në Parlamentin Shqiptar, do të ndihesha i vlerësuar dhe i motivuar, nëse do të kryesoja ndonjë liste kandidaturash dhe jo të përdoresha ”si material mbushës” i tyre. Dinjitetin tim unë nuk e shkëmbej për t’u bërë sfond i mitingjeve elektorale
Sigal