Prof. Dr. Sokrat Jani: Asnjë qeveri shqiptare nuk merr në konsideratë fshatin dhe bujqësinë

1141
Sigal

INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Sokrat Jani: Sot përdoren rreth gjashtëdhjetë rregullatorë të rritjes së bimëve

Profesioni bazë i tij është Agronomia. Para tridhjetë e ca vjetësh është  specializuar e kualifikuar për kërkimin shkencor në teknologjinë e prodhimit të perimeve. Ka mbi 100 punime shkencore e rreth 70 botime shkencore, brenda e jashtë vendit, mbi 200 artikuj divulgative dhe rreth 20 libra.Sot flitet shumë për hormonet. Komentet janë nga më të ndryshmet, madje arrijmë deri aty sa i cilësojmë të gjitha prodhimet e serave si të papërdorshme për ushqim. Sot, sipas z. Jani ekzistojnë mbi 60 lloj hormonesh me specifikimet e tyre, që janë të domosdoshme për përdorimin në bujqësi. Ata ndikojnë në fototropizmin dhe gjeotropizmin e indeve, në mbirjen e farës, në formimin e gjetheve dhe rritjen e kërcellit,  në  kohën e lulëzimit dhe gjininë e luleve, në lidhjen,  zhvillimin dhe pjekjen e frutave,  jetëgjatësinë e  bimës, dhe madje edhe vdekjen e bimëve

Sot flitet shumë për hormonet, mund të shpjegoni për lexuesin çfarë janë ato?

Hormonet bimore (të njohur edhe si fitohormone) janë substanca kimike që rregullojnë rritjen e bimëve. Ato janë molekula sinjal të prodhuara nga vetë bima dhe gjenden në përqendrime jashtëzakonisht të ulëta. Hormonet rregullojnë procese fiziologjike në qeliza të caktuara në nivel lokal. Ata ndikojnë në fototropizmin dhe gjeotropizmin e indeve, në mbirjen e farës, në formimin e gjetheve dhe rritjen e kërcellit,  në  kohën e lulëzimit dhe gjininë e luleve, në lidhjen,  zhvillimin dhe pjekjen e frutave,  jetëgjatësinë e  bimës dhe madje edhe vdekjen e bimëve. Pra, ato janë jetike për rritjen e bimëve;  në mungesë të tyre, bimët do të ishin kryesisht një masë qelizash të pa diferencuara. Pra, për sa u përshkrua më lartë, ata janë quajtur edhe si faktorë të rritjes ose shkurt hormone të rritjes. Termi  “Phytohormone” u trajtua së pari nga britaniku Thimann në vitin 1948.

Po ato hormonet për të cilat flitet  se përdoren në bujqësi, mund të na shpjegoni çfarë janë? Po prodhimet bujqësore me hormone dhe cilat janë dëmet që sjellin ato?

Ato që në të folmen e përditshme njihen me termin “hormone” bujqësore, janë rregullatorë të rritjes së bimëve, substanca kimike,  të krijuara në rrugë laboratorike e që prodhohen nga industritë kimike më moderne në botë, si  Bayer AG në Gjermani, Sumitomo Chemical Australia Pty Ltd, AMVAC Chemical Corporation në SHBA, Forbes pharmaceuticals në SHBA, Makhteshim Agan në Izrael, etj.. Ata ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e bimëve. Disa imitojnë rregullatorët natyror të rritjes (fitohormonet),  në strukturë dhe në veprim. Shumica janë krejtësisht të ndryshëm nga ata. Rregullatorët e rritjes janë substanca kimike, të cilat kur përdoren në sasi të vogla, modifikojnë rritjen e bimëve, zakonisht duke stimuluar pjesë të sistemit natyral të rregullimit të rritjes. Aktualisht, në vendet me bujqësi të zhvilluar, në Europë dhe më gjerë, janë duke u përdorur rreth gjashtëdhjetë rregullatorë të rritjes së bimëve; disa prej tyre kanë një rëndësi të konsiderueshme në prodhimin e kulturave bujqësore. Ata konsiderohen si një gjeneratë e re e kimikateve bujqësore, pas plehrave, pesticideve dhe herbicideve. Përdorimi i tyre shihet si një alternativë e dobishme për të rritur prodhimin e kulturës. Acidi giberelik p.sh është një rregullator i rëndësishëm, për të ndryshuar rritjen, rendimentin dhe karakteret që kontribuojnë në rendimentin e bimëve. Ndonëse janë substanca me potenciale të mëdha për të ndikuar në rritjen e bimëve, nga ana tjetër përdorimi tyre duhet të planifikohet me kujdes nga specialistët, duke marrë në konsideratë veçantitë e specieve bimore, periudhën e kultivimit, fazën e zhvillimit të bimës, mënyrën e përdorimit,  përqendrimin optimal të tretësirës, etj.,  dhe të kryhet nën mbikëqyrjen e tyre. Përdorimi i rregullatorëve të rritjes së bimëve në prodhimin bujqësor në SHBA ka filluar aty nga viti 1930. Zbulimi i parë, por edhe përdorimet e para i përkasin acetylene dhe ethylene, të cilët shtonin prodhimin e luleve në bimën e ananasit.

Prodhimet bujqësore me hormone a janë të dëmshme dhe cilat janë dëmet që sjellin ato?

Sikurse përmenda më lart ato janë substanca kimike të prodhuara nga industri kimike moderne, shumica kompani farmaceutike; pra janë produkte tepër të kontrolluara dhe të sigurta për shëndetin e njeriut. Kuptohet, që përdorimi i tyre duhet bërë duke zbatuar me rigorozitet recetën e etiketës. Ato nuk grumbullohen në bimë. Tepria në përdorimin e tyre më shpesh shprehet në përkeqësimin e treguesve morfologjik dhe biometrik të bimëve dhe frutave, pra i bënë pa vlera tregtare(fruta të deformuar, fruta me kallo të drunjëzuar, fruta me majucë, me zgavra boshe, me plasaritje sipërfaqësore, etj.) duke ulur sasinë e produktit që del në treg, e për rrjedhojë ulen të ardhurat e fermës. Ndërsa përdorimi i parakohshëm pengon rritjen dhe zhvillimin normal të bimës dhe dëmton cilësitë tregtare dhe ushqimore të frytit, por nuk shkakton dëme tek shëndeti i njeriut.  E kuptoj shqetësimin tuaj, ai është edhe i imi;  trajtimi i parakohshëm i frutave të domates i skuq ato, ndërkohë që brenda mbeten jeshile, pra ulen vlerat tregtare dhe ushqimore.

Po në regjimin komunist a kishin prodhime bujqësore me hormone?

Po. Edhe në atë periudhë përdoreshin substanca rregullatore, në serrat e domateve, që sikurse mund ta dini përgjithësisht ishin të destinuara për eksport. Në serra, në pranverë, temperaturat e ulëta (nën 10°C) dhe moti me re ndikojnë negativisht në prodhimin e domates, sepse reduktojnë lidhjen e frutave për bimë. Për të nxitur lidhjen e frutave në domaten e serrave përdorej preparati Tomatotone ose Tomatolan, që vinin nga vende të tilla si Holanda, Italia, etj.. Kuptohet, përdorimi bëhej tepër i kontrolluar,  vetëm me konsulencën e specialistit dhe nën mbikëqyrjen e tij.

Sot në serrat shqiptare, prodhimet bujqësore janë me hormone? Si injektohen ato dhe në cilat vende janë më të përhapura prodhime të tilla?

Në serra përdoren rregullator për të nxitur lidhjen e frutave në domate. Ato përdoren vetëm kur moti është me temperaturë të ulët (nën 10°C) ose të lartë (më tepër se 30°C). Tretësira, me përqendrim 15 deri në 75 ppm (pjesë për milion) CPA, ose 100-120 ml  Ortomone(ß-acid naftoacetic 5%) për 100 litra ujë, shpërndahet me pompë të posaçme dore të drejtuar në lulesën e bimës. Këshillohet të trajtohet çdo lulesë vetëm një herë; aplikimi i shumë trajtimeve në të njëjtën lulesë mund të shkaktojë deformime të frutave. E rëndësishme është gjithashtu të përdoren atëherë kur kushtet klimatike e bëjnë të domosdoshme. Për pjekjen uniforme të frutave përdoret  preparati Ethrel. Ky preparat kimik  stimulon çlirimin e etilenit dhe ndihmon pjekjen. Trajtimi kryhet kur frutat e parë kanë arritur madhësinë dhe pjekurin(jeshile e hapur në yll) e kultivarit dhe të dëshiruar nga tregu. Përgjithësisht përdoret 10-12 ditë para fillimit të vjeljes. Këto preparate aktualisht përdoren thuajse në të gjitha vendet që prodhojnë domate në serra.

Përse sot shumica e prodhimeve bujqësore, kryesisht zarzavatet vijnë nga importi. Mos vallë nuk kemi bujqësi të garantojë prodhimin në treg?

Përgjigje: Mendoj se tregu shqiptar furnizohet kryesisht me perime të freskëta të vendit. Importohen perime të freskëta (domate, speca, kastravec, pjepër, etj) vetëm në muajt e dimrit. Ne importojmë rreth 18 000 ton perime të freskëta ndërsa eksportojmë rreth 13 000 ton në vit. Kuptohet që raporti duhet të ishte ndryshe dhe mundësitë ekzistojnë. Ne kemi vetëm 856 ha serra, kur për kushtet klimatike që ka vendi mund të kishim jo më pak se 3000 ha. Veç kësaj, edhe ato serra që kanë të instaluar impiantin e ngrohjes, për arsye të çmimit të lartë të karburanteve, përgjithësisht shfrytëzohen si serra diellore, pra pa ngrohje.