Sigal

Mazhoranca të heqë dorë nga propaganda dhe arroganca dhe të kthehet te realpolitika

Kumti i Luksemburgut ishte i qartë: së pari, vendet anëtare i siguruan shqiptarët se procesi i integrimit është i pakthyeshëm, sikundër ka qenë ëndrra e tyre prej viteve -90-të dhe se lojërat e mazhorancës me të ashtuquajturat kërcënime nga Lindja ishin pjesë e një demagogjie dhe trysnie absurde të një politike infantile. Gjithashtu, shqiptarët kuptuan se nuk ka çelje negociatash këtë vit për Shqipërinë. Pjesa dërrmuese e vendeve pjesëmarrëse e kanë shtyrë për një vit plotësimin e kushteve, kurse tre vende si Franca, Holanda dhe Danimarka janë skeptike lidhur me rezultatet konkrete mbi ecurinë e reformave. Plot 13 kushte, 8 më shumë se 5 kushtet e mëparshme. Pra, vendet anëtare u thanë një PO të prerë shqiptarëve për procesin e pakthyeshëm të integrimit dhe një JO të prerë Qeverisë, duke i vënë kushte si: plotësimi i reformës në drejtësi me ngritjen e strukturave të pavarura si KLGJ dhe KLP etj; krijimi i SPAKU-t dhe i Byrosë së Hetimit (NBI); forcimi i procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos në nivelet e larta politike. Po kështu, u kërkua betejë pa kompromis kundër trafikimit të drogës dhe korrupsionit; përmirësimi i klimës së biznesit; zbatimi i së drejtës së pronësisë, reforma zgjedhore, depolitizimi i administratës publike dhe, sidomos, frenimi dhe kontrolli i eksodit të azilantëve. Nga ana tjetër, procesi do të vështirësohet në rrugë burokratike, sepse përveç monitorimit, zgjedhjeve parlamentare evropiane, kërkohet edhe miratimi nga parlamentet e vendeve anëtare, gjë që deri tani e kishte vetëm Gjermania dhe Holanda. Të gjitha këto probleme janë ngritur me forcë prej opozitës gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa mazhoranca e ka akuzuar atë se po bënte zhurmuesin dhe po i prishte punë vendit e deri se ajo po bënte tradhti kombëtare. Këtë gjë bëri edhe dje kryeministri Rama, i cili, si gjithmonë nuk ndien peshën e fajit të keqqeverisjes, por ia atribuon atë opozitës. Herë fajin e ka Saliu, tani e ka gjithë opozita, edhe pse për të gjitha problemet e ngritura nga vendet anëtare përgjegjësia direkt bie mbi Qeverinë. Si nuk pranon njëherë një përgjegjësi, ky kryeministër? Mirëpo, për deri sa problemet e ngritura prej opozitës janë po ato që janë ngritur prej vendeve të Unionit është e qartë se fajin nuk e ka ajo. Zaten të gjitha kushtet e vendosura e vënë nën përgjegjësi të plotë Qeverinë dhe Mazhorancën. Çdo justifikim është ose shprehje hipokrizie, a talljeje me shqiptarët, ose ato janë përfshirë nga paranojat e sukseseve, që janë tipike për qeverisjet totalitare. Mjafton t’i referohemi gjendjes aktuale lidhur me kushtet e përcaktuara prej saj, si: adresimi frontal e pa dallim politik i korrupsionit dhe krimit të organizuar, lufta kundër drogës për të çliruar shtetin e kapur prej saj, deformimi që po i bëhet reformës në drejtësi, perspektiva e errët për një zhvillim të qëndrueshëm me impakt punësimin, uljen e varfërisë, e cila po rëndohet keqas prej taksave, tarifave dhe TVSH-së, dialogu i munguar politik me opozitën, të drejtat e njeriut etj., për të kuptuar se qeverisja ka humbur rrugën dhe vendi po rreshket në drejtim të paditur, sepse nuk ka drejtim. Mjafton t’u referohemi lirive dhe të drejtave e njeriut, ku liria për të protestuar u dhunua rëndë ditën e Pashkëve me arrestimin e qytetarëve kuksianë, sepse protestuan kundër vendosjes së taksës së Rrugës së Kombit. Sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria i quan këta qytetarë ‘barbarë’ me një arrogancë diskriminuese, tipike për këtë qeverisje. Mjafton të përqasim tri PPP-të (partneritet publik privat) me tri TTT (taksë, tarifë, tvsh) për të kuptuar se si i ashtuquajturi Partneritet Publik Privat me oligarkët po krijon një skemë të mbyllur me të quajturat taksa, tarifa e tvsh, që po ua kërrusin shpinën e qytetarëve, apo tvsh-ja mbi biznesin e vogël, që u kufizua nga 5 milionë në 2 milionë po sjell mbylljen e tyre. Por deri tani kjo është një marrëdhënie në kesh, ku TTT-të e qytetarëve po shkojnë për PPP-të e oligarkëve. Mirëpo, këto ditë po na shfaqet edhe një formë më e sofistikuar e grabitjes në favor të PPP-ve, është forma në klering e shkëmbimit të përfitimeve. Bie fjala, oligarkët marrin kulla në qendër të Tiranës në këmbim të një teatri, ose një stadium që mban mbi krye një qiellgërvishtëse. Qeveria nuk pyet nëse këto janë zona të mbrojtura. Me dhunë, me ligj të posaçëm, pa konkurrim, pa projekt të detajuar, pa llogaritje kostosh e përfitimesh, prona publike i jepet privatit. Quo vadis Shqipëri! Hiç nuk pyet nëse FMN-ja e quan kërcënim për ekonominë shqiptare skemën ‘eldoradiane’ të tri PPP-ve, sepse rrit borxhin e brendshëm dhe ka paqartësi në llogaritjet kosto-përfitim. Po qytetarët ku janë për Qeverinë? Ata kanë mbetur pa drejtim dhe pa shpresë. Po ikin prej varfërisë dhe mungesës së shpresës. Sipas Bankës Botërore 25% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 2$ në ditë dhe 45% e tyre me më pak se 5$ në ditë. Pabarazia sociale është rritur me 7,7%, ku 10% e familjeve të pasura kanë rritje në konsum me 14 herë më shumë se 90% e familjeve të varfra. Kjo përkthehet se taksat dhe tarifat e larta nuk po shkojnë për mirëqenien e qytetarëve, por për të mbushur xhepat e oligarkëve. Megjithëse pohohet se ka rritje ekonomike kjo rritje nuk përkthehet në rritje rrogash e pensionesh, ku shqiptarët vazhdojnë të jenë të fundit në Evropë. Imagjinoni Vetingun për protestuesit kuksianë, si si prokuroria u shpreh se ndalimet janë bërë ditën e 1 prillit midis orës 10 dhe 12 të drekës, duke falsifikuar të dhënat për orarin e arrestimeve, nga njëra anë, dhe Vetingun për krimin e organizuar, për shefat e komisariateve, për zyrtarët e lartë të përfshirë në narkotrafik, për politikat sociale dhe zhvillimin e vendit si dhe punësimin e qytetarëve?! Për protestuesit e varfër të Kukësit a të gjithë Shqipërisë, shteti tregon dorë të hekurt, por kur vjen puna te oligarkët e trafikantët, duart i ka të lidhura.

Po cilat janë pasojat e këtij realiteti?

Shqiptarët e duan perspektivën evropiane, siç është për ta edhe ky mesazh i Luksemburgut, por kjo mazhorancë dhe kjo Qeveri po merren me opozitën, i kanë harruar qytetarët, të cilët po braktisin vendin, sepse janë pa drejtim, sepse po mbyten në taksa tarifa e tvsh. Në një demokraci normale qeveritë merren me qeverisjen, merren me qytetarët pa dallim, jo me opozitarët. Opozita po, e ka detyrë parësore të punës së saj keqqeverisjen. Mirëpo qeveria duket është verbuar prej etheve të pushtetit dhe është e vendosur ta mbajë atë vetëm, duke shkatërruar opozitën dhe duke i larguar qytetarët. Kjo situatë është një rrugë pa krye për demokracinë në Shqipëri. Ndaj kjo mazhorancë duhet t’u kthehet përgjegjësive, t’i shoh në sy shqiptarët dhe problemet e tyre, Nëse vërtetë ajo e do çeljen e negociatave, ka një rrugë të vetme; të heqë dorë nga makijazhi i ekraneve dhe nga arroganca dhe t’i kthehet realpolitikës: Të vendoset dialogu politik mbi bazën e realizimit të kushteve të vëna, në të kundërt duhet të largohet nga drejtimi i vendit, si shkaktare për pengimin e shqiptarëve për t’u integruar në BE.