Prof. Dr. Paskal Milo: Të gjitha partitë pro Ilir Metës për Kodin Zgjedhor

488
Prof. Dr. Paskal Milo, kryetari i PDS, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se nuk beson në dekriminalizimin, që duan të bëjnë PD-PS, edhe pse u miratua me konsensus ligji, sepse gishti për shkaktarët e kriminalizimit të politikës duhet drejtuar te kryetarët e gjithëpushtetshëm të PD-PS. Prof. Milo, pohon se ky parlamenti aktual është këneta më e ndyrë politike, ndaj thotë Prof. Milo, duhet që Ligji i Zgjedhjeve të çlirohet nga pushteti absolut i kryetarëve të partisë dhe të depolitizohet adminsitrata zgjedhore, pasi është mafia politike që numëron votat e shqiptarëve me urdhërin e kryetarëve të partive të mëdha. Prof. Milo, për gazetën “Telegraf” shton se Ilir Meta, me letrën për nevojën e krijimit të Komisionit Parlamentar Zgjedhor, u dha një mesazh PD-PS, se ato nuk mund të diskutojnë në kulisa Kodin Zgjedhor, pa praninë e LSI, sepse nëse ndodh kjo, atëhere nuk do të ketë më bashkëqeverisje PS-LSI. Prof. Milo, thotë se dekriminalizimi i parlamentit duhet të fillojë edhe me transparencën e financimit të partive politike në fushata zgjedhore. Prof. Milo, së fundi shprehet spektik për reformën në drejtësi, sepse këtë reformë, por edhe reformat e tjera, “nuk mund ta bëjnë ata që e kanë marrë përsipër sot ta bëjnë, sepse reforma dhe rrjedhojat e saj duhet të shtrihen në rradhë të parë tek këta persona vet”. 
– Prof. Milo, në ligjin për dekriminalizimin më shumë vihet theksi tek pasojat se sa tek shkaku i inkriminimit të politikës. Përse ndodh kjo?
– Shumë e thjeshtë për t’u shpjeguar dhe shumë e qartë për t’u kuptuar. Nëse do të flitej për shkaqet përse u kriminalizua parlamenti dhe në përgjithësi politika shqiptare këto vitet e fundit, gishti duhet të drejtohet tek kryetarët e gjithëpushtetshëm të partive të mëdha politike, të cilat në bazë të Kodit Zgjedhor ende në fuqi, kishin dhe kanë të drejtën që të caktojnë të emërojnë siç emëruan deputetët aktual të Kuvendit të Shqipërisë. Jo pa qëllim e them të emërojnë, sepse pikërisht aty është burimi kryesor i atij fenomeni të shëmtuar, që shqiptarët kanë parë dhe po shohin në parlamentin aktual shqiptar, i cili jo vetëm që është parlamenti më i keq në mbi 100 vitet e Shqipërisë së pavarur, por mund të them se është këneta më e ndyrë politike, që i ka bërë Shqipërisë shërbimin më të keq në imazhin e saj, tashmë të cenuar para opinionit publik ndërkombëtarë, por edhe para insititucioneve ndërkomëtare dhe partnerëve tanë. Që këtu, nëse vërtëtë do të ketë një përkushtim minimal për të bërë kthesën, ose për të bërë atë reformë kaq shumë të përfolur e kaq shumë të shpërdoruar, duhet të fillojë, pra të çlirohet ligji i zgjedhjeve nga disa nene të cilat i japin kryetarit të partisë pushtetin absolut në procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve brenda partive që e bëjnë procesin shumë të mbyllur, që cënojnë rëndë demokracinë e brendshme të partive politike dhe mbi të gjitha thyejnë rregullat e lojës, që duhet të jenë transparente në çdo shoqëri që pretendon të jetë demokratike. Nuk është vetëm ky fenomen i shëmtuar, që ka sjellë kriminalizimin e parlamentit shqiptar dhe të jetës politike në përgjithësi, emërimi i deputetëve nga kryetarët respektiv të partive politike, por ka edhe një numër çështjesh të tjera, që e kanë çuar këtë sëmundje kanceroze të përhapet në trupin e gjymtuar të Kuvendit të Shqipërisë. Është fjala për mënyrën se si numërohen votat e shqiptarëve, kush i numëron dhe sa real është rezultati që del në fund, kur dihet që një pjesë e strukturave politike që angazhohen për zgjedhjet janë grupime mafioze që jo vetëm vjedhin, por edhe kërcënojnë dhe shantazhojnë zgjedhësit, përfaqësuesit e partive politike me qëllim që të arrinë atë rezultat me dhunë dhe me të gjitha mjetet e tjera të presionit, që u kanë premtuar shefave të tyre se do të arrijnë. Nëse nuk do të gjendet një instrument, apo nëse nuk do të merren masa të ashpra për të ndaluar procesin e shitblerjes së votës që është bërë kaq masiv në dy palë zgjedhjet e fundit, atëherë do të ishte një shaka banale të flitej për reformë zgjedhore dhe për dekriminalizim të parlamentit. Edhe nëse në parlamentin shqiptar nuk do të mund të zgjidheshin më kriminelët e damkosur, të korruptuarit me nam, përsëri nëse do ketë një proçes korruptiv zgjedhjesh, nëse do ketë një vjedhje të hapur dhe gati të legjitimuar të tyre në tavolinat e numërimit të votave, ose, nëse do të vazhdoj blerja e shëmtuar e votës në të gjitha format dhe mënyrat e saj, sidomos në shtresat sociale, që nuk kanë kulturën e mjaftueshme politike, ose që varfëria i detyron që të shesin dinjitetin dhe shenjtërinë e votës së tyre, atëhere përsëri do të kemi parlament dhe deputet të kriminalizuar. Sepse ata nuk kanë shkuar në atë institucion të vullnetit të shqiptarëve me votën e lirë, por me votën e vjedhur, me votën e blerë. Prandaj, procesi i dekriminalizimit të parlamentit nuk duhet përqendruar vetëm tek individët, kriminelët, hajdutët, vrasësit, drogaxhinjtë e të tjera emra të kësaj kategorie, që bën pjesë në parlamentin aktual. Por të kriminalizuar duhet të konsiderohen dhe ata deputetë që pavarësisht se personalisht mund të mos kenë delikte, mund të mos kenë vrarë njeri, mund të mos kenë shtitur apo blerë drogë apo gra dhe vajza, mund të mos kenë bërë punë të pista, por, nëse shkojnë në parlament me votën e vjedhur, me votën e blerë, me votën e pistë, edhe ata janë po kaq të kriminalizuar, sa mund të jenë vetë kriminelët e përfshirë drejtëpërsëdrejti në krime, në abuzime, edhe në keq përdorime. 
– Si PD edhe PS janë shprehur publikisht që nevoja e ngritjes e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore do të bazoj punën e saj mbi orientimet, rekomandimet që ka dhënë OSBE/OHDIR. Ky spektër i kësaj punë nuk është i cunguar nqoftëse nuk do të përfshijë këto që thatë ju, ndryshimin e vëtë sistemit zgjedhor i cili ka pjellë inkriminimin e politikës, ose këtë parlament të inkriminuar?
– Kush mendon se PS dhe PD do të bëjnë një Kod Zgjedhor bashkëkohorë që garanton zgjedhje të lira, të ndershme, do të vazhdoj të quhet naiv në politik, për të mos thënë diçka më shumë. Madje, nëse edhe vet përfaqësuesit e diplomacisë amerikane dhe evropiane në Tiranë do të ishin kaq shumë të angazhuar për t’u bërë një reformë zgjedhore e drejtë, aq sa e angazhuar për dekriminalizimin për reformën në drejësi dhe për luftën kundër korrupsionit, atëherë vërtet unë do ta besoja se do të kishim një faqe të re në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Por, për fat të keq, nuk e shoh këtë angazhim të tyre në atë shkallë sa janë angazhuar për reformat e tjera. Është burimi i shumë fenomeneve negative që përmendëm qëndron pikërisht tek ligji zgjedhor që kemi dhe nëse nuk fillon puna për demokratizimin e këtij ligji, nuk duhet të ketë sukses as reformën në fusha të tjera që po flitet aq shumë sot e tërë ditën. Në qoftëse do të lihet në vullnetin e dy partive të mëdha politike çështja e reformës zgjedhore ata do të bëjnë atë ritual, që kanë bërë këtu e 25 vjet, bëjnë sikur përmirësojnë ligjin zgjedhor, por nuk bëjnë gjë tjetër, veçse i vinë rrotull dhe merren vesh për bukuri, kur është fjala për interesat e tyre të ngushta, kur duhet të garantojnë, siç kanë garantuar apriori, avantazhe zgjedhore, ose që e konsiderojnë ligjin zgjedhor si një klub, ku ata vendosin rregullat për veten e tyre dhe duke përjashtuar të tjerët. Edhe këtë herë, për fat të keq, nuk besoj se do të shkohet përtej këtij rituali të zakonshëm të korrigjimeve të vogla mbi bazën e vërejtjeve dhe të sugjerimeve që ka bërë OSBE/OHDIR-i, që ka të bëjë me përmirësime të procesit. Kjo është e pa mjaftueshme, nëse do të qëndrohet vetëm në redaktimin e neneve aktuale të Kodit Zgjedhor. Reformë do të thotë në rradhë të parë të shihet vetë sitemi zgjedhor, që iu imponua shqiptarëve në 2008, për të bërë çka është bërë deri tani, duke degjeneruar politikën shqiptare në atë masë sa parlamenti është i ndotur në të gjitha aspektet, nga kreu në fund. 
– A janë të përgatitura dy partitë e mëdha sot që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme? 
– Unë mendoj se jo! Pavarësisht se PD-ja në stilin e saj tashmë të njohur bën zhurmën e rradhës, ajo është krejtësisht e papërgatitur për të përballuar zgjedhje të parakohshme politike. Në rradhë të parë, PD-ja nuk ka korrigjuar imazhin e saj të dëmtuar rëndë nga keqqeverisja e viteve të fundit dhe mbetet ende një parti e traumatizuar, që në çdo veprim të saj ka frymëzimin e vjetër të partisë, që dhunën e kanë si flamur dhe inspirim dhe që në sytë e shqiptarëve nuk ka arritur të paraqitet si një forcë serioze, që ka nxjerrë mësime nga e kaluara e saj e afërt. 
– Ndërkombëtarët dhe OSBE-ja në raportet e tyre për zgjedhjet e 2015-ës shkruajtën për vjedhje të votës, nga ana tjetër përse nuk këmbëngulin që të depolitizohet sistemi administrativ i zgjedhjeve, kur e dinë që burimi i vjedhjeve është pikërisht politizimi i saj? 
– Ka dy momente shumë të rëndësishme ndër të tjera që nëse do të ketë përpjekje serioze për të reformuar Kodin Zgjedhor duhen bërë. E para, të pritet rruga e blerjes së votave, që është e lidhur me investigimin serioz të burimit të financimit të partive politike dhe e dyta, numërimi transparent i votave, jo përmes militantëve të kriminalizuar të dy parive të mëdha politike, por përmes mekanizmit që u trumbetua kaq shumë se do të zbatohej, por që nuk u bë, sepse nuk u intereson që ta bëjnë, pra numërimit elektronik në fund të procesit të tyre. Pa këto dy masa veprime nuk mund të pretendohet se ndonjëherë në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira dhe të të ndershme. 
– Përse ndërkombëtarët nuk këmbëngulin që të bëhet një transparencë më e plotë për financimin e parive politike në fushata elektorale? 
– E kanë përmendur nëpër raportet për OSBE/OHDIRIT, e kanë shtruar si një çështje, por jo me forcën dhe angazhimin e duhur. Në rradhë të parë duhet të kuptojmë që më shumë janë të huajt ata që përpiqen të ruajnë imazhin e një Shqipërie si një shtet i pavarur demokratik dhe më pak shqiptarëve, të cilëve historikisht si një difekt në shtetkrijimin e tyre dhe në ndërgjegjen e tyre preferojnë të jetojnë nën protektorat, preferojnë të kenë dikë të fuqishëm që të kujdeset për ta, t’u ankohet atyre dhe të kërkoj që të huajt, amabsadorët, veçanërisht ambasadori amerikan t’u zgjidh të gjitha problemet dhe shqetësimet që ata mund të kenë, sidomos në raport me qeverinë, në raport me krimin, në raport me korrupsionin, në raport me sigurinë. Është një ndjesi dhe një edukatë e rrënjosur në shekuj e shqiptarëve, një lloj dembelizmi për të marrë në duart e tyre fatet e tyre, të ardhmen e fëmijëve të tyre, por edhe të vendit. Më mirë preferojnë të vazhdojnë të shtypen, të shfrytëzohen të keqtrajtohen, të keqpërdoren, se sa të ngrihen të protestojnë në mënyrën më demokratike të mundshme, por me forcë dhe deri në fund. Shqiptarëve u mungon nervi! Shajnë përditë qeverinë, u ankohen të huajve në mënyrë të vazhdueshme për qeverinë e tyre, sikur të tjerët e kanë për borxh që të vinë të rregullojnë punët në shtëpinë e tyre. Kjo nuk funksionon më! Janë vetë shqiptarët që, në qoftëse duan një qeveri më të mirë, në qoftëse duan një siguri më të madhe, në qoftëse duan prosperitet më të madh ekonomik, të lëvizin nga karriket e rehatshme të kafeneve dhe të marrin fatin e tyre në dorë dhe të sjellin ndryshime cilësore. Në qoftëse do të vazhdoj t’i gënjej mendja se ndryshimet do t’i bëjnë të tjerët dhe ata të rrinë të bëjnë muhabete në kafene, të lozin domino, a tavull, kjo s’ka për të ndodhur kurrë, parandaj ndryshimi do të vij nga brenda, ndryshimi do të vij nga vetë shqiptarët. Të huajt veç sa mund të ndihmojnë një vend anëtar të NATO-së dhe një vend kandidat për anëtar i BE, nëse do të vazhdojnë të sillet kështu siç po sillet, ku ambasadori Lu është kryeqeveritari i vërtetë i Shqipërisë, ku Lu dëgjohet dhe respektohet nga të gjithë shqipatrët, ku Lu deklaron hapur se kush e ka vendin në burg dhe se kush në liri, atëhere nuk duhet pritur gjë tjetër, veç kjo situatë në të cilën ndodhemi dhe ku nuk ka kuptim që një vend i tillë si Shqipëria jonë të quhet vend i pavarur, vend sovran. Në cilin vend të BE, apo edhe të NATO-s, mund të kërkohet që punët e qeverisë dhe të shtetit t’i zgjidhin përfaqësuesit e shteteve mike dhe partnere.
– Mjafton vetëm reforma në drejtësi të luftoj korrupsionin, nëqoftëse nuk fillohet procesi nga hetimi i pasurisë së gjithë politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve?
– Me keqardhje po i them se e gjithë kjo zhurmë që po bëhet do të rezultojë siç kanë përfunduar mjaft nisma dhe reforma të tjera në mënyrat më butaforike të mundshme. Do të ketë disa deklarata dhe veprime për reklamë, siç ndosh zakonisht në Shqipëri dhe pastaj gjithçka do të rivendoset në shtratin e vjetër të politikës shqiptare. Që të bëhet reformë, qoftë në drejtësi, qoftë në fusha të tjera në Shqipëri nuk mund ta bëjnë ata që e kanë marrë përsipër sot ta bëjnë, sepse reforma dhe rrjedhojat e saj duhet të shtrihen në rradhë të parë tek këta persona vet. A besoni ju vërtet, se këta që drejtojnë sot Shqipërinë, do të bëjnë harakiri në emër të luftës kundër kriminalitetit kundër korrupsionit? Nuk besoj se ka shqiptarë që do ta imagjinonte një gjë të tillë. Prandaj unë jam skeptik, prandaj me gjithë solidaritetin që shpreh për të gjithë ata njerëz të ndershëm që kërkojnë reforma, për ambasadorin amerikan që lufton sikur të ishte qytetari i parë dhe më i përgjegjshmi i Shqipërisë, apo dhe përfaqësues të tjerë të nderuar të trupit diplomatik, kjo është Shqipëria, dhe, që të ndryshoj Shqipëria, duhet të ndryshoi klasa politike që ka drejtuar për 25 vjetë këtë vend. Po nuk u bë kjo, nuk mund të ndryshoj Shqipëria. 

Pa LSI-në nuk mund të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor

-Ju, Prof. Milo, besoni se, duke u nisur nga domosdoshmëria e dekriminalizimit që duhet të bëhet në Parlament, PD-PS do të ndryshojnë edhe Sistemin Elektoral?
– Unë nuk besoj se dy partitë e mëdha politike kanë vullnet për të ndryshuar sistemin, veç që po e bënë më keq, që nga sistemi i ashtuquajtur Spanjoll, të shkojnë në një sistem tjetër, që e përqendron votën në partinë e parë fituese, siç mund të ishte ai i njohur me emrin “Prim”, apo një sistem tjetër i përafërt me të, që përsëri e thellon këtë disporprocion të madh që ka sot Kodi Zgjedhor, midis vullnetit të shprehur të shqiptarëve dhe rezultatit final që del në përfundim të zgjedhjeve. Edhe një ngushtim më i madh i zonave zgjedhore, nga 12 që janë tani në 6, apo më pak, nuk do bëntë gjë tjetër, veçse se do legjitimonte synimin e hershëm të dy partive të mëdha politike për të monopolizuar jetën politike, për të krijuar një sistem bipolar politik në Shqipëri, ku ata të mund të alternoheshin në pushtet, sipas rastit. Por ka një veçori këtë herë, që jep shpresë për të mos shkuar më keq, ose për të gjetur një formulë të ndërmjetme, sepse në skenën politike vepron LSI, e cila ka tash disa vjetë që luan rolin e (king maker), pra të forcës politike që vendos se në cilën anë do të shkoj pushteti. Të dy partitë e mëdha duan që, në mos ta zhdukin, të paktën ta rrudhin LSI-në, me qëllim që të mos e kenë ferr nëpër këmbë, që LSI të mos u diktoi formulat e qeverisjes dhe të mos u marrë pjesën e luanit në ndarjen e tortës së pushtetit. Për PS-në, në mënyrë të veçantë LSI përfaqëson rrezik të madh dhe permanent, jo vetëm për shkak se i dikton numrat në qeverisje dhe sasinë e karrikeve dhe të pushtetit, por i rrezikon shumë dhe monopolin tek ajo që ende quhet e Majta shqiptare, pavarësisht se më shumë i humbet tiparet karakteristike të një të Majte tradicionale, qoftë kjo edhe evropiane dhe po kthehet thjesht në grupe interesi, në sh.p.k, që lufton për pushtet. Fakti që Ilir Meta nxitoi të shpërndajë një letër në emër të partisë së tij, të gjitha grupeve parlamentare të Kuvendit aktual me thirrjen për të filluar diskutimin për Kodin Zgjedhor, për përmirësimin e tij, u duk fare qartë si një mesazh kërcënues, që ai i bëri dy partive të mëdha politike, për të mos diskutuar në kulisa dhe jashtë pjesëmarrjes së LSI-së për mënyrën se si do të ndryshojë Kodi Zgjedhor. U dha të kuptojnë që pa LSI-në nuk mund të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor, se një mënyrë e tillë e të vepruarit do të mund të çonte në rrjedhoja politike të paparashikuara. Mesazhi kërcënues i Ilir Metës më tepër i drejtohej Partisë Socialiste, duke nënkuptuar që, në rast se do të kishte bisedime të fshehta jashtë syve të LSI-së midis dy partive të mëdha, rrezikohej bashkëqeverisja PS-LSI dhe shtrimi i opsionit të zgjedhjeve të parakohshme. 
Sigal