Prof. Dr. Paskal MILO/ Shqiptarët, kudo që jetojnë janë krenarë për historinë që kanë shkruar

572
Sigal

Shqipëria ndodhet në udhëkryqin për të ardhmen demokratike dhe europiane ndaj është koha për ndryshim politik

Shqiptarët kudo që ndodhen, në Shqipëri e në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, në Preshevë apo në Çamëri, në trojet e tyre etnike apo në vende të ndryshme të botës kanë shumë arsye që të ndihen krenarë për rrugën historike 100- vjeçare që ka përshkuar shteti kombëtar shqiptar, për atë luftë e qëndresë heroike që kanë bërë brezat paraardhës në mbrojtje të lirisë, të sovranitetit kombëtar e të integritetit territorial të atdheut, për progres ekonomik e social, për zhvillimin e identitetit e të kulturës kombëtare, për ruajtjen e lartësimin e vlerave e të trashëgimisë kombëtare. Lavdi në shekuj themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar plakut legjendë të Vlorës heroike e historike, Ismail Qemalit dhe të gjithë patriotëve shqiptarë në të gjitha trojet arbërore që luftuan për lirinë e pavarësinë e tyre dhe që vunë gurët e themelit në procesin historik të shtetformimit të kombit shqiptar.

Politika e Berishës denigron historinë, rehabiliton pseudoatdhetarët

Por ne nuk mund të mos konstatojmë me keqardhje që parti të caktuara, me prapavijë të vjetër politike e me kozmetikë të re demokratike , apo spahinj injorantë e Lal Krosë të sotëm, janë përpjekur për muaj të tërë që të shtrembërojnë kolonën vertebrore të veprës kombëtare të pavarësisë, të falsifikojnë historinë e kombit e të shtetit shqiptar, të ulin, të denigrojnë e të minimizojnë etërit e vërtetë, patriotë e të ndershëm e të ngrenë në vend të tyre figura historike dytësore e tretësore, shpesh thellësisht kontradiktore, e që në mjaft kthesa të rëndësishme të historisë kombëtare kanë qenë në anë të kundërt të idealit e të interesit kombëtar. Partia Demokratike sot në pushtet dhe kryetari i saj Sali Berisha mund të ngrenë piedestale e statuja për pseudoshtetarë, pseudopatriotë, pse jo edhe për kriminelë por nuk do të mund të përmbysin as historinë e vërtetë të kombit e të shtetit dhe as mund të fshijnë nga kujtesa e shqiptarëve patriotët e ndershëm pa dallim bindjeje politike, fetare apo përkatësie krahinore. Unë jam i bindur se anëtarët e thjeshtë të Partisë Demokratike nuk pajtohen me sofizmat dhe përçartjet historishkruese të Sali Berishës dhe të kompanisë së tij agjitative politike që me mjetet dhe instrumentet e pushtetit, publike e private gjoja në emër të rishikimit të historisë e të objektivitetit kërkojnë ta përmbysin atë. Pushtetarët që merren me historinë dëshmojnë se i ka zënë sëmundja e paranojës, e cila është simptoma domethënëse e humbjes së pushtetit dhe i etjes adhamudhiane për të parë për së gjalli gropën ku do t’i varrosë historia.

Shqipëria në udhëkryqin për të ardhmen demokratike dhe europiane

Sot Shqipëria ndodhet në udhëkryqin hamletian për të ardhmen demokratike dhe evropiane të saj. Sot vendi ynë është i uzurpuar politikisht nga një parti-kastë, nga një parti-shtet, që në emër të shtetit ligjor çdo ditë dhunon ligjet, që ka bërë gjithçka ka dashur me ato që quhen ende institucione formalisht të pavarura, që i është imponuar drejtësisë për të mbuluar vrasjet, Gërdecin, “21 janarin” e shumë krime të tjera të pazbuluara.

Korrupsioni qeveritar grabit pasurinë kombëtare

Sot vendi ynë po grabitet në mes të ditës nga bandat e pushtetit, pasuria kombëtare është shitur ose është dhuruar në adresa të dyshimta e të lidhura me oligarkinë politike zyrtare, sot mafia e tokës dhe e ndërtimeve ka hedhur thonjtë në tokat bregdetare turistike dhe u ka mohuar e po u mohon të drejtën e patjetërsueshme pronarëve të ligjshëm. Sot ky pushtet nëpërkëmbë vullnetin sovran të shqiptarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet qendrore e lokale. Sot kjo qeveri po përgatit skenarë të zinj të manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sot kjo qeveri flet për një projekt buxhet më të madhin në historinë e vendit, kur në realitet ajo e ka zhytur vendin në borxhe të panjohura, kur nuk ka para për të paguar administratën shtetërore, e kur borxhet që i ka biznesit shqiptar i kalon disa qindra miliona euro.

Qeveria ka dështuar në politikën sociale

Kjo qeveri premtoi burime alternative energjie por ende Shqipëria ndriçohet e ngrohet nga hidrocentralet e Enverit, premtoi ujë për 24 orë dhe ende një pjesë e madhe e Shqipërisë e ka të racionuar atë, premtoi paga dhe pensione bashkëkohore evropiane dhe kemi vetëm shuma qesharake që nuk mjaftojnë as edhe për bukën e thatë të muajit, premtoi një shërbim masiv modern shëndetësor publik e kemi një rrjet spitalor e ambulator që të shtie frikën kur je i shëndoshë e jo më i sëmurë. Premtoi një arsim elitar evropian dhe kemi një arsim të përçudnuar, me fenomene të llahtarshme korruptive, në vend të shkollës masive kemi një analfabetizëm masiv.

Ka ardhur koha e ndryshimit politik

Kjo është Shqipëria reale, ndërkohë që Sali Berisha dhe qeveria e tij çdo ditë na paraqesin një Shqipëri virtuale. Ka ardhur momenti më kritik kur shqiptarët duhet që ta heqin qafe këtë qeveri të mashtrimit, kur ata t’i thonë ndal rrokullisjes së mëtejshme të Shqipërisë në humnerën e skamjes, të varfërisë, të krimit, të korrupsionit, e të pasigurisë, të gjakmarrjes e të vëllavrasjes, të diskriminimit gjinor e të krimit familjar, të pesimizmit e të humbjes gjithnjë e më shumë të shpresës, veçanërisht për të rinjtë e të rejat, për fëmijët e nipërit tanë. Ora e ndryshimit ka rënë, por ai nuk mund të jetë as spontan as rastësor. Pakënaqësia popullore ka nevojë të administrohet, të orientohet e të udhëhiqet për të gjetur zgjidhjen përmes zgjedhjeve. Këtu është roli i opozitës. Ajo nuk duhet të jetë në kërkim të vetvetes, por në kërkim të alternativës që bashkon të gjitha rrymat opozitare konstruktive që janë për ndryshimin e madh. Jemi në kohën e duhur që opozita shqiptare të shfaqet fuqishëm dhe e bashkuar në frontin antipushtet.

Bashkimi i opozitës, një domosdoshmëri politike

Ne kemi shprehur dëshirën dhe vullnetin për tu bashkuar në një koalicion opozitar me Partinë Socialiste e më shumë parti të tjera opozitare. Këtë e kemi bërë duke u nisur nga afërsia programore, nga bashkëpunimi shumëvjeçar, e nga synimet e përbashkëta strategjike. Ne mendojmë se PS-ja duhet të nxitojë për të organizuar e shpallur publikisht së bashku me ne, koalicionin, programin e strategjinë e tij. Prandaj, edhe koalicioni opozitar që të garantoj fitoren e ardhshme duhet të sjellë një frymë të re e duhet të jetë një oborr i madh i qytetarisë që e kërkon ndryshimin në emër të interesit kombëtar e të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

PD-ja po bllokon procesin e integrimit të Shqipërisë

Me integrimin evropian e me statusin e vendit kandidat për anëtar në BE është abuzuar shumë këto kohët e fundit. Tre amendamente ligjore është thënë se po mbajnë peng marrjen e statusit të vendit kandidat. Po kështu maxhoranca e pas saj e gjithë shpura e zhurmuesve që e ndjek nga pas kërkon t’ia faturojë PS apo edhe Demokracisë Sociale rrezikun për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për shkak të çështjes së qarkut të Fierit. Është një absurditet dashakeqës që kërkon të maskojë një synim që është lexuar me kohë: PD kërkon të rrëmbejë me dhunë kryesinë e Qarkut të Fierit për ta përdorur në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Çështja e Fierit nuk është lokale, por e lidhur ngushtë me amendimin e ligjeve që presin të votohen në Kuvendin e Shqipërisë. PD duhet të heq dorë nga kalkulimet e mbrapshta e manipuluese elektorale e t’i hap rrugë marrjes së statusit të vendit kandidat. Janë të gjitha mundësitë që në ditët e ardhshme të arrihet konsensusi e të jepet mesazhi i duhur në Bruksel.

PDS-ja është për alternativa konkurruese

 Demokracia Sociale është një parti e hapur dhe e emancipuar, nuk është parti e bunkerizuar ku janë fosilizuar ëndrrat demokratike të shqiptarëve siç është PD apo ndonjë parti tjetër. Demokracia Sociale nuk sheh armiq në politikën shqiptare, por alternativa konkurruese, nuk e sheh shpëtimin e Shqipërisë në një parti, por në vlerat e bashkuara cilësore të subjekteve e të individëve politikë. Detyrat që qëndrojnë para PDS në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Taktika e kundërshtarëve tanë politikë për të mbjell pesimizëm në popull për fatin e zgjedhjeve të ardhshme. Duhet të luftojmë me të gjitha forcat këtë propagandë disfatiste dhe të ngjallim optimizmin e bazuar për fitoren e padiskutueshme të opozitës në zgjedhjet e qershorit 3013. Demokracia Sociale do të qëndrojë në krye të kësaj lufte dhe do të organizoj të gjitha forcat e saj për të hapur një kapitull të ri në historinë e vendit e të demokracisë shqiptare.

_____________________________________________________________________________

AHMET ZOGU TRADHTARI I HISTORISË!

Ku është parë e dëgjuar që një parti e ndërtuar mbi baza programore republikane t’i bëjë hosanara deri në neveri e absurditet një mbreti të vetëshpallur që shiti territore kombëtare, që vrau heronj kombëtarë, që përdhosi flamurin kombëtar e që braktisi kombin e vetë në ditën e sprovës së madhe të rezistencës kombëtare. A nuk i përshtatet këtij personazhi më shumë se kujtdo tjetër fraza lapidare e Himnit të Flamurit “prej lufte veç ai largohet që është lindur tradhëtor, kush është burrë nuk frikësohet po vdes, po vdes si një dëshmor”. Po çfarë bëri Ahmet Zogu në 7 prill 1939? Këtë e dinë të gjithë shqiptarët.  Nëse dikush ndjek këtë model të së shkuarës që mesa duket e dashuron dhe e sheh si pasqyrë që reflekton qenien, ëndrrat e të ardhmen e tij ne nuk na mbetet tjetër veçse t’i urojmë rrugë të mbarë në ferrin e kujtesës kombëtare. “Historia magistra vitae est”(Historia është mësuesja e jetës) thoshte dikur Ciceroni. Edhe ne sot folëm pak për historinë tonë 100- vjeçare, sepse nga ajo mund të mësojmë shumë, e sidomos për të nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës e për t’i mos i përsëritur ato. Por nëse do të hedhim një vështrim në periudhën që jetojmë politika shqiptare jo vetëm që nuk u ka shpëtuar gabimeve të së kaluarës por në disa drejtime i ka thelluar ato.