Prof. Dr. Paskal Milo: Një frymë revanshizmi që nuk i bën mirë Greqisë

411
Sigal

INTERVISTA/Prof. Dr. Paskal Milo  në emisionin PRIZËM të “AS” tv nga Aleksandër Furxhi

Prof. Dr. Paskal Milo, i pyetur  në  emisionin PRIZËM te “AS” tv nga Aleksandër Furxhi, lidhur me letrën e 23 ish- ambasadorëve të Greqisë  dërguar Kryeministrit Samaras, ku i kërkojnë të mbajë qëndrime më të ashpra ndaj Shqipërisë, ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo,  u përgjigj:

 – Ajo letër meriton një vëmendje më të madhe. Unë po ju them se i njoh 2-3 prej atyre ambasadorëve, me të cilët kam punuar kur kam qenë ministër. Por, si fillim, flas si historian. Në atë letër ka gabime të rënda historike, ka një keqinterpretim të historisë së Shqipërisë. Që nga momenti që ata thonë aty që Shqipëria është krijesë e fuqive të mëdha e vitit 1913. Ky është bastardizim, dhe më vjen keq që njerëz të tillë nuk njohin A, B, C e historisë shqiptare, dhe kjo është tendencioze. Që këtu, unë i zhvlerësoj ata, për mendimet që shprehin, sepse më vjen keq, që nuk flasin me realizëm për shtetin shqiptar, që kur u krijua dhe mbi ç’rrethana u krijua. Në letër ka një frymë revanshizmi që nuk i bën mirë Greqisë në këto momente, dhe unë besoj se Kryeministri Samaras, të cilit i drejtohet kjo letër, apo edhe ministrit të jashtëm Venizellos, nuk do të marrin në konsideratë emocione të vjetra të një klase politike greke, që vazhdon të jetë skllave e disa sjelljeve, të cilat nuk e nderojnë sot Greqinë, anëtar i NATO-s dhe BE. Klasa politike greke duhet të çlirohet, nëse do vërtet të përfaqësojë Evropën në rajonin tonë, nga shumë mentalitete dhe koncepte arkaike, të cilave u ka ikur koha. Nëse pretendon dhe jep mesazhe europine dhe rrezaton kulturë evropiane, nuk ka pse të mohojë në mënyrë kategorike çështje të tilla, si problemi Çam. Po të hapësh dhe shfletosh dokumente, paraardhësit e tyre politikë, që nga Venizellos-i dhe deri tek Pangalos, por edhe deri tek diktatori Metaksas, i kanë njohur.  Akoma më keq, nuk mund të mbash një qëndrim të tillë, që është mbajtur për të dënuar kolektivisht një popull të tërë, siç janë populli shqiptar çam, të cilët cilësohen të gjithë si kriminelë, fëmijë, burra, gra e pleq. Që ka pasur njerëz, që kanë bashkëpunuar me fashizmin, midis shqiptarëve të Çamërisë, ka patur. Këtë e di edhe vetë populli çam, që ka patur disa krerë që u vunë në shërbim të pushtuesve fashistë italianë, gjermanë, por nuk mund të akuzosh një popull të tërë. Nga kjo pikëpamje, ata e kanë gabim dhe duhet të çlirohen nga mentaliteti i vjetër që karakterizon sot politikën greke.

Letra e 23 ish-ambasadorëve grekë drejtuar Samaras, kryeministër i Greqisë

“Shqipëria nuk tregon qëndrim miqësor ndaj Athinës, dhe është një shtet që ka shkaktuar probleme për Greqinë që nga formimi i tij. Rivaliteti i Tiranës me Athinën rritet gjithmonë e më shumë. Nihma në anëtarësimin në NATO si dhe mbështetja për integrim në BE, pa asnjë shkëmbim, duke lënë “të ngrirë” çështjen e Vorio Epirit, i ka rritur ambiciet e Shqipërisë. Kjo duket edhe tek Berisha e Rama, të dy udhëheqës ballkanikë të zhdërvjellët, që kanë korrur fitime politike, pa asnjë shkëmbim nga kontaktet me Athinën. Hezitimi i Greqisë për të ngritur çështjen e Vorio Epirit “shpërblehet” me harta që përfshijnë Follorinën, Kosturin, Janinën dhe Prevezën në një Shqipëri të Madhe, të cilën e raportoi kohët e fundit dhe zoti Berisha”. Për çështjen çame, ish-ambasadorët thonë se “kjo popullsi myslimane duhej të ishte dëbuar në Turqi sipas marrëveshjes së Lozanës.