Prof. Dr. Lisen Bashkurti:“Nacionalizmi serb, “fabrikë” luftërash, për më shumë se 100 vjet”

293

–  Zoti Bashkurti, a mundet të pritet që nga ky debat,  duke u zhvilluar me iniciativën e Jeremiç, të ketë konkluzione objektive për historinë?

– Asambleja e Përgjithshme e ka bërë objekt analize e debati edhe herë të tjera veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të gjykatave Ad Hoc, sikundër është Gjykata për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Fakti që në krye të Asamblesë së Përgjithshme është Vuk Jeremiç nuk ndryshon asgjë në kompetencat dhe në procedurat sesi vepron Asambleja e Përgjithshme e OKB-ja. As Jeremiç dhe askush tjetër përpara dhe pas tij nuk mund të operojë jashtë statusit që i jep Organizata. Për sa i përket historisë, OKB-ja ka edhe institucione akademike e shkencore, sikundër ka edhe kapacitetet dhe autoritetin për të shqyrtuar aspekte të historisë, të kulturës e të shkencave përgjithësisht. Por, këto kompetenca të karakterit shkencor nuk i shqyrton Asambleja e Përgjithshme, që është një organ politik ndërkombëtare, me përfaqësues politik të shteteve anëtare të OKB dhe jo forum apo institucion akademik që merret me historinë dhe ri-konsiderimin e saj. Asambleja e Përgjithshme bën debate historike aq sa mund të merret politika me to dhe jo më shumë. Historia është punë e shkencëtarëve dhe institucioneve akademike. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk është organ i tillë. 

– Ky debat i organizuar nga Vuk Jeremiç, a është në konflikt të hapur interesi, ku Jeremiç, si zyrtar i lartë i OKB-së, e shfrytëzon detyrën e vet për përfitime personale dhe të vendit të tij, në dëm të së vërtetës e përpjekjeve për të falsifikuar historinë?

Axhendën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk e bën individualisht Kryetari i Asamblesë. Ajo bëhet nga Byroja drejtuese e saj, duke marrë në konsideratë të drejtën e çdo shteti anëtar për të futur në debatet e Kombeve të Bashkuara, pra në Asamblenë e Përgjithshme, çështje që i gjykon me rëndësi për vete apo për tërë Organizatën. Natyrisht, Kryetari mund të marrë iniciativa, të cilat, mbasi miratohen në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme, bëhen objekt debati në Organ. Por, askush nuk mund të përdorë pozicionet në kuadër të Kombeve të Bashkuara, sikundër të çdo organizate ndërkombëtare për të përfaqësuar e mbrojtur shtetet individuale nga ato vijnë.

– A mund të përdoret OKB-ja si platformë e nacionalizmit serb, duke mundësuar zhvillimin e këtij debati?

– Debati në Asamble është i lirë. Aktualisht në sistemin e sotëm politik ndërkombëtar janë rreth 80 shtete të mirëfillta demokratike, nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Diktuar nga ky diversitet politik, është fare e natyrshme, që në debatet e Asamblesë së Përgjithshme, të flitet mbi baza të filozofive politike të ndryshme. Çdo shtet ka sistemin e vet politik. Çdo sistem politik udhëhiqet nga një filozofi politike e caktuar. Njëra nga këto filozofi është edhe nacionalizmi. Nacionalizmi serb është i tipit etno-nacionalizëm territorial. Ky lloj nacionalizmi ka prodhuar vetëm konflikte politike e ndëretnike. Nacionalizmi serb ka qenë “fabrikë” luftërash për më shumë se njëqind vjet. Si i tillë është ndërkombëtarisht i negativizuar dhe i dënuar opinionalisht, politikisht dhe nga vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi. Askush nuk mund të ndryshojë këtë të vërtetë historike mbi nacionalizmin etnik territorial serb. Personalisht jam i bindur se, debati vetëm do ndriçojë anë të tjera të errëta të politikës së rrjedhur nga nacionalizmi etnik territorial serb.

– Ky debat a dëmton  mirëbesimin në OKB si një organizatë që sipas Kartës së OKB-së, zhvillon marrëdhënie miqësore midis kombeve në bazë të  respektit për parimin e të drejtave të barabarta e vetëvendosjes së popujve?

Debati në vetvete as nuk e errëson dhe as nuk e dëmton imazhin e Kombeve të Bashkuara. Me rëndësi për imazhin e Kombeve të Bashkuara janë konkluzionet e debateve ose  rezolutat që shpesh herë pasojnë përfundimet e debateve. Nuk mendoj se debati mbi nacionalizmin etnik territorial serb do gëzojë mbështetjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Shtetet demokratike dhe ato që e njohin thellë historinë e të sotmen e Ballkanit e njohin mirë përgjakjen që i ka sjellë Rajonit tonë nacionalizmi etnik territorial serb, së paku kujtojnë zhvillimet në Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e Kosovë nga viti 1991 deri në vitin 1999. Gjithashtu, askush nuk mund të baltosë imazhin e institucioneve të drejtësisë të sistemit të OKB, Gjykatën  Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe gjykatat Ad Hoc për probleme të veçanta, sikundër është Gjykata për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

– Pas këtij debati, Ballkani e bota a mund të ketë një  pikëpamje tjetër për Serbinë?

Mendoj se, Serbia ka lëvizur nga nivelet shumë të ulëta të imazhit të viteve 1991-1999, por ajo akoma ka shumë për të bërë në drejtim të përmirësimit të imazhit, duke filluar nga ndryshimi i Kushtetutës së saj thellësisht nacionaliste etnike territoriale e deri te instrumentet me ndikim ndërkombëtar që lartpërmenda.

– A mund të shihet kjo si një mundësi e Serbisë për të përhapur axhendën nacionaliste serbe dhe njëkohësisht duke fyer rishtas viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Bosnje Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë?

Serbia mund të përdorë, shpërdorë e abuzojë pozitën e saj në Kombet e Bashkuara. Nacionalizmi i damkosur ndërkombëtarisht serb, nuk do të mund të influencojë dhe, aq më pak, të dominojë frymën tërësore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. OKB-ja janë tempulli i lirisë, paqes e sigurisë dhe jo tribunë e nacionalizmave etnik territorial, që kanë prodhuar luftëra, gjenocid, spastrime etnike e kolonizime të përgjakshme, sikundër është karakterizuar nacionalizmi serb i dy dekadave të fundit.

– A mendoni se me këtë veprim, bie poshtë kritika greke dhe serbe për nacionalizëm.  Bëhet fjalë për kritikat ndaj Berishës dhe AK-së?

Ekziston një shprehje diplomatike cinike angleze që thotë: “Everything can be related to everything”, pra “Gjithçka mund të lidhet me diçka”. Të dy këto nacionalizma janë si dy pika uji dhe kanë dhënë të njëjtat produkte, luftëra, gjenocid, spastrime etnike dhe kolonizime.  Nacionalizmi shqiptar nuk ka vepruar as edhe një rast si nacionalizëm etnik territorial dhe nuk ka shkaktuar luftëra, gjenocide, spastrime etnike apo kolonizime. AK-ja i ka qëndruar doktrinës kombëtare shqiptare bazuar thellësisht në parime e norma demokratike e juridike kombëtare, Rajonale e ndërkombëtare. AK-ja, nuk ka asgjë të përbashkët as me nacionalizmat greke e serbe dhe as me retorikën e zhbalancuar, kaotike dhe negativizuese të përdorur nga Berisha kohët e fundit.

Diplomacia shqiptare, inaktive për të ndihmuar shqiptarët në Rajon

– A mendoni se Shqipëria duhej të ishte më aktive në zgjedhjet që u zhvilluan në Mal të Zi dhe Maqedoni duke mbështetur faktorin shqiptar. Rasti i Strugës dhe disa qyteteve të tjera të tjera në Maqedoni tregon se të bashkuar, maksimalizojmë votat dhe marrim drejtimin e komunave dhe bashkive?

– Mendoj se shteti shqiptar, politika e saj e jashtme dhe diplomacia shqiptare i përdorin pak ose aspak instrumentet e sistemit demokratik të Evropës për të mbrojtur qytetarët e vet. Mesa duket, diplomacisë sonë i ka munguar dukshëm kultura dhe kapacitetet juridike. Kjo e ka bërë diplomacinë tonë më shumë deklarative, retorike dhe retroaktive, sesa efiçente, profesionale dhe proaktive. Më e suksesshme ka qenë Tirana jo zyrtare mbi dinamikat politike në Maqedoni, të cilat dhanë produkt politik mjaft pozitiv. Ndonëse janë në pakicë, sërish, shqiptarët e Malit të Zi meritojnë shumë më tepër vëmendjen e kujdesin e shtetit amë, Shqipërisë.