Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Gruevski të mos luaj me zjarrin. S’ka zgjidhje pa faktorin shqiptar!

449
Profesori dhe diplomati i njohur Lisen Bashkurti në një intervistë për gazetën “Telegraf” analizon zhvillimet më të fundit në Maqedoni, pas raprezaljeve që ushtroi ndaj popullsisë shqiptare qeveria e Gruevskit në Kumanovë dhe sjelljen e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Prof. Bashkurti analizon shkaqet e krizës në Maqedoni, të cilat janë “garnitura politike, qeveritare e institucionale e drejtuar në mënyrë autokratike dhe policeske nga Gruevski janë përgjegjësit dhe shkaktarët kryesorë të krizës së thellë dhe komplekse të Maqedonisë, si edhe forcat e errëta të politikës në Rajon, të cilat duan përkeqëësin të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Prof. Bashkurti kategorikisht pohon se “Konflikti që ndodhi në Kumanovë, nëse është vërtetë i tillë, nuk ka as baza etnike shqiptare dhe as baza fetare myslimane”. Nëse BE përjashton shqiptarët nga zgjidhjet politike në Maqedoni, do të thotë që përjashton parimet e vlerat që vetë ka lancuar deri tani brenda saj dhe në Ballkanin Perëndimor. Por, nga ana tjetër, Prof. Bashkurti thotë se “Kurrë më parë nuk i kam parë në një gjendje kaq mjerane partitë politike shqiptare dhe liderët e tyre”. Dhe përfundimisht, Prof. Bashkurti nxjerr konkluzionin se ”Asnjë zgjidhje pa shqiptarët dhe përkundër të drejtave të tyre nuk funksionon”.
Prof. Bashkurti, Kumanova është një incident i veçantë?
Ngjarjet e fundit në Kumanovë janë një kulmim i situatës së krizës komplekse dhe të tejzgjatur që po perjeton Maqedonia, në mënyrë të veçantë nga viti 2006 e këndej. 
Kush janë nxitësit e vërtetë?
Është shumë e vështirë të identifikojmë nxitësit e ngjarjeve të Kumanovës përsa kohë nuk kemi një raport investigativ të plotë, transparent dhe gjithëpërfshirës të faktorëve lokalë dhe ndërkombëtarë. Ajo që mund të themi është se kujt i interesojnë incidente të tilla të rënda. Mendoj se shqiptarëve dhe, në përgjithësi mbarë qytetarëve maqedonë nuk i interesojnë një konfrontim i përgjakur. Janë forcat më të errëta të politikës, institucioneve dhe të shoqërisë në Maqedoni, përfshirë edhe në Rajon e më gjerë që e dëshirojnë një përkeqësim të marrëdhënieve politike dhe ndëretnike në Maqedoni dhe një destabilitet Ballkanik. 
Cilat janë shkaqet e konfliktit në Maqedoni?
Mendoj se rrënjët e ngjarjeve të kësaj natyre nuk qëndrojnë të qytetarët e njerëzit e thjeshtë. Përkundrazi, shkaqet nevojitet të kërkohen te përkeqësimi gjithnjë e më i rëndë i situatës politike në Maqedoni, te acarimi maksimal i marrëdhënieve midis qeverisë dhe opozites, te sistemi i autokracisë policeske që tanimë ka instaluar regjimi i qeverisë Gruevski, të rënia e thellë e besimit të mbarë qytetarëve të Maqedonisë ndaj drejtuesve të politikës dhe të institucioneve, te rrënimi ekonomik i vendit, te rritja e papunësisë në rreth 28 për qind dhe te pakënaqësia mbarë qytetare për standartet e ulta të demokracisë dhe të ekonomisë në vend. Për herë të parë, mendoj se po krijohet në popullsinë e mbarë vendin një frymë solidariteti për një qeverisje më të mirë për vendin, për më shumë demokraci, për të drejta njeriu për të gjithë, për mirëqënie e prosperitet. Kriza e thellë dhe komplekse në Maqedoni po forcon më shumë institucionin e qytetarit individ të lirë, sesa ndjenjat kolektive etnike. Ky solidaritet qytetar është një paralajmërim i madh drejt ndryshimeve demokratike, kohëzionit social dhe mirëqënies për të gjithë. Simboli i dy flamujve shqiptarë e maqedonë të lidhur së bashku tejshkoi manifestimet e kohëve të fundit kundër keq qeverisjes. Shkaktarë të ngjarjeve të Kumanovës mund të jenë të gjithë ato që nuk e duan solidaritetin mbarë qytetar në Maqedoni, që nuk e duan krijimin e qytetarit të lirë, pavarësisht prejardhjes etnike, kulturore e fetare, ato që duan të mbajnë të ndara marrëdhëniet nderëtnike, që duan të përkeqësojnë marrëdhëniet ndërfetare dhe që partikularizmin e kanë instrument të manipulimit për interesa politike meskine antidemokratike. 
Disa mundohen ta ngjyrosin incidentin në Kumanovë me myslimanizmin dhe ata thonë se nxitësit e luftëtarëve mund të jenë predikuesit fetarë të ISIS. Kemi të bëjmë me konflikt të shqiptarizmit, apo fetar?
Mendoj se konflikti që ndodhi në Kumanovë, nëse është vërtetë i tillë, nuk ka as baza etnike shqiptare dhe as baza fetare myslimane. Shumë zëra përpiqen t’i japin ngjyrime etnike e fetare. Unë e di mirë se prej vitesh ka liderë politikë, institucione dhe segmente në shoqërinë maqedone që tentojnë t’i japin ngjyrim etnik dhe fetar çdo krize me të cilat përballet vendi. Janë këto kategori që dëshirojnë të identifikohen si protektore të nacionalizmit e të fanatizmit të tyre fetar përmes ngjalljes së fobive etnike e fetare. Këto njerëz e intitucione përpiqen tërë kohën që të prodhojnë armiq artificialë, bazuar në dallimet etnike e fetare. Këta njerëz e institucione kujdesen gjithashtu që të krijojnë edhe armiq të jashtëm, duke i paraqitur si kërcënim për vendin. Prodhimi i armiqve artificialë të brendshëm dhe të jashtëm që i ka rrënjët në doktrinën e Putinit, po aplikohet shpesh në disa laboratore të Beogradit dhe në miniaturë po përpiqet të shndërrohet në një taktikë e përhershme edhe në Maqedoni. Asnjë lidhje nuk kanë qytetarët e Maqedonisë, shqiptarë e maqedonë, me këto sajesa të politikave të vjetra. Doktrinarët e krijimit të armiqve artificialë me baza fobite etnike e fetare në Maqedoni duan të shpërdorin sentimentet e njerëzve për të homogjenizuar ndjenjat kolektiviste nacionale fetare, duan të mbajnë të thellë hendekun midis komuniteteve etnike dhe grupeve religjioze, duan të largojnë vëmendjen nga kriza e thellë e komplekse që kalon vendi si pasojë e keq qeverisjes Gruevski dhe madje, akoma më keq, t’ia faturojnë krizën faktorëve etnike e religjioze brenda vendit dhe ndërhyrjeve nga fqinjët në rajon. Kjo është lojë me zjarrin dhe si e tillë nevojitet të marrë fund. 
Para disa kohësh, edhe BE kishte thirrur në Bruksel partitë politike të Maqedonisë, për të zgjidhur ngërçin politik, duke përjashtuar partitë politike shqiptare. A mund të ketë zgjidhje politike ngërçi në Maqedoni, duke përjashtuar shqiptarët, si faktor politik?
Përpjekjet për të anashkaluar faktorët politikë e qytetarë shqiptarë nga zgjidhjet politike të krizes në Maqedoni janë kryekëput të gabuara dhe me pasoja. Asnjë zgjidhje pa shqiptarët dhe përkundër të drejtave të tyre nuk funksionon. BE parimisht është për zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe si e tillë nuk mund të anashkalojë realitetet ndëretnike dhe institucionale shqiptare në Maqedoni. 
Përse Brukseli mban këtë qëndrim përjashtues ndaj faktorit Shqiptar në Maqedoni?
Pa shqiptarët nuk ka zgjidhje politike e demokratike të qëndrueshme në Maqedoni. Kjo është sanksionuar në Marrëveshjen Kuadër të Ohrit, është ligjëruar në Kushtetutën e Maqedonisë dhe mbi të gjitha është realitet i gjallë dhe dinamik. Unë nuk mendoj se BE mban qëndrim përjashtues ndaj shqiptarëve në Maqedoni. E them këtë sepse BE ka qenë faktor – palë në Marrëveshjen Kuadër të Ohrit dhe i ka futur detyrimet që rrjedhin prej saj në kritere pranimi për Maqedoninë në BE. Nëse BE përjashton shqiptarët nga zgjidhjet politike në Maqedoni, do të thotë që përjashton parimet e vlerat që vetë ka lancuar deri tani brenda saj dhe në Ballkanin Perëndimor. 
A është vetëm Gruevski problem, me politikën e tij shoviniste ndaj shqiptarëve, siç mundohet ta paraqitë edhe Zaev?
Nuk ka asnjë dyshim se garnitura politike, qeveritare e institucionale e drejtuar në mënyrë autokratike dhe policeske nga Gruevski janë përgjegjësit dhe shkaktarët kryesorë të krizës së thellë dhe komplekse të Maqedonisë. Në kontrast me to, opozita e sotme maqedone po performon si një lëvizje qytetare, demokatike, europiane, pa ngjyra nacionaliste, etnike apo fetare. Me këtë performancë, lideri i opozitës Zaev po siguron mbështetje në rritje tek mbarë qytetarët e Maqedonisë. Zaev po artikulohet si një lider qytetar për të gjithë dhe jo si përfaqësues partikular politik, etnik apo fanatik fetar. Nëse do vijojë të mbajë këtë frymë politike, sjellje qytetare dhe kohezion social Zaev do të ndikojë në rrjedhat e zhvillimeve progresive demokratike në Maqedoni. Nëse Zaev vendos qytetarin me liritë dhe të drejtat e tij në qendër të politikës së tij dhe jo prejadhjen etnike apo fetare, ai do jetë njeriu që do e vendosë Maqedoninë në shinat e demokracisë liberale, qeverisjes si limituar, ekonomisë së tregut të lirë dhe integrimit Euroatlantik. 
A mendoni që konflikti i hapur në Maqedoni, mund të zgjidhet me mjete politike?
Mendoj se kriza në Maqedoni në thelb është politike dhe si e tillë edhe zgjidhja mund dhe duhet bërë me rrugë dhe mjete politike. Nëse ka vullnet politik gjenden edhe zgjidhjet politike relevante. Dhe zgjidhja më e mirë, më e drejtë, më legjitime janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Por zgjedhjet kërkojnë maturim më të mirë të procesit politik, dinamika të reja në shoqërinë maqedone, përgatitje të kujdeshme dhe prani dhe mbështetje të fuqishme nga SHBA, BE dhe OSBE. 
Ju mendoni se mund të ketë bashkëekzistencë paqësore të faktorit shqiptar me atë sllav në një shtet të tillë, sikurse Maqedonia?
Mendoj se mund të ketë bashkëjetesë paqësore, harmoni politike dhe kohezion social midis shqiptarëve dhe maqedonëve. Nga poshtë ky proces vecse tanimë ka nisur. Nga lart, pra në nivelet e lidershipeve të vjetra, shohim një asimetri të plotë me zhvillimet pozitive qytetare, me nevojat dhe dëshirat e tyre. Është krijuar kështu një shkëputje e madhe midis qytarëve të shoqërisë maqedone dhe lidershipit anakronik, autokratik e policesk aktual. Ky lloj lidershipi autokratik, censurues e policesk mund të qëndrojë në pushtet vetëm duke prodhuar armiq artificialë me fobi etnike, fetare dhe gjeopolitike. Kjo politikë është si një arrnë e vjetër në mjedisin demokratik Euroatlantik. 
– Ju si vlerësoni qëndrimet politike të partive politike shqiptare në Maqedoni?
– Kurrë më parë nuk i kam parë në një gjendje kaq mjerane partitë politike shqiptare dhe liderët e tyre. Mesa duket edhe për ato karta e mobilizimit të sentimenteve etnike për interesa partikulare i është djegur në dorë. Qytetarët shqiptarë në Maqedoni duan demokraci te plotë dhe liri e të drejta themelore individuale parasëgjithash. Ato janë shqiptarë dhe njëherazi qytetarë. Ato janë shqipfolës, por njëherazi qënie njerëzore që kërkojnë dhe meritojnë punë, prosperitet, arsimim, shëndetësi dhe integrim euroatlantik. Lidershipi politik shqiptar është konsumuar në bashkëqeverisjet e këqija të Qeverive Gruevski dhe i është larguar shumë bashkëqytareve të vet. Në një shoqëri që aspiron demokraci liberale nevojiten liderë qytetarë dhe jo etnikë, liderë laikë dhe jo fanatikë fetarë, liderë që mendojnë për të gjithë qytetarët njëlloj dhe jo në mënyra preferenciale partikulare dhe paragjykuese të cdo lloji.
Diplomacia e shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, a ndihmon në zgjidhjen e problemit paqësisht në Maqedoni? A mbajnë qëndrimin e duhur diplomacia shqiptare?
Mendoj se diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës në rastin e Maqedonisë janë treguar të matura, por jo pasive, sikundër e kam dëgjuar disa herë. Natyrisht njerëzit tanë kudo kanë të drejtë të kërkojnë përherë më shumë nga dy shtetet shqiptare në Ballkan. Prandaj mendoj se të dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova në të ardhmen nevojitet të ndjekin më së afërmi zhvillimet në Maqedoni, me të vetmin qëllim që t’i ndihmojnë stabilitetit politik, fuqizimit të demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve si dhe bashkëpunimit fqinjësor bazuar në vlerat dhe aspiratat europiane. Është shumë pozitiv fakti që diplomacia në Tiranë dhe Prishtinë nuk ra në grackën e mediave serbe, që këto dite kanë shkruar me shkronja të mëdha se ”po fillon aksioni për Shqipërinë e Madhe”. Me qëndrimin e matur dhe principal diplomacia e Tiranës dhe Kosovës dëshmoi se qëndron shumë më lart se diplomacia e Beogradit dhe Shkupit zyrtar, dëshmoi se është mbështetëse e paqes e stabilitetit rajonal dhe është faktor demokratizimi dhe integrimi euroatlantik. 
Nëse qeveria maqedonase do të respektojë e zbatojë (këtej e tutje) marrëveshjen e Ohrit, siç kanë kërkuar edhe partitë politike shqiptare atje, mendoni se do të jetë zgjidhje (qoftë e pjesshme) e problemit?
Për mendimin tim zbatimi i plotë e rigoroz i Marrëveshjes Kuadër të Ohrit ka arritur disa tregues pozitivë nga viti 2001 deri në vitin 2006. Por me qeverisjen e Gruevskit procesi i zbatimit të kësaj marrëveshje ka ndeshur në vështirësi, është karakterizuar nga luhatje të vazhdueshme dhe në disa aspekte ka bërë hapa prapa. Kjo do thotë se ka munguar vullneti i plotë dhe i qëndrueshëm nga Qeveria Gruevski për ta zbatuar atë si dhe ka munguar vullneti dhe aftësia e lidershipit shqiptar bashkëqeverisës me Gruevskin për të kërkuar zbatimin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare. Të dy palët kanë arritur pjesërisht dështim në përmbushjen e plotë dhe rigoroze të kësaj marrëveshje. Madje, ka dështuar edhe vetë Bashkimi Europian për të monitoruar dhe imponuar demokratikisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit. Kërkesa ultimative e tanishme e liderëve shqiptar për përmbushjen e menjëhershme të kësaj marreveshje është furtunë në gotë. Zbatimi i një marrveshje të tillë është proces dhe jo një akt i vetëm. Ultimatumi i tanishëm i liderëve politikë shqiptarë nën presionin e krizës dhe si i tillë është hipokrizi e pastër dhe paaftësi e plotë. 
Faleminderit!
Sigal