Prof. Dr. Liliana Elmazi: Ekonomia është çështja e fundit në axhendën e qeverisë “Rama”

554
Sigal

Deputetja e PD-së, Prof. Dr. Liliana Elmazi, në intervistën për “Telegraf”, duke bërë skanerin ekonomik të 3 -mujorit të qeverisjes së Ramës, argumenton që Rama e ka në fund të axhendës së tij ekonominë, dhe po bën eksperimente në marrëdhëniet me FMN-në. Gjithashtu, sipas zonjës Elmazi, me paketën e re fiskale, Rama do të dyfishojë tatimet për individët dhe biznesin.

– Zonja Elmazi, sipas jush, cila është arsyeja që qeveria ende nuk e ka përgatitur projektbuxhetin e 2014-s?

Ekonomia është çështja e fundit në axhendën e qeverisë “Rama”. Kjo qeveri më shumë është e interesuar për instalimin e një regjimi policor në Shqipëri, për nxirjen e situatës që trashëgoi, duke pajtuar klientë të vjetër të saj dhe të rinj, për krijimin e një klime terrori mbi biznesin dhe institucionet e pavarura si dhe për të pastruar administratën publike nga specialistët dhe për ta mbushur atë me militantë partiak. Gjithë këto tregojnë se ekonomia është prioriteti i fundit i kësaj qeverie. Kjo qeveri vetëm papërgjegjshmëri e paligjshmëri ka treguar deri më sot.

– Ju sa mund të bindeni me atë që thotë qeveria, se pret rezultatet e auditimit, që do t’i bëjë gjendjes ekonomiko-financiare një kompani e huaj?

– Financat e shtetit punojnë bazuar në dokumente dhe auditi i huaj është thjesht një klient i radhës, që po shpërblehet me 85 mijë euro për shërbimet ndaj PS-së, duke sajuar audite për çështje shumë të thjeshta. “Deloitte” thjesht do nxjerrë “borxhin” që ka deklaruar që në krye të herës Rama. Ndërkohë që, deklaron për “ arkë bosh”, shpenzon paratë e taksapaguesve për të paguar jo vetëm këtë auditues, por dhe konsulentin e doganave “ Crown agents”, duke i dhuruar 14-20 milionë euro një klienti të qeverisë, për një shërbim që ne e marrim falas nga Eurodogana.  Qeveria para pak kohësh bëri dhe një rishikim të buxhetit 2013 thjesht dhe vetëm për të rritur borxhin e brendshëm, në funksion të rritjes së shpenzimeve për luksin  e saj, kështu që, duke qenë autorja e buxhetit të rishikuar, e ka fare të thjesht bazën për t’u mbështetur për buxhetin e ri.

– Mund të bëni një rezyme të premtimeve ekonomike që dha në elektorat e Majta dhe ato që ka konkretizuar deri tani qeverisja e Ramës dhe ku është thelbi i kritikës të opozitës sot?

– Deri më sot qeveria nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e fushatës elektorale: Nuk ka bërë asgjë lidhur me premtimin për heqjen e tvsh për disa ushqime të premtuara në fushata. Asgjë për shëndetësinë falas. Asgjë për reformën e pensioneve. Asgjë për legalizimet falas. Asgjë për reformën në arsim. Asgjë për ndarjen e mandatit të deputetit nga ai i ministrit. Vetëm për të përmbledhur disa premtime të pambajtura.

– Ju e pranoni që ekonomia shqiptare është në krizë ekonomike?

– Qeveria e re me veprimet e saj për rritjen e borxhit në buxhetin e rishikuar, me klimën e terrorit që po krijon për bizneset, me rritjen e taksave që parashikon në buxhetin e ri, po e çon vendin drejt krizës ekonomike. Sa i përket qeverisjes së PD-së, është tashmë e certifikuar nga të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare suksesi i arritur, sidomos në evitimin e krizës që kapi pjesën më të madhe të Europës, kur Shqipëria edhe në kulmin e krizës globale tashmë shumë pranë nesh, në Rajonin tonë, në vitin 2012 kishte rritje ekonomike prej 1.6 %. Por ashtu si e ka nisur punën kjo qeveri, shumë shpejt do ta çojë ekonominë në krize dhe vendin në buzë të greminës. Këtë po e konstatojnë edhe institucionet ndërkombëtare.

Cili është qëndrimi juaj politikë për bashkëpunimin e qeverisë “Rama” me FMN?

– Shqipëria asnjëherë nuk i ka ndërprerë marrëdhëniet me FMN-në. Gjatë kohës së qeverisjes së PD-së marrëdhëniet u ngjitën në një stad të ri ku si rezultat i suksesit ekonomik vendi doli nga statusi i vëzhgimit të rreptë dhe hyri në një marrëdhënie partneriteti afatgjatë. Në këto kushte qeveria Rama duhet të heq dorë nga eksperimentet në marrëdhëniet me FMN dhe të vazhdojë marrëdhënien e partneritetit të ngritur gjatë qeverisjes së PD-së.

Shqipëria edhe në vitin 2012 humbi 5 vende në vlerësimin botëror, përsa i përket të bërit biznes. Cilat politika janë përgjegjëse që ende në Shqipëri nuk ka klimë të përshtatshme, të favorizueshme e të të bërit biznes?

– Gjatë 8 viteve të kaluara është bërë një punë shumë e mirë në përmirësimin e klimës së biznesit sidomos për sa i përket lehtësimit të procedurave të licencimit, procedurave tatimore dhe uljes së taksave. Kjo punë duhet të vazhdonte, duke treguar një kujdes të veçantë në uljen e korrupsionit gjithashtu. Ajo që shohim me veprimet dhe mosveprimet e kësaj qeverie është se situata po përmbyset dhe në lidhje me arritjet e qeverisë së mëparshme, ndërsa, për sa i përket korrupsionit, nuk ka asnjë iniciativë konkrete, përveç se demagogjisë dhe premtimeve boshe. Ju jeni në dijeni edhe për reagimin e ashpër të OPDAT ambasadës amerikane dhe OSBE-së për ndryshimet e iniciuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal. OPDAT-i ka asistuar bërjen e paketës ligjore të pasqyruara në këtë kod gjatë qeverisjes së PD-së. Pra e kuptoni që nuk është vetëm PD-ja, opozita që akuzon qeverinë për zhbërje të ligjeve shumë të mira, por janë dhe institucionet ndërkombëtare në unison me ne.

– Cili është mesazhi politik që ju kuptuat  nga paralajmërimi i Vuljaniç, i cili tha: “Që edhe në Shqipëri është koha që të arrestohen ministra e kryeministër”?

– Korrupsioni në Shqipëri duhet të luftohet në radhë të parë duke forcuar rolin e Prokurorisë dhe të gjykatave dhe duke mos lejuar politikën që të vendos këto institucione të pavarura nën kthetrat e saj. Nismat e qeverisë në këtë drejtim janë të tilla që të vërë nën kontrollin e kryeministrit organin e hetimit.

– Shumëkush, këtë paralajmërim e lidh me ish-ministrat e qeverisë “Berisha” dhe ndaj vetë ish-Kryeministrit Berisha. Sa (pa)vërtetësi ka në këto opinione që thuhen?

– Nuk e di se cilët janë ata “shumëkush”, por them me bindje që ky është një spekulim i pastër, i disa mediave nën kontrollin e qeverisë dhe asgjë më tepër. N.q.s qeveria ka akuza konkrete, duhet të ketë kurajon t’i ballafaqoje ato në gjykatë. Por, nëse është e vërtetë që raporteri i KE-së për Shqipërinë Vuljaniç ka thënë ashtu, atëherë është e qartë në deklarimin e ti,j që ai flet për kryeministrin dhe ministrat dhe jo për ish-Kryeministër apo ish-ministra. Pra është qartësisht e kuptueshme se për cilët bëhet fjalë. Gjithsesi, këtë pyetje është mirë t’ia drejtoni vetë zotit Vuljaniç.

– Faleminderit!

Do të ketë dyfishim të tatimit mbi të ardhurat personale dhe të biznesit

Nga ministria e Financave kanë “rrjedhë” info për paketën e re fiskale. Cila është kritika juaj?

– Nga informacionet e deritanishme duket se do të kemi një dyfishim (të paktën) të tatimit mbi të ardhurat personale dhe të biznesit, si dhe një dyfishim të kontributeve. Kjo është një politikë totalisht e gabuar, pasi heq të ardhurat nga duart e biznesit dhe individit dhe i kalon ato në duart e administratës shtetërore. Jo vetëm për faktin se administrata jonë shtetërore nuk është shëruar akoma nga plaga e korrupsionit, por edhe për faktin se si biznesi, ashtu edhe  individi janë më të përgjegjshëm në investimet e parave të tyre se burokratët e administratës, por dhe më eficente gjithashtu, në investime, kjo është një politikë e gabuar në parim. Ajo që qeveria duhet të bënte është të zgjeronte bazën e tatimpaguesve dhe të kontribuuesve për sigurimet shoqërore, të vazhdonte reformat për uljen e korrupsionit  për rritjen e të ardhurave në buxhet. Qeveria e Ramës  zgjodhi rrugën më të shkurtër dhe më të thjeshtë për vete të saj. Por duke vështirësuar situatën e biznesit dhe të individëve. Në planin afatmesëm dhe afatgjatë kjo rrugë të çon në më pak investime nga biznesi dhe më pak kursime nga qytetarët, të cilat mund të përdoreshin nga institucionet financiare për investime. Pra e vetmja rrjedhojë e kësaj politike do të jetë një tkurrje e ekonomisë, e cila do të rrisë papunësinë, borxhin dhe do ta çoj vendin në  këtë mënyrë drejt krizës. Kjo është qeverisja e rilindjes.