Prof. Dr. Kristaq Kume: Reforma Zgjedhore fsheh shpenzimet financiare duke favorizuar partitë me përgjegjësi kolegjiale

671
Sigal

Prof. Dr. Kristaq Kume, Drejtor i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve

 

Për mendimin tim, drafti i Reformës së re Zgjedhore nuk ka arritur t`i zgjidh në mënyrë të mjaftueshme problemet dhe ka pak shanse që në praktikën zgjedhore të arrihen pritshmëritë që synojnë këto ndryshime

 

Drafti për Reformën Zgjedhore kamuflon me ligj shpenzimet reale të partive politike në fushata elektorale

 

Jakup B. GJOÇA

 

Prof. Dr. Kristaq Kume Drejtor i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh bindjen, se drafti që është përgatitur për Reformën e re Zgjedhore ka pak shanse që të arrijë pritshmërinë. Ndërsa për shpenzimet financiare të partive dhe subjekteve zgjedhore, Prof. Kume shprehet se edhe ndryshimet e reja që bëhen parashikojnë ndjekje penale kolegjiale, kur shkelet ligji dhe kjo është e vështirë të zbatohet, sepse nuk evidenton përgjegjësi individuale. Prof Kume shprehet se me një KQZ të politizuar, nuk mund të presësh që të monitorohen drejt shpenzimet financiare gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa propozimi për të pasur një portal denoncimi, është thjesht një formalitet.

 

– Prof. Kume, para disa ditësh KQZ deklaroi se shumë parti, mes Tyre edhe PS nuk dorëzuan në afatin ligjor bilancin për shpenzimet elektorale. Në draftin për Reformën Zgjedhore PS Ka propozuar ndryshime për financimin e partive politike. Sa mund të monitorohen realisht shpenzimet elektorale kur KQZ miraton bilancet që sjellin partitë?

– Një ndër problemet me rrjedhoja të mëdha negative në rezultatin që merret në një proces zgjedhor në vendin është financimi i fushatave zgjedhore dhe përdorimin, jo rrallë, prej partive politike i fondeve me burime jo transparente për kryerjen e këtyre fushatave ose edhe për veprimeve të tjera jo ligjore, si është p.sh., shitblerja e votës. Faktorët që ndikojnë dhe arsyet pse zgjedhjet tek ne janë të bashkëshoqëruara përherë me probleme të tilla janë të shumtë e kompleks. Ndër to unë do të veçoja në radhë të parë kulturën e munguar për zbatimin e ligji, nivelin e pamjaftueshëm të ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe reagimin pothuaj inekzistent të saj ndaj dhunuese të së drejtës së votës së lirë etj., dhe krahas me to edhe zgjidhjet ligjore të deri sotme që nuk kanë arritur ta trajtojnë këtë problem në nivelin e kërkesave për plotësimin e standardeve demokratike për financimin e partive politike dhe fushatave elektorale të tyre. Pse ndodhemi në këtë situatë ndaj edhe, në mënyrë të përsëritur, në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR dhe në opinionet e Komisionit të Venecias, jepen rekomandime për atë që duhet të bëjmë ne si shoqëri për t`ju kundërvënë këtyre fenomeneve dhe se, çfarë ndryshimesh duhet të bëhen në legjislacionin zgjedhor për të ngushtuar sa më shumë që të jetë e mundur hapësirat për interferimin e parave “të pista” në proceset zgjedhore, për të parandaluar keqpërdorimin abuziv të aseteve publike, mos lejuar presionin dhe sjelljet intimiduese ndaj zgjedhësve etj. Përsëritja dhe këmbëngulja e vazhdueshme për nevojën e ndërhyrje të tilla në procesin kulturëformues dhe në legjislacion tregon se, pavarësisht se të gjithë e pranojmë dhe shprehemi për angazhimin në plotësimin e kësaj nevoje, puna që kemi bërë deri sot është shumë larg pritshmërisë dhe akoma më larg krijimit të mundësive për arritje të standardeve demokratike. Dhe këtu një peshë të madhe të përgjegjësisë e kanë partitë politike , në veçanti ato që kanë pasur edhe mundësitë dhe fuqinë për të bërë ndryshimin. Legjislacioni aktual, me gjithë se në krahasim me atë të viteve më parë, ka përmirësime që dallohen, akoma nuk ka arritur t`i trajtojë problemet e financimit, monitorimit dhe kontrollit të financave dhe fushatave zgjedhore të partive politike, me të njëjtën forcë dhe kundërvënie si ajo me të cilën vepron paraja “e pistë”, keqpërdoruesit e aseteve publike dhe shkelësit e ligjit elektoral. Këtu duhet të kërkohet edhe arsyeja pse ju formuloni një pyetje të tillë, përgjigja e të cilës është-ligji aktual e ngarkon KQZ-në vetëm të kontrollojë deklarimet e bëra nga vetë partitë për fondet që ato shpenzojnë për fushatë. KQZ-ja as nuk e ka detyrë dhe as nuk ka kapacitete që të monitorojë, në kohë reale shpenzime elektorale. Kështu e kanë vendos hartuesit e ligjit, partitë politike, ata që janë dhe konsumuesit më të mëdhenj të buxheteve, përfshirë edhe të buxheteve pa burime transparente. Në këtë mënyrë, se sa para shpenzojnë partitë politike në një fushatë zgjedhore asnjë nuk e arrin ta marrë vesh. E shumta që arrin të bëjë të mundur ligji aktual zgjedhor është vetëm që, në zbatim të tij, publikut i serviren disa shifra, shifra si ato që do vet partia. Kaq është jo vetëm shumë pak por, për mendimin tim, në këtë rast, ligji-Kodi zgjedhor, si thotë populli, “në vend që të vërë vetullat, nxirr sytë” Duke e plotësuar këtë detyrim ligjor partitë politike i “lajnë duart” dhe bëjnë sikur e plotësojnë përgjegjësinë kushtetuese për transparencën e fondeve buxhetore që ato përdorin. Ndërkohë, kujtoj se arroganca e partive politike në mos respektimin e ligjit shkon deri atje sa nuk janë të pakta rastet kur ato, as nuk e respektojnë detyrimin ligjor për vetëdeklarimin të shpenzimeve për fushatën zgjedhore në kohën e parashikuar në ligj dhe as nuk pranojnë të bashkëpunojnë me auditin e KQZ-së. Dhe kjo ndër të tjera ndodh edhe sepse veprimi i ligjit ndaj rasteve të tilla nuk sjellë pasoja shqetësuese për to, për të mos thënë se të paktën deri sot nuk ka ndonjë rast shembullor kur ligji ka vepruar. Parashikimi në Kodin zgjedhor i detyrimit të KQZ-së për të monitoruar, në kohë reale, burimet e financimit dhe shpenzimet që bëjnë partitë politike për fushatën zgjedhore është një kërkesë e kohë. Nevoja për të është shumë e madhe. Para së gjithash kjo nevojë kushtëzohet nga ashpërsia me të cilën veprojnë dhe ndërhyjnë në zgjedhje aktualisht parat e krimit dhe financimet e fushatave për qëllime përfitimi shumëfish pas zgjedhjeve.

Legjislacioni aktual, megjithë se në krahasim me atë të viteve më parë, ka përmirësime që dallohen, akoma nuk ka arritur t`i trajtojë problemet e financimit, monitorimit dhe kontrollit të financave dhe fushatave zgjedhore të partive politike, me të njëjtën forcë dhe kundërvënie si ajo me të cilën vepron paraja “e pistë”, keqpërdoruesit e aseteve publike dhe shkelësit e ligjit elektoral

– Partia që qeveris bëri fushatë elektorale duke organizuar çdo ditë mitingje nëpër qytete, në orë pune, ku nëpunësit e Shtetit lënë orarin e Punës, me dhjetëra mijëra karrige e të tjera bazë materiale, ndërkohë që në shpenzimet elektorale këto harxhime nuk janë, KQZ nuk i evidenton. Atëherë sa besueshmëri kanë shpenzimet elektorale të deklaruara? A ka barazi midis partive në fushatë, derisa haptazi veprohet me këto diferenca dhe asnjë institucion nuk zbaton Kodin Zgjedhor?

– Përdorimi i aseteve publike për fushatën zgjedhore si dhe organizimi dhe zhvillimi i aktiviteteve të kushtueshme janë një dukuri që ka bashkëshoqëruar në mënyrë të vazhdueshme zgjedhjet. Këtë e kanë bërë të gjitha partitë politike kur kanë pasur mundësi, ashtu sikurse të gjitha nuk kanë qenë në asnjë rast të sinqerta në deklarimin e shpenzimeve reale që kanë bërë për të tillë aktivitete. KQZ-ja. nga ana tjetër, nuk ka pasur mundësi por edhe nuk i është kërkuar të monitorojë financimin e këtyre aktiviteteve. Ligji është mjaftuar vetëm me detyrimin që kanë partitë politike për t`i vetëdeklaruar këto shpenzime në raportin financiar që duhet t`i paraqesin KQZ pas përfundimit të zgjedhjeve. E gjithë kjo situate ligjore ka sjell si pasojë formalitetin e plotë në deklarim dhe pamundësinë për të krijuar kushte të barabarta midis partive në mundësitë për të zhvilluar fushatën zgjedhore.

– Ju si i gjykoni ndryshimet e propozuara nga PS në Reformën Zgjedhore për shpenzimet elektorale dhe financimin e partive politike?

– Në draftin e hartuar janë bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje ligjore të cilat synojnë zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Hartuesit e këtij drafti janë mbështetur në përvojat e mëparshme legjislative, propozimet dhe mendimet e shprehura në tavolinat e rrumbullakëta që janë organizuar nga Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, si propozime dhe mendime të shprehura nga specialistë dhe organizata të shoqërisë civile. Megjithë këtë, për mendimin tim drafti nuk ka arritur t’i zgjidh në mënyrë të mjaftueshme problemet dhe ka pak shanse që në praktikën zgjedhore të arrihen pritshmëritë që synojnë këto ndryshime. Për ta bërë më konkrete këtë konsideratë mund t`ju referohemi dispozitave të këtij drafti. Kështu p.sh., në draft parashikohet se “Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vende pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të lidhur me të…”. Nëpërmjet kësaj dispozite synohet që të krijohen kushte ligjore për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për të parandaluar fenomene të tilla që kanë qenë të shpeshtë në zgjedhjet e kaluara. Por, efekti i kësaj dispozite është shumë i vështirë, gati i pamundur, për t’u arritur.

Është e nevojshme që në punën për hartimin e dispozitave që do të bëjnë të mundur monitorimin në kohë reale të financave për fushatën zgjedhore, të merren parasysh mendime e dhëna në tavolinat e diskutimit nga specialistë të huaj dhe vendas. Është e nevojshme që të krijohen struktura të posaçme, me pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile dhe qytetarëve, të certifikuar dhe akredituar

Dispozita parashikon përgjegjësi penale për subjektin…. pra për një organ kolegjial. Kjo do të thotë pamundësi veprimi prej organeve ligjzbatuese sepse nuk mund të fillohet një proces penal për një organ kolegjial, si është subjekti zgjedhor, përjashtuar rastin kur ky subjekt është një kandidat i pavarur. Po kështu, në draft ka dispozita që synojnë të bëjnë të mundur monitorimin, nga KQZ-ja, në kohë reale, të financimit dhe shpenzimeve që bëjnë partitë dhe kandidatët e tyre për fushatën zgjedhore . Zgjidhja që propozon dispozita është e vështirë të ketë efekte reale në praktikën e monitorimit. Për këtë mund t`i referohemi zgjedhjeve të vitit 2017. Në këto zgjedhje pati një tentativë nga ana e KQZ-së për të monitoruar në kohë reale financimin dhe shpenzimet që bënin partitë politike për fushatën zgjedhore. KQZ-ja, me mbështetje të KiE hartojë edhe një metodologji sipas të cilës specialistët kontabël që ajo angazhoi duhet të evidentonin këto shpenzime për çdo aktivitet që bënin partitë politike. Rezultati i kësaj pune ishte larg pritshmërisë. Arsyet mund të ishin të shumta. Monitoruesit e aktivizuar në zgjedhjet e vitit 2017 kanë theksuar se vështirësia më e madhe ishte mungesa pothuajse e plotë e bashkëpunimit me ta, të partive politike. Ndaj edhe monitorimi sipas po të njëjtës metodologji dhe mënyrë organizimi, si edhe parashikohet në dispozitën përkatëse në draft.. “..jo më vonë se 6 muaj para ditës së zgjedhjeve KQZ-ja cakton një numër të mjaftueshëm personash për të monitoruar përmbushjen nga subjektet zgjedhore të detyrimeve në lidhje me financimin e fushatës…”, ka pak gjasa që të jetë i suksesshëm. Për të realizuar këtë proces monitorimi duhet të rikonsiderohet zgjidhja e propozuar dhe të gjenden zgjidhje të tjera më efektive. Është e domosdoshme që në ligj të ketë dispozita që rregullojnë marrëdhëniet e punës dhe të bashkëpunimit midis monitoruesve dhe partive politike. Është e nevojshme që në punën për hartimin e dispozitave që do të bëjnë të mundur monitorimin në kohë reale të financave për fushatën zgjedhore, të merren parasysh mendime e dhëna në tavolinat e diskutimit nga specialistë të huaj dhe vendas, sipas të cilëve, për të realizuar, në mënyrë efektive një proces të tillë monitorimi, është e nevojshme që të krijohen struktura të posaçme, me pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile dhe qytetarëve, të certifikuar dhe akredituar. Partive politike kjo nuk u intereson ndaj edhe këto mendime nuk janë marrë fare në konsideratë gjatë draftimit të ndryshimeve që mund të bëhen në Kodin zgjedhor. Edhe zgjidhja që propozohet në draft sipas të cilës KQZ-ja duhet të krijojë dhe të mirëmbajë për një periudhë 6 mujore para datës së zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas kësaj date një portal, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës, është vetëm një mundësi komplementare por që nuk e zgjidh problemin.

Në rast se KQZ-ja do të vazhdojë të mbetet e tillë, ndryshimet ligjore për financimin e fushatave zgjedhore, sado të formuluara, sa do mirë të pasqyrohen në to rekomandimet përkatëse të OSBE/ODIHR, efektin e tyre në praktikë do të jenë larg pritshmërive

Në asnjë rast dhe për asnjë argument nuk mund të konsiderohet portali i denoncimeve si rruga efektive për të parandaluar dhe denoncuar shkeljet që bëjnë partitë politike, abuzimet e konsiderueshme të tyre me asetet publike, mungesën e transparencës në burimet e financimeve që ato marrin fushatën e tyre zgjedhore. Portali është vetëm një mundësi plotësuese. Shumë e rëndësishme dhe me mundësi për arritjen e synimeve janë punët që duhet t`ju ngarkohet dhe duhet të bëjnë institucione, KQZ, partitë politike, institucionet publike, qeveri qendrore e vendore, institucionet ligjzbatuese.

Edhe zgjidhja që propozohet në draft sipas të cilës KQZ-ja duhet të krijojë dhe të mirëmbajë për një periudhë 6 mujore para datës së zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas kësaj date një portal, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës, është vetëm një mundësi komplementare por që nuk e zgjidh problemin

– A mund të auditojë shpenzimet elektorale KQZ-ja, e cila është praktikisht e politizuar dhe e kontrolluar nga Partia që qeveris?

– Në draftin për të cilin po flasim trajtohen vetëm çështje dhe probleme që lidhen me financimin e fushatave elektorale. Pjesë e tyre janë edhe detyrat dhe roli që duhet të luaj KQZ-ja, si institucion që ngarkohet për monitorimin dhe auditimin e këtyre financimeve. Duke vendosur në draft dispozita, që në krahasim me Kodin aktual e trajtojnë në mënyrë më të mirë dhe më afër realitetit tonë në financimin e fushatave zgjedhore me fonde private, hartuesit e tij kanë bërë përpjekje që puna e KQZ-së të jetë sa më efektive për të arritur në objektivat e parashikuara:

(a) Rritjen e transparencës për burimet e financimit,

 

(b) Ngushtimin sa më të madh të mundshëm të interferimit të parave të pista në zgjedhje dhe

(c) Pengimin e financimeve private që bëhen me synim përfitimin pas zgjedhjeve.

Natyrisht, si për çdo aspekt tjetër të administrimit të zgjedhjeve dhe për ato që kanë të bëjnë me financimin e fushatës zgjedhore, KQZ e formuar jo me anëtarë, përfaqësues të partive politike, si rregull është shumë më tepër efektive. Ndaj, në rast se KQZ-ja do të vazhdojë të mbetet e tillë, ndryshimet ligjore për financimin e fushatave zgjedhore, sado të formuluara me një gjuhë dhe teknikë legjislative korrekte dhe sa do mirë të pasqyrohen në to rekomandimet përkatëse të OSBE/ODIHR, efektin e tyre në praktikë do të jenë larg pritshmërive.

Dispozita parashikon përgjegjësi penale për subjektin… pra për një organ kolegjial. Kjo do të thotë pamundësi veprimi prej organeve ligjzbatuese sepse nuk mund të fillohet një proces penal për një organ kolegjial, si është subjekti zgjedhor, përjashtuar rastin kur ky subjekt është një kandidat i pavarur

– Në këtë draft parashikohet që AMA të monitorojë edhe Kohën e fushatë zgjedhore në media, ndërkohë që edhe AMA kontrollohet nga Mazhoranca. A kanë besueshmëri këto monitorime nga institucionet që kontrollohen nga qeveria?

– Në projekt ligjin e depozituar në Kuvend për ndryshimet në Kodin zgjedhor, të hartuar si produkt i punës së bërë nga Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore përpara se të largohej prej tij opozita (PD e LSI), projekt ligj që si edhe si ka deklaruar bashkëkryetari i komisionit Z. Gjiknuri, shërben si material bazë për punën e komisionit të sotëm, monitorimi i fushatës zgjedhore në radio dhe televizion parashikohej të bëhej prej Bordit të Monitorimit të Mediave ashtu si e ka të parashikuar Kodi aktual. Ndryshimi që propozohej kishte të bënte vetëm me kohën kur do të ngrihej ky Bord dhe me sigurimin e barazisë gjinore në anëtarësinë e tij. Sipas draftit aktual nuk do të ketë më Bord për monitorimin e mediave por këtë detyrë ngarkohet ta bëjë enti rregullator që rregullon dhe mbikëqyrë fushatën, Pyetja që mund të bëhet: Pse ky ndryshim kur dihet se rregulli sipas të cilit formohej Bordi merr parasysh përfaqësinë por edhe barazinë politike, ndërkohë që AMA nuk ndërtohet sipas këtij parimi. Ndryshimi i propozuar nga Bord monitorimi tek Enti rregullator mbart me vete ngarkesë politike. Ai mund të jetë shkak për krijim e një problem jo të vogël politik që mbingarkon politikisht punë për reformën zgjedhore. Por duke qenë se ky është vetëm një draft besoj se me patjetër opozita në parlament do kërkojë të konsiderojë dhe do të këmbëngul në rishikimin dhe riformulimin e dispozitave që lidhen me monitorimin e fushatës zgjedhore në media. Ndryshe shumë çfarë mund të synohet të arrihen në punën për reformim e legjislacionit zgjedhor në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, mund të vihet përpara pikëpyetjeve.

– Faleminderit!

 

Somario

1

Legjislacioni aktual, megjithë se në krahasim me atë të viteve më parë, ka përmirësime që dallohen, akoma nuk ka arritur t`i trajtojë problemet e financimit, monitorimit dhe kontrollit të financave dhe fushatave zgjedhore të partive politike, me të njëjtën forcë dhe kundërvënie si ajo me të cilën vepron paraja “e pistë”, keqpërdoruesit e aseteve publike dhe shkelësit e ligjit elektoral

 

2

Dispozita parashikon përgjegjësi penale për subjektin… pra për një organ kolegjial. Kjo do të thotë pamundësi veprimi prej organeve ligjzbatuese sepse nuk mund të fillohet një proces penal për një organ kolegjial, si është subjekti zgjedhor, përjashtuar rastin kur ky subjekt është një kandidat i pavarur

 

3

Është e nevojshme që në punën për hartimin e dispozitave që do të bëjnë të mundur monitorimin në kohë reale të financave për fushatën zgjedhore, të merren parasysh mendime e dhëna në tavolinat e diskutimit nga specialistë të huaj dhe vendas. Është e nevojshme që të krijohen struktura të posaçme, me pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile dhe qytetarëve, të certifikuar dhe akredituar

4

Edhe zgjidhja që propozohet në draft sipas të cilës KQZ-ja duhet të krijojë dhe të mirëmbajë për një periudhë 6 mujore para datës së zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas kësaj date një portal, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës, është vetëm një mundësi komplementare por që nuk e zgjidh problemin

5

Në rast se KQZ-ja do të vazhdojë të mbetet e tillë, ndryshimet ligjore për financimin e fushatave zgjedhore, sado të formuluara, sa do mirë të pasqyrohen në to rekomandimet përkatëse të OSBE/ODIHR, efektin e tyre në praktikë do të jenë larg pritshmërive