Prof. Dr. Kristaq Kume: Reforma legjislativr dhe zgjedhjet binom për zgjidhjen e krizës dhe parandalimin e krizave të demokracisë

777
Sigal

Prof.Dr. Kristaq Kume

Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve

 

Kriza aktuale me të cilën po përballet vendi ynë është një krizë shumë dimensionale, me efekte politike e sociale, që mund të sjellin pasoja të mëdha negative në zhvillimet aktuale dhe afatmesme në shoqërinë shqiptare. Kompleksiteti i faktove dhe shkaqeve që e gjeneruan këtë krizë, qëndrimet dhe veprimet politike të mazhorancës dhe opozitës, jo vetëm që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për zgjidhje por, përherë e më shumë, kanë ndikuar në ashpërsimin e saj. 30 qershori dhe sjellja e partive politike para dhe pas tij, nuk e zgjidhi krizën. Kompleksiteti i saj u shtua. Nga një analizë e thjeshtë e krizës aktuale, pa vështirësi mund të identifikohen faktorë gjenerues të saj që janë ngushtësisht të lidhur me problemet e mëdha që ka legjislacioni ynë, në veçanti ato të rrjedhura nga ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008. Bashkë me këto faktorë dhe në sinergji me to, gjenerues të kësaj krizë janë edhe keqpërdorim i pushtetit, sjellja e partive politike ndaj institucionit të votës dhe në proceset zgjedhore, mungesa e vullnetit për të ndërtuar shtetin ligjor, mbizotërimi i kulturës së mosndëshkimit, qeverisja jo efektive që përherë e më shumë po distancohet nga interesat e popullit, etj..Deklarimet, qëndrimet dhe veprimi politik i mazhorancës dhe opozitës deri sot, jo vetëm që kanë pamundësuar zgjidhjen e krizës por përherë e më shumë po kontribuojnë në ashpërsimin e saj. Kriza tenton të marr përmasat e një krize sociale, duke u shndërruar në krizë të thellë të demokracisë, me efekte negative afatgjata për të gjithë shoqërinë tonë. Për të zgjidhur këtë krizë dhe, me vëmendjen dhe kujdes të shtuar, për të parandaluar rishfaqen e krizave të tilla në shoqërinë tonë, është e domosdoshme që partitë politike të mazhorancës dhe opozitës, të demonstrojnë vullnet të plotë politik për të kapërcyer barrierat që gjenerohen nga interesat politike të tyre dhe nga gara për pushtet. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha ky vullnet duhet të materializohet me dakordësinë e tyre për të realizuar një reformë të thellë legjislative. Reforma është e domosdoshme sepse, aktualisht shoqëria e jonë është përballuar me deformimin e parimit bazë kushtetues, i cili përcakton se sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit, i cili e ushtron atë nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Reforma duhet të kryhet me qëllim që të bëhet i mundur zbatimi real i parimit kushtetues sipas të cilit baza e qeverisjes në shoqërinë tonë është sistemi i zgjedhjeve të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike. Angazhimi i partive politike të mazhorancës dhe opozitës dhe , bashkë me to edhe i shoqërisë civile, stafeve akademike, specialistëve dhe grupeve të interesit që kanë se me çfarë të kontribuojnë për kryerjen e reformës së thellë legjislative, aktualisht është nevojë prioritare e shoqërisë tonë. Realizimi i kësaj reforme është veprimi i parë që domosdoshmërish duhet të bëhet. Pa e kryer këtë reformë proceset zgjedhore që mund të bëhen do t`i kenë shumë të pakta, për të mos thënë të pamundura, mundësitë për të zgjidhur krizën dhe për të pamundësuar kriza të ngjashme. Reforma legjislative duhet të trajtojë dhe të zgjidh çështjet që janë ngushtësisht të lidhura me nevojat për funksionimin real të demokracisë përfaqësuese dhe demokracisë së drejtpërdrejtë. Objektiv i saj duhet të jetë krijimi i kushteve që do të rregullojnë sjelljen e partive politike dhe të institucioneve ligjbërëse e ligjzbatuese në përputhje dhe në zbatim të ligjit.

Reforma është e domosdoshme të realizohet njëkohësisht në disa plane:

  1. NDRYSHIME NË KUSHTETUTË

Objekt i reformës kushtetuese mund të jenë çështje që lidhen me Kuvendin e Shqipërisë, përfshirë në to përbërjen e tij , me një ose dy dhoma, me 140 apo 100 deputetë. Diskutimi dhe zgjidhja e problemit të sistemit zgjedhor mbi bazën e te cilit do te zgjidhen deputetet e Kuvendit duhet te jetë një ndër çështjet e kryesore që duhet të jetë pjesë e reformës. Sistemi zgjedhor aktual konsiderohet si një ndër faktorët kryesor që kanë ndikuar në mos funksionimin real të parimit të demokracisë përfaqësues. Ndaj është e nevojshme që të gjendet një zgjidhje ndryshe, e cila të bëjë realisht më shumë të mundshme :

(i)barazinë e fuqisë së votës,

(ii) realizimin e një garë zgjedhore të barabartë,

(iii) zgjedhjen e deputetëve direkt nga zgjedhësit,

(iv) përfaqësimit sa më proporcional të vullnetit të zgjedhësve në strukturën politike të Kuvendit, etj…

Objektivat

Ndryshimet ne Kushtetutë është e nevojshme të kenë si objekt të tyre dispozitat që lidhen me deputetët, duke synuar që:

  • Të kufizohen mundësive për “trafikimin” politik të deputete, të rrjedhur nga dispozita që parashikon mos ekzistencës e asnjë mandati detyrues për të dhe
  • Të parandalohen mundësitë për keqpërdorimin e të drejtës që ka deputeti për dorëheqje nga mandati

Dispozitat që trajtojnë institucionin e Presidenti i Republikës mund të jenë objekt i ndryshimeve kushtetuese. Presidenti mund të zgjidhet nëpërmjet votimit popullor ose zgjedhje e Presidentit nga Kuvendi të bëhet shumicë të cilësuar. Të drejtat dhe detyrat e Presidenti, si Kryetar i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit të popullit, duhet të jenë objekt diskutimi dhe ndryshimi në Kushtetutë.

Për Këshillin e Ministrave objekt i reformës mund të jetë përcaktimi kushtetues për ndryshimet që mund të bëhen në përbërjen e Këshillit të Ministrave pas shpalljes nga Presidenti të datës për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, si dhe dispozitat që lidhen me mocionin e besimit dhe mosbesimit për Kryeministrin. Objekt i diskutimeve dhe vendimmarrjes për ndryshime duhet të jenë edhe dispozitat që trajtojnë çështje të referendumit dhe iniciativës qytetare, duke i kushtuar vëmendje të veçantë referendumit lokal dhe trajtimit të dispozitave për iniciativës qytetare për vendimmarrje edhe për çështje të qeverisjes vendore.

  1. NDRYSHIME NË KODE E LIGJE

Kodi Zgjedhor

Reforma legjislative duhet të ketë si objektiv të saj realizimin e reformës zgjedhore duke synuar

ndryshimet në Kod Zgjedhor për të pasqyruar në të rekomandimet e dhëna në raportet e misioneve të vëzhguesve ndërkombëtar te OSBE/ODIHR, vëzhguesve vendas, si dhe kërkesat e partive të ndryshme politike. Në veçanti vëmendje duhet t`i kushtohet trajtimit të çështjeve që lidhen me:

  1. administratën zgjedhore, në të gjithë piramidën e saj, duke kërkuar zgjidhje legjislative sipas te cilave kjo administratë të mos të ndërtohet mbi bazën e propozimeve të partive politike,
  2. Financimin e fushatës zgjedhore, me objektiv parandalimin e financimeve jo transparente, forcimin e detyrimit ligjor për transparencën e burimeve të financimit, rritjen e kapaciteteve institucionale për monitorimin, në kohë reale, të financimit të fushatës zgjedhore.
  3. Ngushtimin e hapësirave për ndërhyrje jo ligjore në procesin zgjedhor, për shitblerjen e votave, përdorimin e aseteve publike etj. Ndryshimet në Kodin zgjedhor duhet të bëhen për të krijuar një terren legjislativ dhe kushte të nevojshme për parandalimin e fenomenit të kriminalizimit të zgjedhjeve.

Ligji për Referendumet

Për ta bërë funksionale demokracinë e drejtpërdrejtë, objekt i reformës legjislative duhet të jetë edhe Ligji për referendumet. Është e nevojshme që të hartohet ligjit për referendumin kushtetues dhe referendumin e përgjithshëm popullor, duke synuar ndërtimin e procedurave që do të bëjnë realisht të mundur iniciativat qytetare për referendum të përgjithshëm. Bashkë me të duhet të hartohet edhe ligji për referendumet lokale.

Ligji për Partitë Politike

Ligji për partitë politike dhe financimin e tyre duhet te jetë objekt i reformës legjislative, duke pasur si objektiv ndryshime që do të bëjnë të mundur realizimin e proceseve të demokratizimit të jetës së brendshme në partitë politike, si mund të jenë:

  • Kufizimi i numrit të mandateve për lidershipin e partisë,
  • Zbatimi i procesit të primareve për përzgjedhjen e kandidateve me të cilët subjekti politik do të hyjë në garat zgjedhore për Kuvendin ose organet e qeverisjes vendore.

Në ligjin për partitë politike është e nevojshme të mirëshkruhen dispozitat që kushtëzojnë detyrimin ligjor për raportimin periodik dhe për transparencën e burimeve të financimit të partive politike. Është e nevojshme të konsiderohet mundësia për ngritjen e një institucioni të pavarur për monitorimin dhe auditimin e financave të partive politike. Reforma legjislative duhet të zhvillohet pavarësisht nga problemet dhe situatat me të cilat përballet aktualisht shoqëria e jonë. Realizimi i saj kërkon që partitë politike të mazhorancës dhe të opozitës të pranojnë dhe të demonstrojnë vullnetin e nevojshëm për t`u përfshirë në të, pavarësisht por edhe pa ju kërkuar të heqin dorë nga agjenda dhe angazhimi i tyre për përballimin dhe realizimin e zgjidhjet që ato synojnë të arrijnë, referuar çështjeve dhe problemeve të krizës aktuale. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se kjo reformë legjislative mund të realizohet me sukses vetëm në se ajo zhvillohet si një proces bashkëpunimi gjithëpërfshirës. Asistenca e institucioneve ndërkombëtare në realizimin e kësaj reformës duhet të konsiderohet dhe kërkohet. Në diskutimin politik aktual, artikulimi i nevojës për të kryer një reformë legjislative të thellë, zë një vend të vogël, gati të papërfillshëm. E kundërta duhet të ndodh. Vetë kriza është pasojë e problemeve të mëdha që ka legjislacioni i ynë, në veçanti me mundësitë e mëdha që ai i ka krijuar partive politike dhe mazhorancës në veçanti, për ta përdorur atë në funksion të interesave të tyre politik. Ndaj në se nuk kryhet një reformë e tillë, çdo zgjidhje tjetër, qoftë edhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin, vetëm sa do të krijojë iluzionin e një zgjidhje efektive. Kundërshtuesit e prioritetit që duhet të ketë reforma e thellë legjislative, në kohë dhe në radhën e kryerjes së saj, kundrejt zgjedhjeve, të cilat kërkohen dhe mund të zhvillohen në vjeshtën e ardhshme, mund të sjellin si argument faktin se për ta kryer këtë reforme duhet kohë e gjatë. Nuk është kështu. Nuk është koha faktor që duhet të merret në konsideratë. Është vullneti për ta bërë. Është vlerësimi për nevojën urgjente që ka shoqëria e jonë për këtë reformë. Dhe, shoqëria i ka te gjitha kapacitetet profesionale te nevojshme dhe përvojat e mjaftueshme për të kryer një reformë të tillë edhe në se kërkohet që ajo të përfundojë në vjeshtën e ardhshme.