Prof. Dr. Jamarbër Malltezi: Të bashkohemi me çdo njeri që dëshiron të përballet me të keqen “Rama”, që ka uzurpuar të gjithë pushtetet

70

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi  Kreu i Departamentit të Mjedisit në PD-ë

Vetting-u  zbaton standard të dyfishtë, si përshembull,  kur një gjyqtar e shkarkon pse babai i ka dhuruar 5000 euro e nga ana tjetër mbyll sytë, kur Dvorani merr dhuratë 100,000 euro nga “Albtelekomi” dhe pastaj edhe gjykon çështje të “Albtelekomit” në gjykatë. Këtë nuk ka socialist që ta pranon për standard

Të bashkohemi me çdo njeri që dëshiron të përballet me të keqen “Rama”, që ka uzurpuar gjithë pushtetet

 Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi,  Kreu i Departamentit të Mjedisit në PD-ë, në intervistën për gazetën “Telegraf”, shprehet se duhet të sinkronizojmë nevojat madhore të shqiptarëve me ofertën  politike, por mbi të gjitha, të jemi të vërtetë e të drejtpërdrejtë, që të jemi në një llogore me qytetarët dhe vetëm kështu do votojnë masivisht PD-në. Prof. Malltezi pohon se në PD-ë e kanë kuptuar që çelësi i suksesit nuk është katapultimi, apo preferenca individuale, por vlerat  dhe kontributi i çdo individi në përballjen pa kompromis me të keqen “Rama”. Prandaj, PD-ja është e hapur për çdo njeri. Prof. Malltezi i referohet në intervistë edhe vetting-ut, i cili përdor 2 standarte  në vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, teksa “mbyll” sytë ndaj 100 mijë eurove që “Albtelekom” i “dhuroi” Dvoranit, ndërkohë që Dvorani ishte gjyqtar i një çështjeje me këtë kompani. Reforma në Drejtësi është domosdoshmëri, por deri tani, prokuroria ka heshtur për  denoncimin  e vjedhjes së impulseve  telefonike nga  Arben Ahmetaj, i ndihmuar nga vartësi i tij Klodian Zoto, ku shtetit iu shkaktua dëm 5 milionë euro.

 

– Prof.  Malltezi, a mund të ketë proces Zgjedhor të garantuar nga manipulimet  zgjedhore me kryeministër Edi Ramën? Pse PD-ja u tërhoq nga kushti i saj?

– Çdo proces zgjedhor pas 2013, është dëshmuar i manipuluar nga Edi Rama. Duke filluar qysh nga zgjedhjet për kryetarin e ri të bashkisë në Korçë, që u dëshmua, duke u paguar vota për 2000 lekë të reja, e deri në zgjedhjet e fundit të 2019, ku ndonëse pa kundërshtar fare, personazhe të trafikut  të drogës dhe prostitucionit dolën në përgjime, duke blerë vota. Të gjitha raportet e OSCE/ODHIR-it,  kanë dëshmuar për regres në standardet  e zgjedhjeve me Ramën kryeministër. Përgjimet  e dosjeve 184 dhe 339, që ishin në fakt për çështje droge dhe krimi të organizuar, dëshmuan gjithashtu, angazhimin e çdo qelize të shtetit për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.

PD-ja  e deklaroi këtë gjë shumë herë, disa donin të dëgjonin, e disa zgjodhën të mos dëgjonin. Risia ndodhi me publikimin e përgjimeve të dosjeve të rënda në “Bild”. Të gjithë opinionet publike brenda dhe jashtë vendit, u sensibilizuan. Të gjithë i kërkuan përgjegjësi penale dhe politike Edi Ramës. Rama u fsheh si struci dhe zgjodhi  të ndëshkojë Shqipërinë, veç për të shtyrë ditët dhe vjedhjet qindra miliona euroshe të vetat. BE-ja nuk i harroi këto vjedhje, POR i dha haraçin Edi Ramës. Meqë  Rama  zgjodhi të mos marrë asnjë përgjegjësi,  BE-ja penalizoi Shqipërinë, duke shtyrë çeljen e negociatave dhe duke shtuar 15 kushte! Nëse Rama do ish dëshmuar  politikan  i përgjegjshëm dhe burrë-shtetas, do kish çuar para drejtësisë ata që vodhën/blenë/intimiduan  qytetarët në zgjedhje dhe vetë Rama do kish dhënë dorëheqjen, pasi pushtetin ia kanë sjellë në tavolinë trafikantë, si Avdylajt, që i thonin Gjushit- “t’ia japim 9 deputetë që mos e besojë as vetë Rama”, apo trafikantë të tjerë, si Ndoka në Lezhë, që po vjedh gjithë rërën e hedhur, apo të tjerë në Dibër. Trishtim. Pra, nëse Rama do kish dhënë dorëheqje dhe do kish çuar banditët para ligjit, atëhere gjasat do ishin që shqiptarëve do ju çelej drita jeshile për të hapur negociatat pas zgjedhjeve  vërtet të lira e të ndershme. Rama  nuk pranoi, ndaj u ndëshkuam të gjithë shqiptarët. Perëndimi e ka të qartë këtë dhe përmes 15 kushteve ia bëri të qartë  edhe  shqiptarëve.

PD-ja  arriti të dëshmojë që me Ramën,  nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka njeri që e vë në dyshim këtë gjë. Nga ana tjetër, ka vështirësi të imponohet një standard  i ri që nuk aplikohet tjetërkund. Ndaj kuptoj edhe vështirësinë që ka pasur në bisedime kolegu Bylykbashi, apo edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve. Ndërkombëtarët  bënë një reformë sui-generis në drejtësi dhe ka 3 vite pa gjykata, ndërkohë që vetting-u po u zbatohet me standarde të shumëfishta, gjë që mund t’ia rrëzojë edhe Strasburgu.

– Në zgjedhjet që nga 2015-ta dhe deri në 2019-n, edhe OSBE/ODIHR-i,  në raportet e tyre kanë nënvizuar  fenomenet e manipulimit  të votës,  kanë fotografuar si shkaktarë të manipulimit të votës edhe forcat politike, madje në votimet moniste të 2019-s,  këto ishin më shqetësuese.  Sa garanci politike për proces  zgjedhor të lirë jep marrëveshja  zgjedhore, për të cilën  edhe PD-ja  dha konsensusin?

– Për fat të keq nuk mund të flasësh për garanci në një vend ku kryeministri është peng i krimit të organizuar dhe është kapur në biseda telefonike me policët për të blerë zgjedhje dhe intimiduar zgjedhësit. Por PD-ja ka në arkivën e saj edhe përballje të suksesshme me pushtetin antidemokratik, që nuk lejonte zgjedhje të lira, si në 1992, apo edhe në 2005, kur vinim nga 3 palë zgjedhje të vjedhura dhe me situatë tragjikomike në komisione zgjedhore deri 6-1 në favor të pushtetit.

Rëndësi  ka që fjala jonë të jetë e pastër dhe e qartë, që të rezonojë me nevojat e shqiptarëve. Duhet  të sinkronizojmë nevojat madhore të shqiptarëve me ofertën politike, por mbi të gjitha të jemi të vërtetë  e të drejtpërdrejtë, që të jemi në një llogore me qytetarët dhe vetëm  kështu do votojnë  masivisht  PD-në  dhe krimi nuk do arrijë të trembë askënd.

-Do të kërkojë domosdoshmërisht PD-ja, që me zgjedhjet parlamentare të ribëhen njëkohësisht edhe zgjedhjet vendore?

Ky është një kusht i nënkuptuar mes 15 kushteve që ka vendosur BE-ja. Kanë kërkuar që Gjykata  Kushtetuese të shprehet për ligjshmërinë, apo jo të zgjedhjeve vendore (në fakt ishin votime si në komunizëm, e jo zgjedhje, se ishin veç me 1 kandidat). PD-ja kërkon zbatimin e 15 kushteve. Qeveria po zgjedh të ndëshkojë shqiptarët, mjaft që të rrijë në pushtet dhe të vjedhë çdo qindarkë.

– Zoti Malltezi, kemi reagimet e para të anëtarëve të thjeshtë të PD-së, të cilët haptazi shprehin zhgënjim për ftesën e kryetarit të PD-së ndaj eksponentëve, të cilët u larguan nga PD-ja, nuk kanë bërë aspak opozitë ndaj keqqeverisjes, që janë përgjegjës të humbjes elektorale të PD në 2013, që nuk gëzojnë simpati elektorale tek demokratët. A është pranë elektoratit  të saj kryesia e PD-së?

– Besoj që procesi i ri i përgatitjes së kandidatëve për deputetë është risi mjaft pozitive dhe e çon kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të PD-së  tek anëtarësia. Kemi nevojë të bashkohemi me çdo njeri që dëshiron të përballet me të keqen që ka uzurpuar gjithë pushtetet.

– Deputetët e listës së PD-së që pranuan mandatet dhe bëhen paterica të kryeministrit Rama,  dëshmuan shkëputjen e kryesisë së PD-së nga baza e saj. Cilat janë garancitë që duhet të besojnë demokratët tek nisma e re e PD-së  për përzgjedhjen e kandidatëve,  se do jetë vullneti i tyre, cili do jetë kandidat për deputetë dhe jo preferencat e kryesisë së PD-së?

– Qartazi,  PD-ja duhet të ketë kujtesë institucionale dhe ta reflektojë  këtë gjë. Ata që u bënë paterica  të Edi Ramës,  nuk janë për përballje me të keqen, por thjesht për plaçkë. Ata nuk vlejnë. Më mirë të rrimë në opozitë, por me nder, sesa të jemi peng i disa plaçkitësve, që mund të hidhen nga dega me degë. Unë besoj se të gjithë në PD-në  e kanë kuptuar që çelësi i suksesit nuk është katapultimi, apo preferenca individuale, por vlerat që individët bartin, kontributi individual  në përballjen pa kompromis me të keqen, historiku i përballjeve, mirësia njerëzore dhe kompetenca intelektuale në fushën përkatëse. Besoj që nisja e procesit të ri është një hap që tregon  reflektimin e duhur në këtë drejtim.

– Zoti Malltezi,  a do të hapet PD-ja për personalitetet pa parti, për intelektualët, aktivistët e pandikuar nga pushteti? Deri tani as nisma e re e PD-së nuk thotë asgjë të këtillë! Përkundrazi, përmenden për riciklim  emrat  historikë, që me sjelljen e tyre në pushtet, çuan PD-në në opozitë.

– Besoj se PD-ja është e hapur për çdokënd që do të përballet me të keqen në pushtet. Me këdo që refuzon privilegjet e blerjeve, tenderave, rryshfeteve për të sakrifikuar, duke u përballur me të keqen që ka marre peng të ardhmen e shqiptarëve.

– A do të zotoheni para elektoratit se dhjetërat denoncime për korrupsion, që keni bërë dhe bëni, do të këmbëngulni që të hetohen nga Gjyqësori, pa i braktisur nëse vini në pushtet? Deri tani jemi mësuar që çdo opozitë denoncon korrupsionin për konsum politik dhe kur merr qeverinë, i harron denoncimet e saj për korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

– Ne marrim përsiper t’i çojmë në prokurori. Nuk marrim përsipër dënimin, pasi nuk do kishim shtet të së Drejtës me Gjyqësor të pavarur, por do ishte thjesht një farsë, ku pushteti cakton se kush duhet të dënohet. Fiks, siç tha Rama: “Imami duhet të hetohet dhe të dënohet!” Kjo është e kundërta e shtetit ligjor dhe demokracisë. Pushtetet janë të ndara, por edhe të përgjegjshme, pra prokuroria duhet të hetojë e jo të mbyllë çështjet sipas interesit të xhepit apo interesit politik. PD-ja ka dëshmuar që ka çuar në prokurori afera shumë miliona eurosh, si përshembull vjedhjen e impulseve telefonike nga Arben Ahmetaj, i ndihmuar nga vartësi i tij Klodian Zoto. Impulse telefonike me vlerë mbi 5 milionë dollarë, në vend që të shkonin në buxhet të shtetit, shkonin fillimisht tek xhepi i “Hermës” të Arben Ahmetaj dhe prej aty ndahej tek operatorët rurale. PD-ja e çoi në Prokurori, por për fat të keq edhe paratë u vodhën, edhe prokuroria   mbylli sytë fort, mesa duket, sipas interesit të xhepit.

– PD- ja tani si opozitë me fakte konkrete denoncon për dështimin e Reformës në Drejtësi, deri në këtë nivel sa thoni që Gjyqësori është marrë peng nga kryeministri Rama. Pyetja është: Nëse Opozita vjen në pushtet me zgjedhje të lira, çfarë do të bëhet me drejtësinë e marrë peng  nga kryeministri  Rama?

Reforma në Drejtësi  ishte e dëshiruar nga mbi 90% e opinionit publik. Drejtësia duhet të jetë e pavarur, por jo e papërgjegjshme. Kur bëhet edhe e papërgjegjshme kjo pjell korrupsion, siç solli rastin e Ahmetajt dhe Zotos, që, ndonëse shkaktuan 5 milionë dollarë dëm në buxhetin e shtetit, përsëri dolën pa lagur nga papërgjegjshmëria, apo ngrohja e xhepit të prokurorisë. Në një shtet ligjor natyrisht janë të pavarur, por ka nevojë të vijueshme për monitorim, apo edhe analizim të kazuseve, në rradhë të parë për të mbrojtur shtetin e së Drejtës dhe nga ana tjetër edhe për arsye akademike. Problemi është që ligji në dorën e Maliqit, (Ramës), ka deformuar thelbin e reformës dhe tani 76% e opinionit, mendon që vetting-u po kryhet me dy standarde. Ka pasur vendime të duhura, por problemi është kur zbaton standard të dyfishtë, si përshembull,  kur një gjyqtar e shkarkon pse babai i ka dhuruar 5000 euro, e nga ana tjetër, mbyll sytë kur Dvorani merr dhuratë 100,000 euro nga “Albtelekomi” dhe pastaj edhe gjykon çështje të “Albtelekomit” në gjykatë. Këtë nuk ka socialist që ta pranon për standard.  Është qesharake të mendosh se reforma mund të ketë sukses kur (1) vetting-un e bën motra e ministres së Ramës (Balluku), (2) Prokurorët i emëron kunati i ministres tjetër të Ramës (Kodheli), (3) inspektimin e bën vëllai tjetër i ministres së Ramës (Gjermeni) dhe (4) në mungesë të gjykatave, emërimet dhe ndarjen e drejtësisë e bën Dvorani, me mbi 100,000 euro të padeklaruara dhe të përfituara me dhuratë nga biznesi në konflikt interesi! Drejtësia duhet të jetë e pavarur, por e përgjegjshme. E pavarur edhe nga ambasadorët, që fatkeqësisht kanë ndikuar në mënyrë korruptive në çështje të caktuara, siç ishte ndotja masive në Patos-Marinëz dhe nuk u hap asnjë çështje penale. Nuk ka një shkop magjik, por PD-ja, duhet të kërkojë që ligji dhe standardet të jenë të njëjta për të gjithë, të rritet transparenca dhe përgjegjshmëria. Vendimet e Prokurorisë dhe Gjykatave të botohen të plota, që gjithkush të ketë të drejtë t’i monitorojë dhe t’i nënshtrohen asaj që njihet në botën akademike si “peer-revieë” pra vlerësimin e akt-gjykimeve edhe nga kolegët.

– Ju falenderoj, Prof. Malltezi!