Prof. Dr. Fatmir Terziu: A do të bëhen tre festa kombëtare të tre shteteve europiane më 25 Prill?

326
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Parantezë

A keni udhëtuar ndonjëherë në ëndërr në një datë që ende nuk ka ardhur? Nuk është mister. Nuk është trill nëse lexoni poezitë e poetes nga Firence, Margherita Guidacci (April 25, 1921 – June 19, 1992) dhe poetes portugeze Sophia de Mello Breyner Andresen (1919–2004). Kështu duke lexuar këto poezi ndoqa Njeriun dhe Fatin e tij në Ëndërr-a…, në ëndërra që janë parë në kohë të ndryshme, por që pikëtakojnë një datë në kalendar: 25 Prill.

25 Prilli është një festë kombëtare në dy shtete, në Itali dhe në Portugali. Është festë e tillë për të njëjtën arsye: çlirimi nga një diktaturë afatgjatë dhe fundi i luftës. Italia u bë e lirë në 1945, pas njëzet e tre vjet diktaturë fashiste dhe pesë vjet luftë. Portugalia i dha fund dyzet e tetë viteve të diktaturës dhe katërmbëdhjetë vjet luftëra koloniale (ose Lufta e Çlirimit, nëse pyet ish-kolonitë) në 1974. Por më parë se të sqarojë cila është ajo që dy shtete festojnë njëherësh në 25 Prill, le të shkoj pak mes asaj që ëndrra ka lënë dhe ka harruar tek Njeriu, tek Jeta e tij…, përmes ëndrrave.

Përmes ëndrrave

E njëjta gjë, thuajse e njëjta gjë. Nuk mund ta mohoj. Nuk e kuptoj, se si ka filluar të bëhet një varësi. Luksi i përsëritjes më shpie shpeshherë në një vend të përsosur. Në një vend të ndërtuar nga mendja ime. E shoh atë. E ndjek atë në një udhë ku shkel dhe udhëton vetëm memorja ime. Unë mund ta shoh. Është ajo. Është vetë Ëndrra. Mund ta shpërngul atë dhe në sytë e saj të shenjtë mund të shoh mëngjes. Mëngjes? Ishte një “mirëmëngjes” i rremë. Dhe ndërsa hapa perdet pashë se ishte errësuar. Sa të tilla zhgënjime ndodhin. Sa të tilla kanë ndodhur. Sa të tilla ende vazhdojnë të ndodhin. E ne jemi përhumbur. E ne, vazhdojmë të bëjmë të arsyeshmin?! Ku mbeti vlera, … vlera e Njeriut?! Ku shkoi vlera e të jetuarit, vlera e jetës?!

Vlera më e madhe e jetës edhe ndodh të mund të harrohet. Por harresa e sotme po kalon pa u ndier. Dhe, kur ndodh, të duket se pajtohet, intrigon me çdo goditje të zemrës së secilit tek një „sahat“ interesi. Çdo sekondë zhvendoset në një interes. Më pas zhytet në një kujtim. Shkon më tej në një përqasje të ëndrrave të ëmbla. E përmbytet në zhulatjen e të gjitha ëndrrave të këqija. Në jo pak raste shkon duke shoqëruar një për një, në hapat e saj vetë jetën, dhe kjo nëse nuk harrohet.

Ne fokusohemi në punë, në studime dhe në lidhje me planifikimin përpara, ndërsa harrojmë për gjënë më të rëndësishme, vetë jetën, duke e zbehur ngadalë.  Koha është kalimtare, dhe sigurisht që dikush do ta mbarojë… vetë këtë kohë pa e kuptuar, atë kohën e pavlerësuar të jetës, dhe thjesht ashtu pa paralajmërim. Pra, vlerësoni çdo hap të kujdesshëm, çdo frymëmarrje dhe çdo dhimbje zemre.

Ndjenja e gëzimit dhe dhimbjes në jetë na bën më njerëz në fund të fundit. Bëni një pushim, shikoni diellin, ndiqeni ngadalë, butësisht dhe përcilleni ëmbëlsisht duke perënduar përtej skenës që na mban në Ëndërr. Edhe nëse mund të mendoni se nuk keni ndonjë qëllim, gjithmonë mund të krijoni një për veten tuaj dhe të jeni të kënaqur me qenien tuaj. Krijojeni atë me dashuri, respekt, dhe jo thjesht për interes. Telefonoji more shok, more mik, more Njeri, të paktën një herë mikut tënd të vjetër e të ri. Telefonoji me minutat që i shpie në „harxhesë“ të parapaguar. Dhe kështu bëhesh akoma më i mirë…më freskët e pret një Ditë të Re.

Dhe kur freskuesi i Ditës së Re afron, nata me yje e zë butë poshtë sqetullës blu këtë botë të ndritshme. Mbyllni sytë dhe shpirtin delegojeni larg në një fushë të gjelbër. Eh, çfarë ëmbëlsie! Atje është Atdheu, Nëna, Babai, motra, vëllai e të gjithë janë në një rreth të mdh lutjesh për stërgjyshër, gjyshër, e të tjerë anembanë trungut të Madh. Kjo nuk është përhumbje. Nuk duhet të jetë përgjumje.

Disa e shohin gjumin si humbje kohe, megjithatë mund të jetë për një tjetër thesari më i madh i kësaj jete. E gjithë kjo ekzistencë është dhuratë e risjell për ta. Aty mes gjumit është një vend. Një vend i fantazisë dhe madhështisë. Aty është shumë më mirë se kënaqësia e të jetuarit. Mbase kemi kohë të pafund atje. Ose, ndoshta është realizimi që vjen përmes Ëndrrës. Nuk kemi nevojë të përhumbem akoma në Ëndërr. Duhet ta bëjmë realitet. Realitet të qetë, të kuptueshëm e të sinqertë, pa mund, pa trill…ndoshta mirëkuptueshëm edhe më 25 Prill. E aty nuk duhen më fjalët e kota, aty duhet Vota! Ndoshta pas dy të kaluarave, atyre në Itali e në Portugali, do të duhet dhe një e tretë e vërtetë për fatin e shqiptarëve, e pse jo dhe të vetë Europës.

“25 Prilli është një festë kombëtare në dy shtete, në Itali dhe në Portugali. Është festë e tillë për të njëjtën arsye: çlirimi nga një diktaturë afatgjatë dhe fundi i luftës

E vërteta rreth 25 Prillit

Ajo që ka në ndodhur me 25 prillin në Itali dihet më gjerë edhe mes nesh. Por ajo që lidhet me Portugalinë, ndoshta ka qenë disi më larg, jo thjesht si gjeografi. Aty ka një urë dhe në atë urë udhëtarët për në Lisbonë nuk humbasin kurrë Urën e 25 Prillit. Ajo varet mbi lumin Tagus dhe kornizon fotografi të panumërta me harqet e saj të kuqe piktoreske. Por ajo që shumë vizitorëve u mungon është historia e vërtetë prapa urës – dhe data e saj emërore. Këtu është historia e vërtetë pas 25 Prillit. 25 Prilli është një festë kombëtare në Portugali e quajtur “Dita e Lirisë“. Dita e Lirisë përkujton Revolucionin e Karafileve të vitit 1974 kur populli Portugez mbështeti një grusht shteti ushtarak dhe përmbysi diktaturën Estado Novo, që kishte qeverisur vendin që nga viti 1933. Revolucioni i Karafilave e mori emrin nga tranzicioni paqësor i pushtetit të vendit. Ushtarët nuk përdorën armët e tyre dhe në vend të tyre ngulën lule në tyta. Revolucioni solli demokracinë në Portugali. Kur u përkushtua në gusht 1966, Ura e 25 Prillit u emërua Ura Salazar, pas udhëheqësit prej një kohe të gjatë të diktaturës. Shpejt pas revolucionit, shumë monumente portugeze u riemërtuan pas 25 Prillit.

Si konkluzion

Shtatëdhjetë e gjashtë vjet më parë, Komiteti Nacionalçlirimtar i Italisë së Epërme shpalli zyrtarisht kryengritjen kundër nazifashizmit në një njoftim në radio. Portugalia feston dyzet e shtatë vjet liri, që do të thotë se periudha e demokracisë është akoma më e shkurtër se sa ishte diktatura. Duke kaluar një kohë shumë më të gjatë brenda kufijve të demokracisë, Italia ka një histori për t’i mësuar Portugalisë në këtë drejtim: kujtesa është e lakueshme dhe vlerat mund të ndryshojnë, por dhe mund të zgjerojnë gjeografi. A mund të bëhet tre numri i vendeve që do të kenë festë Kombëtare 25 Prillin, pas prillit të sivjetshëm shqiptar? Historia na tregon se ka mjaft shembuj. Le të lëmë pas ëndërr-at.