Prof. Dr. Elmaz Sherifi/ Rrëzimi i ligjit nr. 37/2018 me vendim qeverie nga “Filozofi surrealist” është antikushtetues e antiligjor

266
Sigal

“Filozofi surrealist” i së Drejtës rrëzoi ligjin Nr.37/2018 për Teatrin Kombëtar me VKM Nr.337 Dr.8.5. 2020”

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër

Në Shqipëri po ndodhin shumë ngjarje të çuditëshme, por askush nuk ka besuar se Filozofi surealist i së Drejtës, kryeministri Rama do të bënte skandalin më të madh ligjor, që me një irade/VKM të shfuqizonte ligjin, që kaloi me shpejtësi me votat e “deleve të Parlamentit”, për t’ia dhuruar tokën pronën shtetërore një privati, që brenda kullave të krijoheshin edhe mjediset teatrore.

Politika e Partneritetit Publik Privat u justifikua me mungesën e fondeve në buxhetin e shtetit.

Për ta inicuar kërkesën për rrëzimin e Teatrit Kombëtar Këshilli Bashkiak i Tiranës, shkoi vetë filozofi surealist në mbledhje. Për të marrë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, Sekretari i Përgjithshem i Këshillit të Ministrave i kërkoi Komisionit Europian mendim, nëse ligji cenon Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe në emër të Drejtorisë Përgjithshme Për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit ktheu përgjigje më 20 shtator, Michela Mautela, se ligji nuk e shkel Marrëveshjen. Finalizimin e idesë së Filozofit surealist, që hyri në historinë institucionale si hartuesi i një ligji të veçantë për t’ia dhuruar PPP një klienti të saj. Epilogu i Teatrit absurd politik, për Teatrin Kombëtar e noterizoi “Kuvendi i Deleve”, i cili më 20 shtator 2018 miratoi ligjin.

Nuk po analizoj si janë zbatuar dispozitat e ligjit për krijimin e Komisionit sipas nenit 5, as për transparencën e procedurave të ofertave, sipas nenit 7, pasi këto janë kompetencë e Kuvendit dhe prokurorisë, por dua të bëj të qartë detyrimin juridik që kishte kryeministri për të nxjerrë Aktet Nënligjore, sipas nenit 11.

Sepse, duke mos i njohur ato, dimë me saktësi se Vendimi i Këshillit të Ministrave Mr.337/ 8.5.2020, është antikushtetues e antiligjorë. Është hera e parë në 100 vjet kur teoria e Filozofit të së Drejtës, austriaku Hans Kelzen, që formuloi herarkinë e Ligjeve hidhet poshtë e rrëzohet nga Filozofi surealist i së Drejtës, pasi ai krijoi precedentin absurd, kur me Iradenë e tij, shfuqizon ligjin me akt nënligjore.

Presidenti i Republikës ka depozituar kërkesën në Gjykatën Kushtetutese, e cila ekziston si institucion me norma juridike kushtetutese, por, jo në realitet, që në korrik 2019, me të cilën kërkonte, jo vetëm shfuqizimin e ligjit si antikushtetues, por edhe ruajtjen e Teatrit Kombëtar, si pasuri historike e kulturore kombëtare. Madje, bëri përsëri deklarate kundërshtuese më 9 Maj 2020, edhe për veprimet e reja absurde.

Të nderuar shqiptarë! Ngutja, padurimi dhe bërja e ligjit absurd, për rrëzimin e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e tij subjektit privat të preferuar u justifikua me propagandë të madhe me leverdishmërinë e ndihmën që u jepej shqiptarëve për të mos paguar ndërtimin nga buxheti i taksa paguesve të varfër. Shfuqizimi i ligjit u bë gjasme me kërkesën e Bashkisë Tiranë në 26 shkurt 3020, me vendimin e tij, “justifikohet”, me mos plotësimin e kushteve nga privati i “ndershëm”, pasi si thuhet ai nuk mori përsipër kërkesat e reja të dy anëtarëve të Komisionit të Teatrit Kombëtar. Humor i madh. Po si u bë ligji dhe veprimet e tjera proceduriale, pa projekt e preventiv? Shumë gjera mbulohen. Por filozofi surealist shfaqet si “mbreti lakuriq” me vendimin që anullon ligjin dhe tregon para shqiptarëve që kanë aftësi të arsyetojnë se përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Sajuar, janë thjesht noter të iradeve të filozofit surealist.