Prof. Dr. Elmaz Sherifi/ Franca nuk na dha lëmoshën. Ja pse nuk e meritojmë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

446
Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Ja pse nuk e meritojmë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE
Sigal

“Habia Politike”! Zhane Hersh/Jeanne Hersch, trajtoi Habinë Filozofike. Politikanet tanë shfaqin habinë politike, pse nuk u hapen negociatat me BE! Disa habiten, duke pretenduar se Shqipëria, sipas tyre, është “model i reformave” për vendet e tjera! Dikush habitet, se detyrat e shtëpisë janë tejkaluar. Ndonjë tjetër monologon me rezolutën e parlamentit dhe nuk e kupton pse kryeministrat dhe kryetarët e shteteve në KE votojnë ndryshe nga europarlamentarët e tyre.

Të “habiturit” Aristoteli i përkufizonte si kokëfortë, shprehin injorancën dhe janë të mërzitshëm.Sa shumë do dëshiroja të hapeshin negociatat, megjithëse nuk e meritojmë, por le të na mëshironin ashtu si na futën në NATO, që të kërkoheshin standardet e qeverisjes demokratike.

Nuk e meritojmë, prandaj Merkel vendosi kushte, që të habiturit nuk i pranojnë si “detyra shtëpie”!

Nuk e meritojmë, se nuk kemi parlament përfaqësues të vullnetit të popullit, por të partive ose më saktë të kryetarëve të tyre.

Nuk e meritojmë, se kemi ministra të paaftë e të akuzuar e vetë akuzuar.
Nuk e meritojmë, se nuk kemi pushtet gjyqësor.
Nuk e meritojmë, se pushteti vendor është monokolor dhe kryetarët e tyre kanë filluar të largohen si të inkriminuar.
Nuk e meritojmë, se shqiptarët po largohen të dëshpëruar.
Nuk e meritojmë, se kryeministri nuk pranon se në Shqipëri ka krizë politike, ekonomike e sociale, madje fton biznesin e huaj të vijë në Shqipëri, se nuk ka sindikata dhe pagat janë të ulëta.
Nuk e meritojmë, se PPP po tjetërsojnë pronën publike dhe po rrisin borxhin publik që do financohet nga taksa paguesit e varfër shqiptarë.
Nuk e meritojmë, se sa dëshiron të dalësh me makinë nga garazhi, dikush ka vendosur te dera makinën e tij.
Nuk e meritojmë, se sa dëshiron të dalësh nga Liqeni Artificial, i mrekullueshëm, zonja me konen e vet para teje, të ndoturat e qenit nuk i merr, por i le aty t’i shkelin qytetarët, dhe qentë Pitbull të tmerrojnë se janë pa maska. Që në 1933 qeveria e kohës kishte ligj për mbajtjen e qenit.
Nuk e meritojmë, se shqiptarët me militantizmin ekstrem “pranojnë” keqqeverisjen.
Nuk e meritojmë, por do dëshiroja të hapeshin negociatat dhe i bëj thirrje klasës politike, plotësoni kushtet që vendosi parlamenti i Gjermanisë, se erdhi qershori 2020, kur do ballafaqohemi përsëri!